Kosova “plaçkë” e bandave kriminale të pushtetit

Politika

Kosova “plaçkë” e bandave kriminale të pushtetit

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 28 mars 2019 Në ora: 07:59
Foto ilustruese "Bota sot"

Institucionet shtetërore të vendit nuk kanë vepruar asgjë në parandalimin e mbi 170 mijë të rinjve nga Kosova të cilët kanë lëshuar vendin vitet e fundit. Kjo për faktin se këtyre të rinjve nuk iu ofrua asnjë mundësi punësimi dhe perspektive në tokën e tyre, nga krerët e Institucioneve.

Këta të fundit, pas punësimit të familjarëve të tyre, nuk iu bëhet vonë për ata që marrin rrugën në tokën e huaj, për një jetë më të mirë.

Madje, krerët e shtetit, përveç se nuk kanë vepruar asgjë në parandalimin e largimit të tyre, kanë dhënë edhe deklarata boshe se kinse largimi i të rinjve është tradhti ndaj kombit.

Njohësit e çështjeve politike, vlerësojnë se deklaratat politike, se largimi i të rinjve është tradhti ndaj kombit, janë qesharake të kohës së Rilindjes njëqind e pesëdhjetë vjeçare.

Sipas tyre, largimi i qytetarëve është stimuluar nga Institucionet e Kosovës pasi me largimin e qytetarëve kryesisht të rinj, ata kanë zvogëluar presionin ndaj vetës, meqë është zvogëluar edhe papunësia. Ata konsiderojnë se ndalja e kësaj dukurie bëhet vetëm me një zhvillim të mirëfilltë ekonomik të vendit, i cili me automatizëm do të krijoj vende të reja pune.

Isufi: Koha e fundit që të zbutet kjo gjendje alarmante

Image
Ahmet Isufi

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Ahmet Isufi, ka thënë për “Bota sot” se ikja e të rinjve është një dukuri që fatkeqësisht po e përcjellë vendin tonë për shumë dekada.

Sipas tij, përveç dëmeve që janë shkaktuar nga paralufta, e sidomos shkatërrimi ekonomik gjatë luftës, kanë bërë që me vështirësi të rimëkëmbet vendi dhe të mundësohet punësimi dhe të hapet perspektiva e të rinjve.

“Marrë parasysh edhe dukuritë negative që e kanë përcjellë shoqërinë tonë përmes korrupsionit, krimit të organizuar, familjarizimit etj e kanë mbytur shpresën e tyre për ditë më të mira. Tani është koha e fundit që përmes një plani strategjik për të vënë rend dhe ligj dhe për ti dhënë prioritet zhvillimit ekonomik përmes programeve konkrete dhe ofrimit të mundësive për investime mund të zbutet kjo gjendje alarmante. Meqenëse, Qeveria Haradinaj këtë vit e ka shpallur vit të ekonomisë, atëherë duhet që gjithë kapaciteti intelektual e profesional të vihet në shërbim përmes veprimeve konkrete duke dhënë sinjalet e para të ndryshimit të gjendjes për hapjen e perspektivës për gjeneratën e re, e cila meriton të jetojë e të punojë dinjitetshëm në vendin e vet,” ka thënë deputeti Ahmeti.

Makolli tregon pse po shtohet “armata e të papunëve”

Image
Vesel Makolli

Kurse, sekretari i Përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli, ka thënë se largimet e të rinjve nga Kosova, vijnë shkaku i papunësisë, madje ky fakt është shqetësues dhe duhet të alarmohen të gjitha strukturat shtetërore.

“Qysh nga çlirimi janë bërë hapa të gabuar sidomos gjatë privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore dhe nga gjithë ato ndërmarrje që kanë punësuar dhjetëra mijëra punëtor nuk ka mbetur thuajse asnjë repart prodhues, por shumicës absolute ju ka ndërruar destinacioni në objekte tjera jo prodhuese. Nga ana tjetër, shkaku i shumë rrethanave që kanë mbretëruar në vend kanë penguar thithjen e investimeve të huaja, të cilat janë jetike për hapjen e vendeve të reja të punës. Kjo situatë ka ndikuar që çdo vit “armata e të papunëve” të shtohet . Çdo i ri ëndërron një punësim adekuat i cili do i mundësoj kushte për një jetës normale dhe për krijimin e familjes. Në pamundësi që të punësohen në Kosovë, të rinjtë ja mësyjnë vendeve perëndimore për të siguruar ekzistencën e tyre dhe të familjeve të tyre”, ka thënë Makolli.

Sipas tij, ndalja e kësaj dukuritë bëhet vetëm me një zhvillim të mirëfilltë ekonomik të vendit, i cili me automatizëm do të krijojë vende të reja pune.

“Institucionet e shtetit tonë si dhe partitë politike duhet që primare dhe shumë urgjente ta kenë krijimin e kushteve për thithjen e sa më shumë investimeve të huaja edhe krijimin e sa me shumë vendeve të reja të punës. Për të arritur këtë qëllim, i cili do të nënkuptonte edhe ndaljen e shpërnguljes së rinisë tonë, duhet t`i mënjanojmë dukuritë negative siç është korrupsioni, nepotizmi dhe punësimi pa meritokraci. Po ashtu, krijimin e kushteve sa më të favorshme dhe pa asnjë barrierë për investitorët e jashtëm, të cilët janë të interesuar të investojnë në vendin tonë duke u bazuar në fuqinë kualitative punëtore që ekziston”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm në AKR, Vesel Makolli.

Salihaj: Me këtë dinamikë të ikjes së të rinjve, Kosovën e pret vdekja e ngadalshme

Image
Adem Salihaj

Kurse, ish deputeti i LDK-së Adem Salihaj, ka thënë se Institucionet e korruptuara dhe të kriminalizuara të Kosovës, e kanë thyer çdo shpresë dhe besim të rinisë sonë.

Sipas tij, nuk është vetëm papunësia dhe gjendja e keqe ekonomike ajo që po ndikon në largimin masiv të të rinjve nga Kosova, sepse edhe vendet e rajonit nuk janë shumë më mirë ekonomikisht.

“Problemi qëndron në faktin se të rinjtë e kanë humbur besimin se diçka e mirë mund të ndodhë në të ardhmen e afërt në Kosovë. Siç e dini, partitë në pushtet po sillen si banda kriminale, duke e trajtuar çdo aset të Kosovës si plaçkë të tyre, të cilën ata mund ta shfrytëzojnë për nevoja të tyre e të familjarëve të tyre. Por, jo vetëm kaq. Ata po e zgjerojnë rrethin, duke pushtuar të gjitha institucionet publike dhe duke i shndërruar ato në prona private të familjes, farefisit e partisë së tyre. Në këtë mënyrë më as partitë nuk e kanë karakterin e partive, por janë shndërruar në banda plaçkitëse. Nëse vazhdon kjo dinamikë e largimit masiv të të rinjve, atëherë Kosovën e pret vdekja e ngadalshme dhe nuk do të na duhet asnjë armik i jashtëm për të na shkatërruar”, ka thënë deputeti Salihaj.

Abazi: Ikja apo largimi bëhet e vetmja derë e dinjitetshme për jetë më të mirë
 

Image
Haki Abazi

Kurse, analisti politik Haki Abazi, ka thënë për “Bota sot” se largimi i numrit të madh të banorëve nga Kosova është indikatori i dështimit të institucioneve të Kosovës.

“Pak vende pune, e shumë ikje, sepse njerëzit nuk duan të qëndrojnë këtu. Andaj me të drejtë mund të themi se largimi i qytetarëve është stimuluar nga Institucionet e Kosovës, pasi me largimin e qytetarëve kryesisht të rinj ata kanë zvogëluar presionin ndaj vetës, meqë është zvogëluar papunësia. Dhe të gjitha premtimet që kanë bërë në fushata elektorale janë të paplotësuar, realizimi i liberalizmit të vizave ka dështuar, investimet direkte për përmirësimin e ekonomisë dhe hapjen e vendeve të reja të punës kane dështuar plotësisht”, ka thënë Abazi.

Sipas tij, po ashtu kanë dështuar edhe investimet kapitale nga qeveria qendrore dhe ato lokale të cilat janë në nivele shumë të ulët.

“Prishtina p.sh ka shpenzuar vetëm 40% të buxhetit për investime kapitale që do të duhej të stimulonte ekonominë lokale dhe ndërmarrjet e vogla e të mesme të rrisin kapacitetin dhe të krijojnë vende të reja të punës. Pushtetarët janë të zënë me privilegjin e pozitës për tu pasuruar për vete, dhe nuk e kanë brengosjen e qytetarëve dhe rrjedhimisht ikja apo largimi bëhet e vetmja derë e dinjitetshme për jetë dhe në kërkim të kushteve më të mira”, ka thënë analisti politik Haki Abazi.

Zogaj: Ikjet e rinisë do të bëhen edhe më masive

Image
Skender Zogaj

Analisti politik Skender Zogaj, ka pohuar se Kosova është duke e ndjekur besnikërisht modelin e Shqipërisë Londoneze, që edhe pas 107 vitesh të shpalljes së shtetësisë, nuk po mund të bëhet shtet i lirë dhe as i pavarur për shkak të kapjes së shtetit nga strukturat kriminale.

Ai ka thënë se njësoj po ndodh edhe me institucionet shtetërore të Kosovës që janë bërë servis të makinerisë kriminale, e cila ka mbërthyer çdo gjë dhe po ia thithë gjakun popullit, duke ia venitur çdo shpresë për një jetë më të mirë.

“Shifrat zyrtare thonë 170 mijë, por në fakt në 12 vitet e kaluara nga Kosova janë larguar 250 mijë shqiptarë dhe së paku 100 mijë të tjerë do të ishin larguar që sot sikur t’u jepej mundësia. Pra, kemi një gjendje krize alarmante, me pasoja të pallogaritshme kombëtare, që është më e keqe se çdo lloj tradhtie. Aparati nepotik shtetëror si meduzë i ka mbërthyer të gjitha institucionet të cilat janë të preokupuara me interesat e veta të ngushta përfituese dhe aspak me hallet e shtetasve që po shkojnë drejt varfërisë së skajshme. Rinia e ka humbur çdo shpresë, sepse në Kosovë nuk mund të fitojë as bukën e gojës prandaj po ik. Dhe ikjet e rinisë do të bëhen edhe më masive, ngase vet shteti është i interesuar që të rinjtë të largohen sepse kjo është mënyra më e lehtë e zgjidhjes së problemit”, ka thënë analisti politik Skender Zogaj.

Mehazi: Tradhti kombëtare është nepotizmi e jo largimi i rinisë për jetë më të mirë

Image
Sulejman Mehazi

Kurse njohësi i çështjeve politike profesor, Sulejman Mehazi, ka thënë se largimin e mbi 170 mijë të rinjve të Kosovë vetëm për disa vite, se ka bërë as pushteti serb gjatë sundimit gjysmë shekullor.

Sipas tij, deklaratat politike, se largimi i të rinjve është tradhti ndaj kombit, janë qesharake të kohës së Rilindjes njëqind e pesëdhjetë vjeçare.

“Ç ‘është kjo gjëmë gjysmë mortore, rininë shqiptare se mban vendi i vet e me vrap ikin e largohen nga Kosova si viktimat e frikësuar nga politikanët e egërsuar shqiptarë. Nëse politika Serbe e Çubrilloviqit dhe Rankoviqit shqiptarët i largonin me dhunë e terror në Turqi, politikanët tanë shqiptarë dalin trefishë më armiqësor ndaj vet shqiptarëve, këta s'japin dhunë fizike, po dhunë të brendshme të pashërueshme e të dhimbshme psikike-psikologjike shpirtërore. Për post modernen e sotme mendërisht tradhti kombëtare e klasit të parë është nepotizmi e familjarizmi e jo largimi i rinisë për jetë më të mirë. Rinia e sotme shqiptare s'është e mentaliteve romantike të Rilindjes Kombëtare, ku balta e vendlindjes ishte më e ëmbël se mjalta, por e jetës së qetë shpirtërore, sociale e ekonomike. Vendlindje e vërtetë e globalizmit të sotëm është të jetuarit mirë e jo balta ku kemi lerë. Për disa vite të largohen 170 mijë njerëz e ka kuptimin e humbjeve dhe zhdukjeve të tre qyteteve të Kosovës me mbi 50 mijë banorë. Pse kështu, cilët janë fajtorë? Dihet dhe e qartë është se fajtor ordinar për largimin e rinisë janë politika nepotiste e udhëheqësve shtetëror. Rinia ambicioze dhe e ndershme shqiptare s'mund ta durojë jetën e mirë të fëmijëve nepotistë”, ka thënë njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat