Edhe këtë vit, Raporti për të drejtat e njeriut në botë i publikuar nga Departamenti amerikan i Shtetit, nxori në disa pjesë disa probleme për Kosovën.
“Kthimi i detyrueshëm i refugjatëve ose azilkërkuesve, korrupsioni endemik në qeveri, dhuna dhe kërcënimet e dhunshme kundër gazetarëve dhe sulmet kundër anëtarëve të pakicave etnike ose komuniteteve të tjera të margjinalizuara”, janë disa nga problemet për Kosovën të theksuara në këtë raport.
Në raport theksohet raporti i dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi, ku ata, siç thuhet, janë kërkuar “nën akuza të paqarta”.
Ndërsa, sa i përket lirisë së shprehjes, raporti thekson se Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës e garantojnë lirinë e shprehjes dhe se qeveria në përgjithësi e ka respektuar këtë të drejtë.
Tutje, thuhet se raporte të besueshme kanë përsëritur se disa zyrtarë publikë, politikanë, biznesnmenë dhe grupe radikale fetare kanë bërë përpjekje t’i frikësojnë përfaqësuesit e mediave.
Departamenti amerikan i Shtetit po ashtu thekson se ligji në Kosovë parashikon dënime penale për zyrtarët që kryejnë vepra korruptive, por që qeveria nuk e ka zbatuar ligjin në mënyrë efektive”.
Për këtë raport pati reagime nga krerët e shtetit.
Por, çfarë duhet të bëjë Kosovë që kjo gjendje të përmirësohet, përveç reagimeve të zyrtarëve shtetërorë dhe kush duhet të japë përgjegjësi për këtë gjendje, 11 vjet pas shpalljes së pavarësisë?
Rugova: Përgjegjësia ka adresë, kjo është qeveria e Kosovës
Deputeti nga radhët e LDK-së, Naser Rugova, ka thënë për gazetën “Bota sot” se raporti i DASH duhet të jetë alarm për institucionet e shtetit.
“Ky raport i një institucioni kaq prestigjioz duhet të jetë alarm për institucionet e shtetit tonë. Korrupsioni me përmasa shqetësuese, politizimi i sistemit të drejtësisë, sjellja autoritare e pushtetarëve aktual e kanë rrëzuar për tokë imazhin e vendit”, është shprehur ai.
Rugova thotë se përgjegjës për këtë është qeveria e Kosovës dhe zgjatja e jetës këtij pushtetit, e vret shpresën e qytetarëve.
“Zgjatja e jetës së këtij pushteti çdo ditë po e vret shpresën e qytetarëve, prandaj përgjegjësia dihet, ka adresë, kjo është qeveria e Kosovës”, ka deklaruar Naser Rugova për “Bota sot”.
Millaku: Lufta duhet të fillojë me një VETING
Ndërsa, deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, ka thënë për gazetën “Bota sot” se vërejtjet që cek raporti i DASH-it janë pengesë për funksionimin normal të shtetit dhe se demokracia ka probleme serioze.
“Vërejtjet që i cekë Departamenti i Shtetit në relacion me Kosovën si korrupsioni, të drejtat e njeriut, çështja e riatdhesimit të refugjatëve etj. i paraqet si problem që për mua janë të natyrës themelore që jo vetëm që janë barrë por janë edhe pengesë e funksionimit normal të shtetit tonë dhe kjo tregon se demokracia jonë ka probleme serioze në funksionimin normal dhe krejt kjo vjen si metodë dhe mënyrë e qeverisjes nga njerëz që janë të korruptuar. Duke ditur se vetë krerët e shtetit janë të pasuruar pashpjegueshëm dhe të njëjtit e amnistojnë korrupsionin, atëherë kjo na bie në konkludimin se kemi korrupsion por edhe krim të organizuar shtetëror”, është shprehur ajo.
Sipas Millakut, korrupsioni nuk mund të luftohet nga njerëzit e korruptuar, duke të fillojë një Vetting në të gjitha strukturat e shtetit
Korrupsionin nuk mund ta luftojnë njerëzit e korruptuar. Jo vetëm departamenti i Shtetit por kohëve të fundit janë edhe reagimet e shumë shteteve evropiane sa i përket mos luftimit të korrupsionit nga institucionet, e të eliminohen grupet paralele që i konkurrojnë prokurorisë dhe policisë.
“Lufta duhet të fillojë me një VETING në të gjitha strukturat e shtetit dhe kjo duhet të bëhet me një urgjencë sepse ne jemi shumë prapa. Duhet të eliminohen grupet paralele që i konkurrojnë prokurorisë dhe policisë të formuara nga Presidenti, Kryeministri dhe Kuvendi sepse formimi i tyre vetëm se e shpërndan përgjegjësinë duke humbur adresimin normal të problemeve”, ka vlerësuar deputetja Millaku.
Abazi: Askush nuk dha përgjegjësi për deportimit e shtetasve turq
Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike, Haki Abazi, vlerëson se raporti i DASH ka thënë se udhëheqësit e institucioneve po e përdorin shtetin për realizimin e agjendës korruptive dhe se Kosova është bërë poligon i korrupsionit.
“Raporti i DASH ka thënë në mënyrë eksplicite se udhëheqësit e institucioneve janë duke përdorur shtetin për të realizuar agjendën e tyre korruptive. Shqetësime të ngritura në këtë raport të rëndësishëm janë po ato që i themi për çdo ditë. Në mungesë të gjyqësisë së pavarur, Kosova është bërë poligon i korrupsionit dhe krimit politik dhe zbatimit të interesave klanore e grupore”, është shprehur Abazi.
Ai përmend rastin e shtetasve turq, që sipas tij u përdor për lojëra të pista politike.
“Rasti i deportimit të qytetarëve me status të refugjatit është trup dhe thyerje e Kushtetutës përderisa deri më sot askush nuk është thirrur në përgjegjësi dhe përkundrazi është duke u përdorur për lojëra të pista politike dhe për përfitime në pozicionimet e individëve. Gjithashtu ky raport është komplementare me qëndrimin e raporteve të progresit që bën komisioni evropian”, ka theksuar Haki Abazi për “Bota sot”.
Sipas tij, shkelësit më të mëdhenj të të drejtave të njeriut janë ata që bartin funksionet udhëheqëse në shtet.
“Situata është shqetësuese sepse kemi një nivel të lartë të injorancës dhe papërgjegjësisë dhe një qark të mbyllur sepse ata që kanë kapur shtetin dhe gjyqësinë nuk pritet që po ata ta luftojnë krimin dhe korrupsionin. Në fakt shkelësit më të mëdhenj të drejtave të garantuara me Kushtetutë në mënyrë praktike janë ata që po bartin funksionet udhëheqëse në shtet. Është e qartë që prapa deportimit janë Thaçi dhe klani i tij e që deri tani ai po qëndron mbi ligjin dhe mbi gjyqësinë e vendit”, ka deklaruar Abazi.
Zogaj: Raporti tregon rrezikun që po i kanoset Kosovës nga krimi ekonomik e politik
Kurse, njohësi i çështjeve politike Skënder Zogaj, lidhur me raportin e DASH-it, thotë se aty është thënë ajo që e dinë dhe e theksojnë qytetarët e Kosovës, por që nuk e pranojnë institucionet, duke shtuar se raporti është brengosës sepse tregon rrezikun që po i kanoset lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
“Departamenti amerikan i shtetit e ka thënë atë që e dinë dhe që përditë e theksojnë të gjithë qytetarët e ndershëm të Kosovës, por që nuk po e pranojnë institucionet e vendit nga frika e strukturave të organizuara kriminale, të cilat po e shkatërrojnë arritjen historike të gjakut të derdhur për liri dhe vuajtjen shekullore të shqiptarëve për dalje nga robëria. Raporti i departamentit amerikan të shtetit në rrethanat aktuale është tepër brengosës sepse tregon rrezikun që po i kanoset lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, nga krimi ekonomik e politik”, ka thënë Zogaj.
Sipas tij, është shansi i fundit për krerët e shtetit që të këndellen dhe të marrin masa për denoncim të mafisë dhe nxjerrjen para drejtësisë të gjithë kriminelëve.
“Krerët e shtetit e kanë shansin e fundit të këndelljes dhe të angazhimit serioz së pari për ta pranuar realitetin tragjik, e pastaj edhe të marrjes së masave të shpejta për denoncimin e mafisë dhe marrjen e masave konkrete për nxjerrjen para drejtësisë së të gjithë kriminelëve që dihen dhe të pararojës së tyre institucionale! Shteti është në krizë të thellë! Zhgënjimi i qytetarëve është në kulmin e dëshpërimit dhe, shumë shpejt mund të ketë shpërthime me pasoja përmasash të gjera”, ka deklaruar Skënder Zogaj për “Bota sot”.