Zogaj: Kazinotë janë strehë e kriminelëve dhe duhet të çrrënjosen

Politika

Zogaj: Kazinotë janë strehë e kriminelëve dhe duhet të çrrënjosen

Nga: G.B Më: 23 mars 2019 Në ora: 15:18
Skënder Zogaj

Më propozim të Grupit Parlamentar të LDK-së, të premten u mbajt seanca për ndalimin e veprimtarisë së kazinove dhe lojërave të fatit, ku dhe u miratua projektligji për këtë.

Kjo kërkesë dhe vendim erdhi pas ngjarjeve të fundit, ku në vend ndodhën dy vrasje në kazino.

Për këtë vendim, njohësi i çështjeve aktuale në vend, Skënder Zogaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Kuvendi më në fund ka kurorëzuar një projektligj të rëndësishëm në shërbim të jetës së qytetarëve, që po përjeton lëndime të rënda nga dora e krimit të organizuar.

“Kuvendi i Kosovës më në fund kurorëzoi me sukses një projektligj të rëndësishëm që i bën shërbim të madh jetës së shqetësuar kosovare e cila po përjeton lëndime të rënda nga dora e krimit të organizuar, që po e godet në format më të rënda, duke ia marrë edhe jetët e njerëzve, siç ishte rasti i vrasjes në një kazino të Therandës ku, polici vrau një qytetar në vendin e punës, për qëllime të grabitjes”, është shprehur ai.

Sipas Zogajt, kazinotë janë strehët e kriminelëve dhe duhet të çrrënjosen!

“Projektligji për mbylljen e kazinove është shumë i qëlluar që duhet edhe të jetësohet sepse lojërat e fatit në Kosovë janë veprimtari e kriminelëve dhe kriminalitetit të organizuar që shkon ndesh interesit historik të Kosovës së posa çliruar që armiqtë duan t’ia pengojnë lirinë dhe pavarësinë! Kazinotë janë strehët e kriminelëve dhe duhet të çrrënjosen”, ka deklaruar Skënder Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat