Taksa të argumentohet bindshëm para BE-së dhe SHBA-së

Politika

Taksa të argumentohet bindshëm para BE-së dhe SHBA-së

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 15 mars 2019 Në ora: 20:59
Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj

Serbia përveç taksës po e kushtëzon edhe heqjen e platformës për dialogun, e cila u miratua javë më parë në Kuvendin e Kosovës. Nga ana tjetër Kryeministri Haradinaj, nuk po e heqë taksën 100 % për mallrat serbe dhe ato nga Bosnje e Hercegovina, me gjithë kërkesat dhe takimet që ditëve të fundit po i zhvillon me delegacione të ndryshme nga SHBA, Gjermania dhe Britnia.

Millaku: Taksa nuk po respektohet

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së, Drita Millaku, ka thënë se, taksa po përdoret për qëllime elektorale e jo për qëllime politike në raport me Serbinë.

Image
Drita Millaku

“Taksa është veprimi i rrallë pozitivi ndërmarrë me sa duket aksidentalisht nga qeveria por që në rrafshin politik ka provokuar reaksionin si ndërkombëtar ashtu edhe brenda vendit”, ka thënë deputetja Millaku.

Megjithatë, ajo ka potencuar se tarifa e cila është vendosur për mallrat e Serbisë dhe Bosnjës, nuk po respektohet për shkak se edhe 4 muaj pas vendosjes dyqanet tona janë plot me mallra të Serbisë.

Isufi: Platforma u miratua për interesin e vendit

Image
Ahmet Isufi

Kurse, deputeti i AAK-së, Ahmet Isufi, ka thënë se pavarësisht çka thonë përfaqësuesit e Serbisë, shteti i Kosovës i ka vendimet e veta sovrane dhe të gjitha i merr në bazë të kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.

“Platforma dhe ekipa për dialog janë votuar në Kuvendin e Kosovës duke pasur parasysh se më nuk shkohet me tema dhe jo agjenda që i imponon Serbia por duke mbrojtur interesat e vendit tone”, ka thënë deputeti i AAK-së Ahmet Isufi.

Mushkolaj: Kushtëzimet e Serbisë nuk duhet të pranohen

Lidhur me këtë, analisti politik, Imer Mushkolaj, ka thënë se kushtëzimet e Serbisë nuk duhet pranuar.

Image
Imer Mushkolaj

“Taksa nuk është vënë për dialogun, por kundër qasjes agresive të Serbisë. Pala e Kosovës duhet ta argumentojë këtë bindshëm para BE-së dhe SHBA-ve. Taksa duhet të hiqet atëherë kur Kosova ta vlerësojë se Serbia e ka ndërruar kursin karshi saj”, ka thënë analisti politik Imer Mushkolaj.

Kurse, për politologun Faik Kransiqi, është shumë i pakuptimtë presioni ndërkombëtar ndaj Kosovës për heqjen e taksës ndaj Serbisë, përderisa ndaj Serbisë, nuk bën asnjë presion për asgjë, madje edhe për faktin që Serbia po e lufton me çdo mjet të mundshëm shtetin e Kosovës.

Krasniqi: Serbia e përkëdhelura e Bashkësisë Ndërkombëtare

Image
Faik Krasniqi

Sipas tij, Kosova edhe nëse e heq taksen Serbia do të del me ndonjë kusht tjetër dhe gjithmonë do të ketë ndonjë kusht.

“Ja tash e kushtëzon heqjen e platformës për dialogun, kurse Bashkësia Ndërkombëtare nuk merre asnjë mase kundër saj. Bashkësia Ndërkombëtare po na e dëshmon qe është ne anën e Serbisë. Edhe nëse e heq Kosovën taksen dhe platformën për dialogun, Serbia prape nuk është e kënaqur dhe do të del me kushte të tjera. Ajo nuk e ka hallin e taksës, por nuk është e interesuar që të arrijë marrëveshje me Kosovën, sepse Kisha Ortodokse serbe është kundër dhe dihet që çdo Qeveri e Serbisë i bindet kësaj kishe. Me urdhrat e Kishës Ortodokse serbe janë bërë masakrat më të tmerrshme në Kosovë, Bosnjë dhe Kroaci. E përkëdhelura e Bashkësisë Ndërkombëtare, që pavarësisht se ka kryer gjenocid ndaj shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve, vazhdon të jetë e pëlqyera e tyre. Kjo është lojë me hile e ndërkombëtarëve, prandaj, nuk ka as heqje të taksës dhe asgjë”, ka thënë Krasniqi.

Duhanaj: Të gjendet një mënyrë për ta pezulluar taksën

Image
Leon Duhanaj

Ndërsa, analisti politik Leon Duhanaj, ka thënë se Kryeministri Haradinaj, tashmë duhet ta gjej një model se si ta pezulloj për një afat kohor, me qenë se po kërkohet me ngulm nga partnerët ndërkombëtarë.

“Natyrisht se ne që jemi jashtë këtij procesi, duhet llogaritur edhe variante bisedimesh të cilat nuk janë relevante për publikun. Por, nëse kërkesa për pezullim nga partnerët tanë Amerikan dhe Gjerman ekziston, atëherë mendoj që duhet të gjendet një mënyrë për ta pezulluar. Natyrisht që kërkesa në një kundër shërbim është më se legjitime! Në anën tjetër, kur flasim për platformën dhe akuzat nga ana e Serbisë drejtë saj, nuk besoj që duhet të na shqetësoj fort. Ata nuk lanë gjë tjetër pa bërë, por të merren me ne dhe, kjo është mirë kështu. Është mirë që kanë nisë të vajtojnë. Nuk mendoj që i merr kush seriozisht”, ka thënë Duhanaj.

Sipas tij, platformë Kosovës, është dhe duhet të mbetet çështje e mbrëmshme dhe për sa i përket asaj Serbia mund vetëm të shikoj punët e veta.

“Nuk ka asgjë çfarë mund ta legjitimoj një ndërhyrje të tillë. Kosovës përpos platformës, i nevojitet edhe me shumë qartësi dhe unitet në skenën politike, në mënyrë që procesi i dialogut të kaloj pa lëshime”, ka thënë analisti politik Leon Duhanaj.

Burjani: PDK është përgjegjëse për gjendjen e krijuar

Image
Blerim Burjani

Kurse, njohësi i çështjeve politike dhe juridike, Blerim Burjani, ka thënë se nuk është çështje e Serbisë se çfarë mendojnë politikanët përmes platformës, pasi është e pa vlefshme çfarë thotë Serbia.

Sipas tij, çështja e taksës i ndesh me të drejtën ndërkombëtare që është perceptuar nga tërë komuniteti ndërkombëtar.

“Nuk mund të ketë kushtëzime kurrfarë për të hyrë në dialog bazuar në të drejtën ndërkombëtare sepse pengon edhe ndërmjetësimin. Nëse qet kushte kjo kuptohet se është kundër dialogut, pra kjo teme është shkollore dhe më profesionale për politik bërjen. Kjo çështje ligjërohet në katedra universitare dhe është shndërruar në përvoja afatgjata njerëzore që quhet shkenca mbi marrëdhëniet ndërkombëtare. Nëse qet kushte është parim se nuk ka vullnet për dialog në këtë nuk ka debat, Pranimi i dialogut nuk është pranim i kushteve të askujt, pasi është e hapur mundësia për gjethe të zgjidhjes, çështja mos shkëmbimit duhet të mbrohet gjatë dialogut e jo ende pa hyrë në dialog kjo pengon ndërmjetësuesi dhe normal shumë i konvenon Serbisë që nuk e interesuar fare për një marrëveshje përfundimtare që do të përmbystë ëndërrta përfundimisht të Serbisë për Kosovën, tash absurdi nuk po ndalet nga PDK-ja, që nuk i do zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe as riformulimin e qeverisjes në shtet. Pra, PDK është përgjegjëse për gjendjen e krijuar”, ka thënë njohësi i çështjeve politike dhe juridike Blerim Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat