Abdullahu: LDK para një shpërthimi të madh pozitiv

Politika

Abdullahu: LDK para një shpërthimi të madh pozitiv

Nga: D. RR Më: 18 mars 2019 Në ora: 23:28
LDK

Lidhja Demokratike e Kosovës është në prag të zgjedhjeve të brendshme për të parin e kësaj partie. Kryetari i saj aktual, Isa Mustafa, po e përfundon mandatin e tij duke lënë gjurmë si ish kryeministër i Kosovës.

E, lidhur me këtë, analisti politik, Faton Abdullahu, duke folur për “Bota sot”, ka thënë se konkurrenca për kryetar të LDK-së do të jetë e fortë, mirëpo ka edhe disa kushte që duhet të plotësohen nga ata që duan të hyjnë në garë.

Image
Faton Abdullahu

“Konsideroj se ka disa kushte të cilat lideri i ardhshëm i LDK duhet t’i plotësoj me doemos. Ato nuk janë të pakta as të lehta për tu përmbushur kur dihet se ka edhe procedura jo të thjeshta dhe gara do të zhvillohet në konkurrencë të madhe. Në rend të parë mendoj se kusht primar është që një lider i ardhshëm i LDK-së duhet të jetë i pranueshëm edhe nga anëtarësia e gjerë dhe qytetarët por edhe nga strukturat partiake. Nëse nuk mund t’i plotësoj këto kushte dikush që është në këtë garë kjo do të thotë se ka mangësi të cilat mund të mos determinojnë unitet të mjaftueshëm që është premisë bazike për ta prodhuar lideri i ardhshëm i LDK-së. Element tjetër i rëndësishëm është se me këto zgjedhje duhet të krijohen rrethana të reja për të sjell ide të reja. Kjo konsideroj se është shumë e rëndësishme”, është shprehur ai.

Abdullahu mendon se LDK është para një shpërthimi të madh pozitiv që i duhet Kosovës dhe idetë e reja janë të domosdoshme për ta bindur qytetarin e Kosovës se alternativë kualitative në raport me koalicionin aktual do të jetë LDK.                                                                               

“Mendoj se LDK është para një shpërthimi të madh pozitiv që i duhet Kosovës dhe idetë e reja janë të domosdoshme për ta bindur qytetarin e Kosovës se alternativë kualitative në raport me koalicionin aktual do të jetë LDK. Idetë e reja mund të vijnë nga një grup i mirë i LDK-së i cili në garën fer mund të ofroj edhe diçka të rëndësishme për këtë parti - ndërlidhjen ndërmjet gjeneratave. Edhe kjo është vitale. Partitë tjera në Kosovë nuk janë të vjetra për nga kohëgjatësia e veprimtarisë dhe nuk e kanë të shprehur këtë problem. LDK e ka. Prandaj dikush që ka prirje për ta bërë me punë dhe ide ndërlidhjen ndërmjet gjeneratave duke mos i dëmtuar ato, as idetë e reja do të ketë përparësi në garën për lider”, thekson ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat