Profesori ndërkombëtar: Ja çka i tha popullit amerikan Bill Clinton pasi urdhëroi bombardimet kundër Serbisë

Politika

Profesori ndërkombëtar: Ja çka i tha popullit amerikan Bill Clinton pasi urdhëroi bombardimet kundër Serbisë

Nga: N.H Më: 25 mars 2019 Në ora: 09:11
Bill Clinton

20 vjet më parë NATO-ja filloi fushatën e bombardimeve kundër forcave serbe duke shënuar kësisoj fillimin e fundit të luftës në Kosovë.

Fillimi i këtij akti, pasoi kundërshtimet e Serbisë për të nënshkruar marrëveshjet e negociuara në Francë për t’i dhënë fund luftës në Kosovë dhe dështimin e përpjekjeve të përfaqësuesve ndërkombëtar për ta bindur Serbinë.

Për të folur për këtë datë historikë, gazeta “Bota sot”, ka kontaktuar profesor dr. Enver Bytyçi i cili tha se magjia e kësaj ngjarje ndodhi kur presidenti amerikan Bill Clinton iu drejtua kombit amerikan, duke argumentuar pse ai urdhëroi bombardimet e NATO-s kundër Serbisë.

Ndërsa, edhe ka treguar se nga kush po rrezikohet sovraniteti i vendit, shkruan gazeta “Bota sot”.

“Magjia ndodhi kur presidenti amerikan Bill Clinton iu drejtua kombit amerikan, duke argumentuar pse ai urdhëroi bombardimet e NATO-s kundër Serbisë. Në këtë fjalim presidenti amerikan tha se SHBA-të janë përgjegjëse për parandalimin e një katastrofe humanitare në Kosovë, për shuarjen e konfliktit e mospërhapjen e tij, si dhe e cilësoi Kosovën si interes jetik e strategjik të vendit më të fuqishëm të botës. Pas Bill Clinton iu drejtuan kombeve të tyre edhe tre personalitete të tjera të mëdha të kohës, kryeministri britanik, Tony Blair, kancelari gjerman, Gerhard Schreoder dhe presidenti francez Jaques Shirak”, ka thënë Bytyçi.

Ai shton se me rastin e Kosovës u kristalizua një aleancë e fuqishme midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Image
Profesor dr. Enver Bytyçi

“Të gjithë morën përsipër aksionin ushtarak kundër Serbisë për të njëjtat arsye të cilat i theksoi Clinton. Nga ai fjalim i presidentit amerikan u mor vesh se NATO prej këtij momenti do të bëhej roje e paqes dhe stabilitetit në kontinentin evropian dhe më gjerë. U dha mesazhi se diktatorët dhe dhunuesit mizorë të popujve nuk do të toleroheshin në aksionet asgjësuese të popujve, grupeve etnike, fetare etj. U kristalizua një aleancë e fuqishme midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe përfundimisht u kthye shpresa te të gjithë popujt e shtypur se tashmë kishte filluar një epokë e re në të cilën ata und të shpresonin se kishin një mbrojtje të fuqishe nga ana e Aleancës Atlantike”, shtoi ai.

Tutje, profesori ndërkombëtar nënvizon se vendi ishte me fat që për herë të parë në historinë e saj u morë në mbrojtje nga një fuqi ushtarake.

“Kosova ishte me fat që për herë të parë në historinë e saj u morë në mbrojtje nga një fuqi ushtarake dhe politike e pakontestuar në botë. Sulmet e NATO-s, sipas Clinton, kishin si qëllim të dobësonin aftësinë ushtarake dhe politike të Serbisë, nuk drejtoheshin kundër popujve të Jugosllavisë së mbetur, kishin si cak repartet ushtarake e policore si dhe uzinat e prodhimit të armatimit serb. Aksioni ushtarak i NATO-s zgjati 78 ditë, deri më 9 qershor 1999. Gjatë këtij aksioni ushtarak u asgjësuan mbi 100 avionë luftarakë bombardues serbë, 120 tanke dhe u nxor jashtë përdorimit një aerodrom, përveç sa e sa stacioneve ushtarake dhe policore serbe”, nënvizon Bytyçi.

Ai gjithashtu ka folur edhe për kritikat që u bënë, pas këtyre bombardimeve. Gjersa ka treguar edhe disa nga statistika e padëgjuara më parë rreth kësaj ngjarje.

“Bota antiNATO ka bërë një zhurmë të madhe për gjoja dëmet kolaterale të këtyre sulmeve. Por sipas statistikave zyrtare gjatë afër tre muajve bombardimeve të avionëve të NATO-s humbën jetën 556 civilë ndër të cilët 162 ishin shqiptarë të goditur gabimisht në dy raste në konvojet e depërtimit nga Shqipëria prej dhunës serbe. Gazeta Frankfurter Rundschau, Raporti i Krizës Ballkanike dhe dokumente të tjerë bënin me dije se humbjet e shqiptarëve ishin katastrofale. Së paku 13 mijë të masakruar, prej të cilëve 95 për qind civilë të paarmatosur”, tregon ai.

Bytyçi madje ka krahasuar edhe dëmet kolaterale të NATO-s me ato që shkaktoi ushtria e policia serbe kundër shqiptarëve, për të cilat ka thënë se ato vijnë në një disproporcion së paku 1 me 50.

“Pati rreth 5000 të tjerë të zhdukur, nga të cilët 400 serbë., 100 malazezë dhe pjesa tjetër shqiptarë. Duke përshkruar Pejën në fund të luftës, gazetari gjerman, Rolf Pasch, e quante atë Hiroshima e Evropës. U shkatërruan 70 për qind e objekteve dhe shtëpive të banimit të shqiptarëve si dhe u dëbuan nga Kosova ose vendbanimet e tyre mbi 1 milionë shqiptarë. Po të krahasosh dëmet kolaterale të NATO-s me ato që shkaktoi ushtria e policia serbe kundër shqiptarëve, ato vijnë në një disproporcion së paku 1 me 50. Mizoritë serbë kundër shqiptarëve nuk kursyen as gratë e vajzat e Kosovës, 20000 prej të cilave u përdhunuan. Beogradi kishte planifikuar asgjësimin e shqiptarëve, e qëllim serbizimin e Kosovës”, tha ai.

Krejt në fund, Bytyçi ka theksuar se 20 vjet pas kësaj ngjarje historike, pavarësia dhe sovraniteti kërcënohen prej ish-kreut të UÇK-së, sot president i Kosovës, Hashim Thaçit dhe bashkëpunëtorëve të tij si “Baton Stanishiqi”.

“Por ishin bombardimet e NATO-s ato që e shkatërruan forcën ushtarake dhe politike të Serbisë së Milosheviçit. Ndërkohë që Ushtria Çlirimtare e Kosovës u bë aleate e ngushtë e NATO-s, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për çlirimin e vendit nga okupatorët dhe sunduesit serbë të Beogradit. Sot, 20 vjet pas këtyre bombardimeve, Kosova ka shpallur pavarësinë e saj, por ende nuk e ka përfunduar projektin e sovranitetit të plotë të saj. Madje, pavarësia dhe sovraniteti kërcënohen prej ish-kreut të UÇK-së, sot president i Kosovës, Hashim Thaçit dhe bashkëpunëtorëve të tij si Baton Stanishiqi”, ka përfunduar Enver Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat