Ndalohen me ligj lojërat e fatit në Kosovë

Politika

Ndalohen me ligj lojërat e fatit në Kosovë

Më: 28 mars 2019 Në ora: 09:32
Foto ilustruese

Me një projektligj të veçantë, qeveria e Kosovës ndalon lojërat e fatit. Ligji pritet të miratohet në seancë të jashtëzakonshme në Kuvend. 20 milionë euro në vit kanë hyrë në buxhetin e Kosovës nga këto të ardhura.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës kërkesën për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme lidhur me Projektligjin për ndalimin e lojërave të fatit në territorin e Kosovës. Kjo kërkesë u bë pas miratimit nga qeveria të një ligji që ndalon lojërat e fatit, projektligj ky që pason një rezolutë të Kuvendit  për këtë çështje, pas disa incidenteve në disa kazino ku pati edhe të vrarë. 

"Pas diskutimit dhe procedimit nga ana e qeverisë për në Kuvendin e Kosovës të projektligjit për ndalimin e lojërave të fatit, sot e kam dërguar në Kuvendin e Kosovës, kërkesën për seancë të jashtëzakonshme më datë 3 Prill 2019 për shqyrtimin e këtij projektligji”, njoftoi kryeministri Ramush Haradinaj.

Shfuqizohet Ligji për Lojërat e Fatit

Image
Ramush Haradinaj

Sipas projektligjit që tashmë është dërguar në Kuvend "ndalohen të gjitha lojërat e fatit me përjashtim të Lotarisë së Kosovës dhe shfuqizohet Ligji për Lojërat e Fatit dhe aktet nënligjore që janë nxjerrë për zbatimin e tij. Ligji do të hyjë në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në "Gazetën Zyrtare” të Republikës së Kosovës”, thotë kryeministri Ramush Haradinaj. Pesë ditë më parë ndërkaq, Kuvendi i Kosovës me 74 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, miratoi një rezolutë ku u tha se, "me anë të kësaj rezolute pezullohet çdo aktivitet i lojërave të fatit deri në plotësim-ndryshimin e ligjit përkatës”.

"Brenda 30 ditësh sipas rezolutës Qeveria e Kosovës obligohet që të sjellë ligjin e ri për mbylljen e kazinove dhe lojërave të fatit për një periudhë dhjetëvjeçare”, thuhej në tekstin e rezolutës. Por, qeveria nuk priti 30 ditë, por, e miratoi shumë shpejt ligjin që ndalon lojërat e fatit dhe  e procedoi në Kuvend për shqyrtim dhe miratim. Këto nisma për mbylljen e lojërave të fatit në Kosovë, u bënë pas dy vrasjeve që ndodhën në dy kazino në dy qytete të Kosovës, ku dy persona mbetën të vrarë.

Mbyllen 200 lokale të lojërave të fatit

Ndonëse, ligji akoma nuk është miratuar në kuvend, policia u vu në veprim, ku brenda një nate mbylli mbi 200 lokale të lojërave të fatit dhe konfiskoi aparate të ndryshme të kësaj veprimtarie. "Gjatë këtij plani janë kontrolluar 235 lokale të ndryshme dhe me vendim të Administratës Tatimore të Kosovës, (ATK) 222 prej tyre janë mbyllur. Gjithashtu gjatë këtij plani janë sekuestruar 202 aparate të ndryshme të lojërave të fatit, një tavolinë rolet, 32441 €, 850$, 150 Franga”, thuhej në një njoftim të policisë.

Shoqata e lojërave të fatit reagon

Mirëpo, pas këtij aksioni, rezolutës së kuvendit dhe projektligjit të qeverisë që ndalon lojërat e fatit, ka reaguar shoqata e lojërave të fatit, duke akuzuar deputetët sic thonë "vetëm për përfitime politike”. Sipas tyre që pas lufte (përveç këtyre dy rasteve të vrasjeve), nuk ka pasur asnjë rast të krimeve në bizneset e lojërave të fatit.

Image

"Nën presionin e fortë të politikës dhe grupeve të caktuara të interesit, industria e lojërave të fatit po konsiderohet sikurse të ishte gjëja më e shëmtuar që t'i ketë ndodhur këtij vendi. Në vend të krijimit të një sigurie më të madhe për palët, tendencat për të denigruar aktivitetin e lojërave të fatit, janë të pa pranueshme për Shoqatën e Lojërave të Fatit. Sipas kësaj shoqate, "nga përvojat e vendeve të ndryshme në rajon dhe në botë, tentimi për t'i mbyllur dhe larguar nga tregu i punës gjitha lojërat e fatit, pa ndonjë analizë dhe studim të mirëfilltë paraprak, ka rezultuar me pasoja të mëdha aspektin ekonomik dhe atë shoqëror”.

"Mbyllja e lokaleve të lojërave të fatit pa as edhe një paralajmërim është shenjë se kemi një sistem të brishtë, të paaftë për të kontrolluar një veprimtari ekonomike e cila lejohet dhe mbikëqyret në të gjitha ekonomitë e tregut të lirë. Përderisa një kategori e njerëzve dhe sipërmarrësve në Kosovë, këtë industri e kanë burim të të hyrave të vetme, në anën tjetër ka edhe të atillë që për kauza populiste propozojnë rezolutën për pezullimin e aktivitetit të lojërave të fatit”, thuhet në reagim. Një avokat i njohur në Kosovë, Arianit Koçi, ka thënë se "me vendimin ad-hoc për ndalimin e lojërave të fatit, pa u miratuar ligji në Kuvendin e Kosovës,  është krijuar bazë që të paditet shteti”. "Ka biznese që kanë investuar sepse ka qenë një ligj. Të mbyllen brenda natës, është kundërligjore. Në lojëra të fatit shumica e investitorëve janë të huaj. Me ndalim të lojërave të fatit do të zhvillohet informaliteti”, ka thënë avokati Arianit Koci.

Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, akciza për aparatet e lojërave të fatit në Kosovë ka qenë e lartë dhe buxheti i shtetit brenda vitit ka inkasuar afër 20 milion euro nga kjo veprimtari. Ndërsa, 50 milionë euro llogaritet të jetë qarkullimi vjetor.   /DW/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat