Deputeti i LDK-së: Thaçi ka ngelur i vetëm, është në panik

Politika

Deputeti i LDK-së: Thaçi ka ngelur i vetëm, është në panik

Nga: N.H Më: 13 mars 2019 Në ora: 14:46
Hashim Thaçi

Kreu i shtetit, Hashim Thaçi, edhe me tej nuk po arrin të gjejë mbështetje as te pozita e as te opozita për ndryshim të kufijve. Ditë më parë i pari i vendit deklaroi se ideja e korrigjimit të kufijve ishte e ish-presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova.

Deputeti i Kuvendit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Naser Rugova, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se ky deklarim i presidentit Thaçi ishte një nga tendencat e tij të radhës për manipulim të opinionit.

Image
Naser Rugova

“Ishte një nga tendencat e radhës të manipulimit me opinionin nga ana e Thaçit. Ai ka ngelur i vetëm, është në panik dhe po tenton të manipulojë opinionin”, ka thënë Rugova.

 Tutje, Rugova konfirmon se këto ide nuk janë thënë kurrë nga themeluesi i shtetit, ndërsa thekson se janë gënjeshtra të kulluara.

“Duke tentuar që ta arsyetojë këtë ide ruso-serbe është thirrur gjoja në deklarata që nuk janë thënë kurrë nga themeluesi i shtetit, presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova. Thënë troç janë gënjeshtra të kulluara”, ka thënë ndër tjerash ai.

Ndryshe, së fundi, dy bashkëpunëtorë të lartë të Këshillit të Politikave për Demokratizim në Berlin kanë kërkuar që Gjermania ta ndalë turrin e rrezikshëm për ndarjen e Kosovës.

Sipas tyre, Gjermania është e vetmja forcë e cila për momentin ka kapacitete për të ndalë korrigjimin e kufirit dhe shkëmbimin e popullatës dhe të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky është konstatimi i dy autorëve të huaj , Kurt Bassauner dhe Toby Vogël, të cilët në një shkrim të gjatë autorial, kanë shtjelluar fazën finale të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe idenë për korrigjim të kufijve si pjesë e një zgjidhje finale ndërmjet dy shteteve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat