Hyrja e LDK-së në qeveri me PDK-në, destabilizon Kosovën

Politika

Hyrja e LDK-së në qeveri me PDK-në, destabilizon Kosovën

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 16 mars 2019 Në ora: 12:12
LDK

LDK-ja është e gatshme të bëhet pjesë e një qeverie gjithëpërfshirëse, me kushtin që ta udhëheqë qeverinë dhe rrjedhimisht edhe dialogun sipas Kushtetutës.

LEXO EDHEPacolli jep detaje nga darka e tensionuar me Thaçin e Haradinajn

Kështu ka deklaruar Besian Mustafa, zëdhënës i LDK-së, i cili ka thënë se marrëveshjet ndërkombëtare i negocion qeveria. Madje, Mustafa ka qenë shumë kritik edhe për zhvillimet politike, duke thënë se kjo qeveri e ka sjellë Kosovën në pikën më të ulët në politikën ndërkombëtare.

Salihaj:  Zgjedhjet, zgjidhja më e mirë

Image
Adem Salihaj

Ish deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, ka thënë për “Bota sot” se Lidhja Demokratike e Kosovës, e ka definuar qartë qëndrimin e saj lidhur me mundësinë e përfshirjes në qeveri.

Sipas tij, LDK-ja ka deklaruar se mund të hyjë në një qeveri gjithëpërfshirëse, në të cilën marrin pjesë të gjitha partitë që kanë deputet në kuvend dhe të cilën qeveri do ta udhëhiqte LDK-ja si partia më e madhe parlamentare.

“Duke qenë se LDK-ja do ta udhëhiqte qeverinë, vetvetiu kuptohet se do ta udhëhiqte edhe procesin e dialogut, sepse qëndrimi i LDK-së është se dialogun e udhëheq kryeministri dhe qeveria, si organi më i përgatitur dhe më kompetent për këtë çështje. Asnjë variant tjetër nuk e pranon Lidhja Demokratike e Kosovës. Dhe çfarëdo mundësie tjetër që LDK-ja njëanshëm t'i bashkëngjitet koalicionit aktual është vetëm spekulim qëllimkeq. Në fakt, LDK-ja konsideron se zgjidhja më e mirë për Kosovën është shkuarja në zgjedhje, sepse vetëm në këtë mënyrë institucionet e Kosovës marrin legjitimitet të plotë dhe mund ta nxjerrin Kosovën nga bllokada“, ka thënë ish deputeti i LDK-së Adem Salihaj.

Rrahmani: Udhëheqja do t`i takonte LDK-së

Image
Imet Rrahmani

Kurse, deputeti i LDK-së Imet Rrahmani ka pohuar se në një qeveri gjithëpërfshirëse natyrshëm udhëheqja i takon LDK-së si parti me përfaqësimin më të madh në parlament.

“A mund të realizohet kjo, unë mendoj se është vështirë, jo për shkak të LDK-së por për shkak të të tjerëve. Por, nëse kjo nuk ndodh ne kemi opsionet tjera të të bërit opozitarizëm dhe dhënies së kontributit ne rrethanat e tanishme politike”, ka thënë deputeti i LDK-së Imet Rrahmani.

Mehmeti: LDK-ja duhet të ketë kujdes

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa, analisti politik Faton Mehmeti, ka thënë se LDK duhet të ketë shumë kujdes nga ndërskamcat që mund t`i ketë nga PDK-së konkretisht nga Hashim Thaçi.

“Sipas tij, ky i fundit mund të këtë kryer çdo gjë me Vuçiqin duke u munduar t`ia lë LDK-së këmbët e Arushës në duar. Natyrisht do të ishte krejtësisht në rregull që edhe LDK-ja dhe Vetëvendosje që të përshihet në bisedime, por duke filluar nga zero jo për tu bërë për ndonjë kurth nga Thaçi, i cili kërkon legjitimitet për marrëveshjet që ka arritur në mënyrë tinzare me Vuciqin. Duhet shumë kujdes, megjithëse është e rrugës dhe e duhur që tërë skena politike në vend të ketë një me qëllim mbrojtën e interesave të vendit. LDK-ja po them prapë duhet të ketë kujdes. LDK-ja duhet të jetë pjesë e bisedimeve, por jo e qeverisë pasi kështu do i merrte mbi vete mëkatet e degradimit të shteti nga kjo qeveri”, ka thënë analisti politik Faton Mehmeti.

Krasniqi: Do të ishte tradhti ndaj elektoratit

Image
Faik Krasniqi

Ndërsa. politologu Faik Krasniqi ka pohuar se do te ishte gabim i madh nga ana e LDK-se nëse pranon të bëhet pjesë e kësaj Qeverie, që Kosovën e ka dërguar në një rrugë qorre.

“Do të ishte tradhti ndaj elektoratit dhe “Klanit Pronto” do t’ia zgjaste jetën nëse LDK-së bëhet pjesë e kësaj Qeverie ku është edhe PDK-ja, në zgjedhjet e ardhshme do të pësonte debakël. Ky është qëllimi i PDK-së. LDK dhe Vetëvendosje duhet të punojnë për rrëzimin e kësaj Qeverie dhe jo t'i bashkohen asaj. Besoj që zgjedhjet e kaluara i dhënë një mesazh të mirë LDK-së, që koalicioni me PDK-në do e fundos”, ka thënë politologu Krasniqi.

Bytyçi: Hyrja e LDK-së në Qeveri, në interes të Thaçit

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

Pro, Dr. Enver Bytyçi, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës është parti, e cila që nga krijimi e deri më sot ka marrë pjesë në qeverisjen e vendit.

" Nuk do të prisja që LDK të ishte e kaq padurueshme, sepse padurimi për të hyrë në qeverisje, do ta dëmtojë imazhin e saj. Qytetarët do të thonë se një parti që nuk duron as katër vjet të qëndrojë në opozitë e joshet me çdo kusht drejt pushtetit, nuk mund t’i përfaqësojë ata", ka thënë Bytyçi.

Sipas tij, Lidhja Demokratike dëshiron të bëhet pjesë e një qeverie gjithëpërfshirëse.

"Nuk kuptohet se çfarë kupton ajo me gjithë përfshirje, gjithë spektrin politik të Kosovës, përfshirë dhe Vetëvendosjen, apo partitë në pushtet + LDK-në?! Nëse me gjithë përfshirje kuptojmë koalicionin aktual + partinë e zotit Mustafa, atëherë duhet thënë se rikthehet përsëri koalicioni PDK-LDK. Dhe nëse ndodh kjo, atëherë LDK duhet të llogarit që të jetë parti e tretë ose e katërt në zgjedhjet e ardhshme. Do ta humbasë gjithë besimin e qytetarëve dhe do ta votojnë për të vetëm militantët e saj", ka thënë profesor Bytyçi.

Ai ka pohuar se një koalicion tjetër me partinë e Hashim Thaçit do të ishte vetëvrasje për Lidhjen Demokratike të Kosovës.

"Nëse ka parasysh gjithashtu pjesëmarrjen e Vetëvendosjes në këtë mazhorancë, dalin dy probleme: Nga njëra anë LDK nuk mund ta pretendojë paritetin, as kryesimin e qeverisë, as të bisedimeve me Serbinë, sepse Vetëvendosja është parti e parë në Kosovë. Nga ana tjetër vendi do të mbetej pa opozitë dhe qytetarët e Kosovës nuk kanë votuar vetëm për mazhorancën, por edhe për opozitën. Opozitarët që përfaqëson LDK dhe Vetëvendosje do të zhgënjeheshin e për pasojë të dyja këto parti do humbisnin elektorat! Është interes i Hashim Thaçit dhe askujt tjetër që LDK të bëhet pjesë e qeverisjes dhe mazhorancës në Kosovë", ka thënë profesor Bytyçi.

“Në LDK ka jo pak deputetë dhe emra të njohur që i shërbejnë Hashimit”

Sipas tij, përfituesi më i madh në këtë histori do të jetë presidenti superman i Kosovës, Hashim Thaçi.

" LDK me hyrjen në qeveri bëhet pjesë e kësaj përralle, bëhet patericë e Hashim Thaçit. Se Thaçi e ka kap LDK-në, spektrin politik në Kosovë, gjykatën kushtetuese, prokurorinë dhe gjykatat, policinë dhe shërbimin e fshehtë, kjo është e ditur, derisa askush prej këtyre instrumenteve nuk vepron me iniciativë për shkarkimin dhe ndjekjen penale të tij, për shkak të shkeljes së nenit 2 pika 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në të cilin ndalohet çdo veprimtari për tjetërsimin e territorit të vendit! Por këtë e provoi dhe dëbimi arbitrar prej tij i gjashtë gylenistëve turq. LDK, nëse hyn në qeverisje, shkon edhe më tej! I shkon në ndihmë Hashim Thaçit në ditët e tij më të vështira! Kjo është tragjedia e njëkohësisht komedia që do të ndodhë" ,ka thënë profesor Bytyçi.

Tutje ai ka shtuar se Hashim Thaçi përfiton nga pjesmarrja e LDK-së në qeverisje, sepse eviton zgjedhjet e reja, pasi me LDK-në ndryshon kreun e ekzekutivit dhe i hap rrugë ndarjes së Kosovës.

"Ai nuk ka interes ta prishë koalicionin, sepse vendi shkon në zgjedhje të parakohshme dhe Partia Demokratike e Kosovës mbetet një lloj minorance e tipit të partisë së Pacollit. Prandaj i duhet LDK për të fituar kohë që të realizojë projektin e Serbisë për ndarjen e Kosovës dhe për të forcuar pozitat e partisë së tij.  Në LDK ka jo pak deputetë dhe emra të njohur që i shërbejnë Hashimit! Prandaj ai shpreson shumë që me këta renegatë ta heq qafe Ramush Haradinajn pa shkuar në zgjedhje.  Dhe së fundi nëse Lidhja Demokratike e Kosovës hyn në qeveri sigurisht si patericë e Hashim Thaçit, AAK e Ramush Haradinajt do të dalë në opozitë dhe do i bashkohet Vetëvendosjes. Nuk ka logjikë tjetër. Vendi do të ngrihet në protesta dhe nuk do të dihet se çfarë mund të vijë më pas. Kësisoj LDK bëhet shkaktare e destabilizimit të Kosovës. Por, është shumë herë më mirë që Kosova të destabilizohet për t’i fshirë nga postet e politika tipat si Hashim Thaçi, sesa të bëhet sehir përballë veprimtarisë antikushtetuese të presidentit për tjetërsimin e territorit të Kosovës", ka thënë profesor Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat