A rrezikohet Kosova nga sulmet si në Zelandën e Re? Flet njohësi i çështjeve të sigurisë

Politika

A rrezikohet Kosova nga sulmet si në Zelandën e Re? Flet njohësi i çështjeve të sigurisë

Nga: N.H Më: 15 mars 2019 Në ora: 22:26
Pamje nga vendi i ngjarjes

Mediat vendore sot raportuan se rasti i sulmit terrorist në një xhami të Zelandës së Re ku mbetën të vdekur 49 persona, ka alarmuar edhe Kosovën.

Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka rekomanduar që të rritet siguria në vend, në veçanti në ato zona ku banimi i minoriteteve është më i përqendruar dhe në objektet fetare.

“Tragjedia e radhës në Zelandën e Re është një rast icrend të cilin shërbimet tona të sigurisë, duhet ta shfrytëzojnë si përvojë të tyre, e që në preventive të ndërmarrin masa në çdo cep të Kosovës që mos të ndodhin raste të tilla. Edhe që aq e largët Zelanda e Re, vepërkryesi u inspironte me këngët çetnike të Drazha Mihajlloviçit, e duke u thirrur në emër të kriminelit ndërkombëtar Karagjiqit i cili është i dënuar me dënim te përjetshëm për krimet të luftës të kryera në Bosnje e Hercegovinë”, ka thënë Tërnava.

Ai duke e komentuar rastin në Zelandën e Re, ka thënë se i dyshuari për krimin e bërë frymezimin e ka gjetur nga luftërat e serbëve në Ballkan.

Image
Hajrullah Tërnava

“Frymëzimi i tij ishte nga luftërat e bëra të serbëve në ato territore të ish Jugosllavisë të viteve të 90-ta, e sidomos në Bosnje dhe në Kosovë, ku në këngët që janë dëgjuar si inspirim për të, gjatë gjithë atyre vrasjeve gjithsej 49-të që i ka bërë në xhamin në Zelandë të Re, gjatë tërë kohës është degjuar thirrja e serbeve për vrasjen e kombeve tjera, ndër to u përmend edhe Kosova”, ka thënë ai.

Sipas Tërnaves, mënyra e kryerjes të kësaj vepre lenë për të kuptuar se edhe në të ardhmen mund të ketë të tilla raste, e sidomos edhe në Ballkan.

“Nëse analizohet mirë, ai terrorizëm në atë vende sikur që është xhamia, e që konsiderohet vend i shenjt për myslimanet, aty kryesisht kanë qenë njerëz të shteteve të ndryshme të fesë islame, pra mysliman, e që kanë shkua me i krye ritet fetare, e kur një vepërkryes edhe gjatë momentit të kryerjes së veprës së tij të pushkatimit të njerëzve të pambrojtur dhe me muzikën nacionaliste serbe si inspirim të tij, është për t’u habitur dhe për analizë nga shërbimet ndërkombëtare të inteligjencës, sepse vetë mënyra e kryerjes të kësaj vepre na jep për të kuptuar se edhe në të ardhmen mund të ketë të tilla vepra e sidomos edhe në Ballkan sikur u përmendke në këngët nxitëse nacionaliste”, shprehet ai.

Ai bën thirrje për shërbimet botërore më të sofistikuara të merren me rastin, përndryshe bota gjendet para një rrezikut të përhapjes së këtij lloji të luftës.

“Prandaj, me këtë raste duhen të merren edhe shërbimet botërore më të sofistikuara, përndryshe bota gjendet para një rrezikut të përhapjes së këtij lloji të luftës, e sidomos luftërave të religjioneve. Edhe vendi i jonë është një ndër vendet të rrezikuara nga ky lloj i luftërave. Por, sikur të ndodhte në një vend tjetër të sulmoheshin kishat nga një sulmues me këngë nxitëse nacionaliste shqiptare, krejt Serbia ishte alarmuar dhe kishin me kërkuar edhe mbledhje të KS të OKB-së për këso ndodhi, duke e zmadhuar nacionalizmin shqiptar”, tha njohësi i çështjeve të sigurisë.

Ai me tej shton se pasi që masakra u motivua nga trimëria serbe, është e rrugës siç ka thënë Tërnava që të zbulohet se a mos dikush nga ky shtet ka qëndruar mbrapa inspirimit.

“Prandaj, shërbimet e inteligjencës botërore në këtë rast duhen të bëjnë analiza detaje dhe t’i zbulojnë inspiruesit e vërtetë të këtij vepërkryesi e sidomos kur është fjala për inspirimin e këtij personi, kur ai gjatë tërë kryerjes së kësaj masakre u motivonte në trimërinë serbe, prandaj është mirë që të zbulohet se a mos dikush nga ky shtet ka qëndruar mbrapa inspirimit”, shtoi Tërnava.

Në fund, njohësi i çështjeve të sigurisë nënvizon se shërbimet e sigurisë së Kosovës gjithsesi duhen ta rrisin nivelin e sigurisë dhe gatishmërisë.

“Shërbimet e sigurisë së Kosovës gjithsesi duhen ta rrisin nivelin e sigurisë-gatishmërisë dhe gjatë angazhimit të tyre të jenë vigjilent dhe asgjë mos t’ia lejnë rastit, dhe më të gjithë forcën të gjithë qytetarëve të saj, t’u garantohen të drejtat e tyre që ua garanton Kushtetuta e Kosovës, gjë që për këtë do ta kenë edhe përkrahjen e populli të Kosovës”, përfundon Tëranava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat