Serbia edhe një herë po mundohet t'i përgjakë shqiptarët, institucionet e Kosovës heshtin

Politika

Serbia edhe një herë po mundohet t'i përgjakë shqiptarët, institucionet e Kosovës heshtin

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 23 mars 2019 Në ora: 15:45
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Serbia edhe më tej vazhdon me avazin e vjetër duke kërcënuar Kosovën me luftë.

Si duket qëllimi i Serbisë në këtë rast, apo përkrahja e Rusisë për Serbinë po i “rritë” çdo ditë apetitet Serbisë për Kosovën.

Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se Serbisë i ka humbur jo vetëm shansi të kërcënojë Kosovën, por edhe efektet e kërcënimit.

Sipas tyre, kërcënimet e Serbisë vijnë si reminishencë e së shkuarës, pasi ato shpesh herë përdoren për konsum publik të brendshëm.

Rrahmani: Politika e Kosovës duhet të jetë shumë e kujdesshme

Image
Imet Rrahmani

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Imet Rrahmani, ka thënë se edhe pas dy dekadave nga lufta Kosova nuk po arrin të shtri plotësisht sovranitetin në pjesën veriore.

“Nga ana tjetër gjithnjë e më shumë po gjejnë hapësirë zërat që dikur ishin kundër bombardimit të Serbisë që me propagandën e tyre, po tentojnë të krijojnë një momentum të keqardhjes ndaj saj. Pra, politika e Kosovës dhe mbarë shqiptare duhet të jetë shumë e kujdesshme dhe e arsyeshme që të evitoj rrethana eventuale të tilla ku faktori ndërkombëtar do të sillej me indiferencë ndaj qëllimeve serbe dhe ruse për shtrirjen e ndikimit direkt në veri të Kosovës”, ka thënë deputeti Imet Rrahmani.

Makolli: Kjo është më shumë një propagandë e thatë

Image
Vesel Makolli

Sekretari i Përgjithshëm në AKR-së, Vesel Makolli, ka thënë se Serbia për një kohë të gjatë ka krijuar mitin për Kosovën dhe ka indoktrinuar me këtë mit të rrejshëm.

Sipas tij, sa herë që politikanët serb, Kosovën e kanë përdorur si pretekst për ta larguar vëmendjen nga problemet e tyre të brendshme.

Sipas tij, në kostelacionin e forcave ekzistuese nuk i kanoset as një rrezik Kosovës nga ana e Serbisë.

“Kjo është më shumë një propagandë e thatë e cila tenton që problemet ekzistues politik, ekonomik, shoqërore dhe keq qeverise të Beogradi ti mbulojë me Kosovën dhe këtë energji ta drejtojë nga Kosova. Apetitet serbe të ndihmuara edhe nga Rusia kanë qenë gjithmonë për gllabërimin e tokave shqiptare dhe për dalje në det. Ëndrra serbe për daljen në deti është shuar me krijimin e shtetit shqiptar, po ashtu edhe ëndrra dhe mit serbe” Kosova tokë e shenjt serbe’’ është shuar me krijim e shtetit te pavarur të Kosovës. Derisa NATO dhe KFOR-i janë përgjegjëse për sigurinë e Kosovës asnjë rrezik nuk i kanoset asnjë pjese të Kosovë dhe as pjesës veriore të saj. Veprimet tona dhe uniteti ynë politikë janë për të dëshiruar, andaj obligim i yni është forcimi i shtetit juridik si dhe ruajtja e miqësisë me SHBA-në , NATO-në dhe aleatet perëndimor, pasi që falë tyre Kosova kurrë nuk ka qenë më e sigurt në pikëpamjen ushtarake”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm në AKR-së, Vesel Makolli.

Salihaj: Serbia edhe një herë po mundohet t'i përgjakë shqiptarët

Image
Adem Salihaj

Ndërsa, ish deputeti i LDK-së Adem Salihaj, ka thënë se Serbia, e përkrahur dhe e nxitur nga Rusia, sërish po kërcënon me luftë dhe kjo po manifestohet edhe me grumbullim të forcave ushtarake në kufi me Kosovën dhe me retorikën luftarake të krerëve të Serbisë.

Sipas tij, kërcënimet me luftë ndaj Kosovës janë serioze, e jo vetëm një retorikë e zbrazët.

“Vuçiqi dhe Serbia po e vazhdojnë politikën Millosheviçiane, politikë kjo, e cila ka shkaktuar masakra dhe gjenocid ndaj shumë popujve të Ballkanit, duke lënë pas vetes shumë burra, gra, pleq e fëmijë të masakruar dhe shumë gra të dhunuara. Në rast të një sulmi eventual, Serbia synon ta pushtojë pjesën veriore të Kosovës, deri në kufi me Drenicën, duke përfshirë edhe Trepçën. Pra, Serbia edhe një herë po mundohet t'i përgjakë shqiptarët. Por, nëse shkaktohet konflikti, ai mund të shtrihet edhe në pjesë të tjera të Ballkanit dhe paraqet rrezik për një konflikt më të gjerë. Është e çuditshme që krerët e institucioneve të Kosovës pothuajse nuk merren fare me këtë rrezik, ose duke e nënçmuar rrezikun, ose duke u frikësuar që të ballafaqohen me këtë”, ka thënë ish deputeti i LDK-së Adem Salihaj.

Tahiri: Unë nuk shoh ndonjë rrezik

Image
Ramush Tahiri

Ndërsa, analisti politik Ramush Tahiri, konsideron se nuk ka ndonjë kërcënim serioz nga Serbia për Kosovën, si shtet në tërësi as për veriun e Kosovës në veçanti nga ana e Serbisë.

Sipas tij, kjo për faktin se Kosova është ende në një formë të protektoratit ndërkombëtar me prezencë efektive të NATO-s, në misionin paqeruajtës të KFOR -it.

“Gjithashtu Serbia përveç retorikës së theksuar luftarake nuk tregon ndonjë veprim aventurier luftënxitës apo luftarak karshi Kosovës. Deklaratat e liderëve shtetëror të Serbisë janë në formën se ata do të dinë dhe do të gjejnë formë për të mbrojtur popullsinë serbe në Kosovë nëse ajo rrezikohet dhe nëse KFOR`i si thonë ata nuk është i gatshëm ta kryej detyrën dhe ti mbrojë serbët nëse rrezikohet jeta et si komunitet. Unë nuk shoh ndonjë rrezik për konflikt dhe luftë ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, ka thënë analisti politike Ramush Tahiri.

Haziri: Çdo sulm ndaj Kosovës është sulm ndaj NATO-s

Image
Nexhat Haziri

Opinionisti Nexhat Haziri, ka thënë se kërcënimet që vijnë nga Serbia ndaj Kosovës gjoja me intervenim të ushtrisë, janë vetëm një retorike boshe.

Sipas tij, kjo po iu shërben eksponentëve të politikës zyrtare në Beograd edhe për konsum të brendshëm politik, sidomos tani kur në kryeqytetin serb kemi protesta të vazhdueshme nga opozita.

“Të tillët për ta tërhequr vëmendjen nga problemet e brendshme politike, kanë zgjedhur këtë retorike, e cila mund te nxisë eksese në Kosove, sidomos në pjesën veriore të vendit. Në Kosovë është prania e NATO-s përmes KFOR-it dhe çdo sulm ndaj Kosovës është sulm ndaj NATO-s. Kjo mund të lexohet edhe në deklaratat e komandantit të KFOR-it, i cili dite më parë ka deklaruar se ata janë të gatshëm të përgjigjen në çdo rast nëse cenohet siguria e vendit tonë”, ka thënë opinionisti Nexhat Haziri.

Krasniqi: Nuk bën të neglizhohen kërcënimet e Serbisë ndaj nesh

Image
Faik Krasniqi

Kurse, politologu Faik Krasniqi ka thënë se Kosova gjithmonë ka qenë e kërcënuar nga Serbia, por duke e pasur në krah një shtet si Rusia, ajo është trimëruar akoma më shumë.

“Nuk bën të neglizhohen kërcënimet e Serbisë ndaj nesh, por një gjë duhet ta kuptojmë. Kosova është në mbrojtjen e SHBA-ve, jemi çliruar dhe kemi krijuar shtet falë tyre, dhe një sulm eventual andaj Kosovës do të ishte sulm ndaj SHBA-së dhe NATO-së. Prandaj, nuk besoj që Serbia e merr atë guxim që të futet me forcat e saja ushtarake”, ka thënë Krasniqi.

Ahmeti: Politika hegjemoniste serbe nuk ka ndryshuar karshi Kosovës

Image
Hidajet Ahmeti

Kurse Hidajet Ahmeti ka thënë se, këto deklarata të pamatura dhe të pa analizuara brenda gjuhës së kërcënimit e shantazhit nuk i bëjnë nder as një vendi e posaçërisht Serbisë.

“Në njërën anë Serbia duhet të bëjë kërkim falje për vrasjet, masakrimet, dhunën sistematike, dëmet materiale dhe të pagjeturit e jo të zgjedhë rrugën kërcënimit. Gjuha e kërcënimit nuk i ndihmon logjikës së dialogut në mes shteteve, por as së ardhmes së popujve të të dyja vendeve. Politika hegjemoniste serbe nuk ka ndryshuar karshi Kosovës, pasi Serbia në vazhdimësi po shpërfaqë logjikën e dhunës, kërcënimit e shantazhit”, ka thënë analisti politik Hidajet Ahmeti.

Roshi: Nacionalizmi ekspansionist në Serbi po gërryen mendjen e politikës atje

Image
Artur Roshi

Kurse njohësi i çështjeve politike Artur Roshi ka thënë se Serbisë i ka humbur jo vetëm shansi të kërcënojë Kosovën, por edhe efektet e kërcënimit.

Sipas tij, kërcënimet e Serbisë vijnë si reminishencë e së shkuarës, pasi ato shpesh herë përdoren për konsum publik të brendshëm.

“Është një gabim i madh që Serbia harxhon energji me një gjë që ka vite që e ka humbur, Kosovën si dhe kundër fuqisë supreme botërore të Amerikës. Mbështetja që merr Serbia nga Rusia është gati thjesht morale dhe kundër zhvillimit të vendit. Serbia besoj se e ka konsumuar suksesin në krah të Rusisë si anëtare e kampit të Lindjes, ku varfëroi robëroi për vite me radhë qytetarët e vet, dhe konkluzioni për të ardhmen e saj është ti bindet perëndimit, parimeve dhe vlerave të lirisë. Nacionalizmi ekspansionist në Serbi po gërryen mendjen e politikës atje. Serbia me këto taktika prodhon retorika dhe jo se ka rrezik Kosova”, ka thënë njohësi i çështjeve politike Artur Roshi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat