Mitrovica e Veriut po kolonizohet nga serbët, qeveria dhe BE-ja heshtin

Politika

Mitrovica e Veriut po kolonizohet nga serbët, qeveria dhe BE-ja heshtin

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 25 mars 2019 Në ora: 11:50
Lagjia "Lugina e Diellit" në Mitrovicë

Projekti i quajtur “Lugina e Diellit” në Mitrovicën e Veriut, pothuajse është afër përfundimit dhe në këtë lagje pritet të vendosen rreth 1500 serb, të cilët do të vinë nga Serbia. Ndonëse ky projekt nuk ka as leje për t’u ndërtuar, ai tashmë është në fazat finale.

Për këtë ka reaguar edhe kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili ka kritikuar BE-në për financim të këtij projekti, duke shtuar se serbët të cilët do të vendosen në atë pjesë nuk kanë jetuar asnjëherë në Kosovë, gjë që nuk është rikthim i tyre.

“Përmes këtij projekti do të vazhdoj kolonizimi i veriut me serbë nga Bosnja Kroacia dhe Serbia, për ta ndryshuar strukturën etnike në këtë pjesë të Kosovës. Kjo është e turpshme, e patolerueshme dhe duhet të parandalohet”, ka shkruar ndër tjera Bahtiri.

Gazeta “Bota sot” ka dërguar pyetje në zyrën e BE-së dhe të qeverisë së Kosovës, por asnjëra nuk kanë dashur të flasin për këtë temë.

Barani: Kolonizimi qysh në vitin 2004 ka filluar

Image
Halit Barani

Kryetari i Qendrës Rajonale të KMDLNJ-së në Mitrovicë, Halit Barani ka thënë për “Bota sot” se qeveria e Kosovës asnjëherë nuk u angazhua në kthimin e shqiptarëve në trojet e veta në pjesën e okupuar.

Ai përmend edhe të bëmat e serbëve në atë pjesë.

“Institucionet e Kosovës, përkatësisht Qeveria nuk bëri asgjë për kthimin e shqiptarëve në trojet e veta në pjesën e okupuar. Në atë pjesë ka shumë banesa të shqiptarëve të uzurpuara nga banditët çetnik serbe, disa prej shqiptarëve i kanë shitur shtëpitë dhe banesat në pjesën e okupuar të Mitrovicës sepse nuk kanë pas mundësi të qëndrojnë aty pasi ishte shumë rrezik. Edhe pas lufte në atë pjesë të qytetit ka pas masakra, me 3 dhe 4 shkurt kriminelet çetnik serbë patën vra brenda nëpër banesa të veta 10 shqiptarë pesë femra e pesë meshkuj, në mesin e tyre një fëmijë 13 vjeçar , patën plagosur me armë zjarri 25, patën keqtrajtuar shumë rendë fizikisht rreth 100 shqiptarë pa dallim moshe dhe gjinie, i patën dëbuar me dhunë 1564 familje me 11364 anëtarë. Të gjitha këto janë bërë në prani të ushtarëve të KFOR-it francez dhe policisë së UNMIK-ut . Kryetari, Agim Bahtiri e ka pas shume mirë kur e ka thënë se "Qeveria e Kosovës po i mbyll sytë”, kjo është më se e vërtetë, kolonizimi qysh në vitin 2004 ka filluar dhe dita ditës është duke u realizuar synimi i kamotshëm i Serbisë”, thotë Barani.

Sipas tij, qeveria e Kosovës nuk ka njohuri të shumta rreth gjendjes në Mitrovicë, pasi ata nuk kanë shkuar asnjëherë për ta vizituar atë pjesë. Barani kritikon pushtetin në Kosovë për amnistimin e serbëve të cilët sot po punojnë në institucione të shtetit.

“Qeveria e Kosovës, përkatësisht të gjitha institucionet e Kosovës sy mbyllur janë edhe më herët, por me të madhe prej se u shpall Republika e Kosovës. Edhe aktualisht, për Mitrovicën ata asgjë nuk dinë, ata vetëm çka dëgjojnë përmes mediave sepse absolutisht nuk vijnë me pa për së afërmi gjendjen në Mitrovicë, përkatësisht në pjesën e okupuar të Mitrovicës, përkatësisht Kosovës, ata një herë janë të zënë pas hajnive janë t’u u marrë me njeri tjetrin kush kujt po ka mundësi me ja thënë përpara se është hajn, është kriminel etj. Këta janë që e bënë amnistinë e kriminelëve çetnik serbe dhe i punësuan nëpër institucione të ndryshme shumë të rëndësishme të Kosovës e tash po kërkojnë kriminel në mesin e vetë, të bashkëkombëseve të vet (shqiptarëve) këta po paraqiten të verbër, shurdhër e herë herë edhe shurdh memec”, ka shtuar ai.

Krasniqi: Janë dokumentacionet për gjithë qytetarët e Kosovës që kanë jetuar deri në 1999

Image
Faik Krasniqi

Ndërsa analisti politik, Faik Krasniqi ka kritikuar kryetarin e Mitrovicës për premtime boshe.

“Agim Bahtiri erdhi në pushtet në Mitrovicë me premtime bombastike. Hapjen e 30 mijëra vendeve të punës, dhe ribashkimin e Mitrovicës. Nuk ndodhi asnjëra e as tjetra. Edhe sot bën premtime të tilla që se shpejti do të ndodh ribashkimi i Mitrovicës. Thjesht një demagog dhe shakaxhi i llojit të tij”, është shprehur Krasniqi për “Bota sot”.

Ai shton tutje se nuk çuditet nëse BE-ja po e financon këtë projekt dhe se Institucionet e Kosovës dhe politikanët tanë nuk janë të interesuar për ta ndaluar një gjë të tillë.

“Nuk e di se a është e vërtetë një gjë e tillë e deklaruar nga z. Bahtiri, por edhe nëse është e vërtetë që BE do e bëj kolonizimin e Kosovës me serbë që kurrë nuk kanë jetuar në Kosovë, nuk do të çuditesha fare, sepse BE-ja me kohë na e ka dëshmuar që janë në anën e Serbisë dhe kundër Kosovës. Institucionet e Kosovës dhe politikanët tanë nuk janë të interesuar për ta ndaluar një gjë të tillë, sepse janë të zënë me tendera milionëshe dhe akomodime të familjareve të tyre. Se si duhet të veprojnë institucionet tona është fare e thjeshtë. Janë dokumentacionet për gjithë qytetarët e Kosovës që kanë jetuar deri në 1999. Kush s'ka jetuar këtu s'mund të pajiset me asnjë dokument. Jemi shtet dhe duhet të veprojmë si të tillë”, ka shtuar tutje Krasniqi.

Burjani: Shqiptarët duhet të kthehen në veri në shtëpitë e tyre

Image
Blerim Burjani

E njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani ka thënë për “Bota sot” se vetëm serbët e Kosovës mund të vendoset në ato shtëpi, e nëse ndodh e kundërta, është e papranueshme.

“Vetëm serbët e Kosovës mund të vendosen në këto shtëpi, por jo edhe serbë të krahinës dhe serbë të tjerë të pastrehë në Serbi. Kjo duhet të koordinohet se kush ka të drejtë kthimi. Ka përplot serbë që i kanë shitur pronat e tyre në Kosovë e tash tentojnë sërish të kenë shtëpinë në Kosovë. Këtë nuk duhet lejuar. Është koha e fundit që autoritet e Kosovës të merren seriozisht me këtë temë, pra temën e kthimit. Mos të harrojmë se shqiptarët duhet të kthehen në veri në shtëpitë e tyre ku kanë jetuar me shekuj. Pra një kthim korrekt duhet të ndodhë, nuk mund të financohen projekte që kanë për qëllim kolonizim dhe ndërrim të hartës etnike ,kjo është e pa pranueshme”, ka thënë ai.

Ndryshe, projekti i lagjës së ashtuquajtur “Lugina e diellit”, ka filluar të implementohet në vitin 2016, pa leje të Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, të Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat