“Dele e zezë” për Bashkimin Evropian

Politika

“Dele e zezë” për Bashkimin Evropian

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 28 mars 2019 Në ora: 14:37
Foto ilustruese "Bota sot"

Prej vitesh ka premtime për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Por, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur. Derisa BE shoi shpresat për liberalizim deri në vitin 2020, krerët e shtetit vazhduan me deklarata se kjo do të ndodhë brenda këtij viti, duke përmendur muajin qershor si afat kohor.

E së fundmi, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se është vështirë tu besohet evropianëve për shkak të liberalizimit të vizave.

“Qysh me iu besu evropianëve, se një herë na thanë dialogun, e tash na thonë taksën, kushedi çka na thonë më tutje, u bë pak zor me iu besuar atyre, se a është e vërtetë kjo që thotë zonja në fjalë. Është problem se zonja Mogherini, shefat e saj kanë ardhur këtu dhe kanë thënë përfundoni këtë se e keni liberalizimin. Megjithatë, ne po punojmë rreth kësaj teme, pra në shumë drejtime, tani Presidencën e BE-së e ka Rumania, është pozitive sa i përket kësaj teme dhe pastaj e merr Finlanda. Tani i kanë edhe disa detyra në parlament, por... mbajmë shumë shpresë që do të vijnë dita pra”, ka thënë Haradinaj.

Kryeziu: Nuk duhet të përmenden datat

Image
Taulant Kryeziu

Lidhur me këtë dhe se a mund t’i besohet Bashkimit Evropian apo deklaratave të zyrtarëve të shtetit për afat kohore për heqjen e vizave, Taulant Kryeziu nga Instituti EPIK, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Kosova ka humbur shumë sa i përket procesit të liberalizimit të vizave dhe kjo për shkak të mungesës së konsensusit të spektrit politik për demarkacionin.

“Sa i përket procesit liberalizimit vizave, Kosova ka humbur shumë kohë për arsye tërësisht politike. Ne kemi humbur momentumin pozitiv që ekzistonte në vitin 2016 për shkak mungesës së konsensusit të spektrit politik lidhur me çështjen e demarkacionit, i cili i ka kushtuar qytetareve te Kosovës tre vite bllokadë dhe izolim.Për më tutje, në shtator 2018 Parlamenti Evropian votoi pro nisjes së negociatave mes Parlamentit, Këshillit të BE-së dhe Komisionit Evropian për të siguruar lëvizje e lirë për qytetarë e Kosovës. Prandaj, Kosova është me një situatë ku dy institucionet e BE-së: Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian vlerësojnë që Kosova ka përmbush gjithë kriteret për liberalizimin e vizave.Sidoqoftë, përkundër vlerësimit të Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian, vendet Anëtare të BE-së apo Këshilli i BE-së nuk është duke e ndarë vlerësimin e njëjte me dy institucione të cekura.I gjithë ky regres në fushën e sundimit të ligjit është element shtese qe ka thelluar skepticizmin e vendeve anëtare dhe ka bllokuar procesin e liberalizimit të vizave”, ka thënë ai.

Sipas Kryeziut, institucionet e Kosovës nuk duhet të përmendin data rreth liberalizimit të vizave por të përkushtohet në përmbushjen e kushteve dhe kështu mund të kthehet në agjendën e BE-së. Dhe së dyti, Kryeziu thotë se duhet të tregohen rezultate konkrete nga sistemi i drejtësisë, në trajtimin e suksesshëm të rasteve të profilit të lartë të korrupsionit.

Mazrreku: Politika e BE-së nuk ka qenë e drejtë

Image
Avni Mazrreku

Kurse, profesori Avni Mazrreku, shpjegon se është e ditur që problemi qëndron tek BE, pasi vendimi merret nga Këshilli i Ministrave dhe pesë vende ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet dhe për këtë BE ka vendosur kritere të dyfishta për Kosovën.

“Problemi qëndron tek Bashkimi Evropian kryesisht pasi vendimi merret nga BE, përkatësisht nga Këshilli i Ministrave të BE-së, konfiguracioni i ministrave të brendshëm. Dihet mënyra se si merret vendimi për liberalizimin e vizave kur dihet fakti se pesë vende të BE-së nuk e kanë njohur Kosovën, aktivizimi i asaj që quhet minorancë bllokuese për Kosovën është shumë i mundshëm dhe normalisht vendimi mund të rezultojë negativ. Duke qenë të vetëdijshëm, BE për këtë fakt, ka vendosur dhe kritere të dyfishta për Kosovën sa i përket liberalizimit të vizave, vetëm sa i përket liberalizimit”, ka thënë ai.

Sipas Mazrrekut, problemi kryesor është tek mungesa e kapaciteteve vendimmarrëse të BE-së, duke qenë se BE nuk e njeh Kosovën si etnitet të pavarur.

“Prandaj, problemi qendror që kanë tek rasti apo mungesa e kapaciteteve vendimmarrëse të BE-së, sa i përket rastit të Kosovës, Kosova ende nuk është njohur si entitet i pavarur, si shtet i pavarur nga ana e Bashkimit Evropian dhe problemi është më shumë politik se sa teknokratik, siç do të duhej të ishte procesi i liberalizmit të vizave”, ka vlerësuar profesori.

Ndërsa, sa i përket institucioneve të Kosovës, ai vlerëson se ato nuk e kanë kuptuar se si funksionon mënyra e BE-së, andaj të gjitha kanë qenë të gabuara deri tash, pasi janë bazuar nëpremtimet e teknokratëve të BE-së, ndërsa që nuk kemi parë një politikë efektive lobuese që të sigurohen votat pro një vendimi pozitiv.

“Sa i përket institucioneve të Kosovës, Ministrisë së Integrimeve, Ministrisë së Jashtme dhe mekanizmave të tjerë institucional që kanë të bëjnë me politikën e jashtme të Kosovës, ato nuk e kanë kuptuar siç duket drejtë se si funksionon mënyra e BE-së. Prandaj, të gjitha politikat dhe veprimet gjykuese të këtyre digastereve në Kosovë, kanë qenë të gabuara deri më tash, duke u bazuar në premtimet eventuale të teknokratëve të BE-së, kur dihet se teknokratët e BE-së, siç janë Mogherini, Hahn e të tjerë, ata nuk janë njerëz që marrin vendim për liberalizim të vizave, vendim marrin shtetet e BE-së dhe ne deri më tani nga Ministria e Jashtme nuk kemi parë një politikë efektive lobuese se si ato sigurohen që shtetet do të votojnë pro një vendimi pozitiv për Kosovën dhe kjo është çështja sa i përket liberalizimit të vizave për vendimin e tij”, ka vlerësuar Mazrreku.

Ai përmend dhe rastin e demarkacionit, qëështë vënë si kriter që nuk është vendosur për asnjë shtet tjetër pos Kosovës, duke shtuar se i tërë problemi është tek mungesa e aftësisë së kapaciteteve të BE-së për vendimmarrje.

“Bashkimi Evropian ka mungesë të kapaciteteve vendimmarrëse sa i përket Kosovës, ka vendosur kritere në shumë raste të dyfishta, duke e arsyetuar mos marrjen e vendimit me mos plotësimit të kritereve. Mirëpo, krahasuar rasti, p.sh rasti i Kosovës me vendet e tjera, kuptohet se kjo politikë nuk ka qenë e drejtë, p.sh në qoftë se e marrim si kontekst simbolik të shpjegimit, për një kohë shumë të gjatë është marrë si kriter procesi i demarkimit të kufirit me Malin e Zi, ky kriter nuk ka ekzistuar për vendet e tjera dhe ka ende probleme të hapura nga vendet anëtare të BE-së, probleme kufitare, prandaj vendosja e këtyre kritereve e ka ilustruar atë që unë po e quaj mungesë e kapaciteteve të BE-së për të marrë vendime politike për Kosovën. Kosova jo vetëm për liberalizim të vizave por në çdo drejtim tjetër, kur është në pyetje marrja e një vendimi politik nga BE, e ka këtë problem, pra problemin e mosnjohjes nga ana e BE-së, d.m.th, Bashkimi Evropian ende nuk e njeh statusin e Kosovës si shtet sovran, prandaj krejt këto janë rrjedhë e këtij problemi”, ka deklaruar profesori Avni Mazrreku për “Bota sot”.

Blakaj: Lëvizja e lirë është kthyer në dramë për qytetarët e Kosovës

Image
Sami Blakaj

Ndërsa, njohësi i integrimeve evropiane, Sami Blakaj, ka thënë për “Bota sot” se Qeveria e Kosovës ka marrë një kurs të partneritetit të plotë me Bashkimin Evropian dhe tashmë kërkon përgjegjësi nga BE, gjë që nuk i shërben raporteve të mira me BE-në.

”Diskursi anti-evropian i krijuar në Kosovë është një arsye më tepër për ngecjen e Kosovës në integrimet evropiane. Qeveria e Kosovës ka marrë një kurs të partneritetit të plotë me Bashkimin Evropian dhe tashmë po sillet si palë që kërkon në vazhdimësi përgjegjësi nga Bashkimi Evropian. Ky kurs i udhëheqjes politike nuk i shërben raporteve të mira me BE-në, përkundrazi e dëmton procesin dhe rritë pakënaqësinë e shteteve anëtare, sidomos të atyre shteteve që mbështesin fuqishëm evropianizimin e Kosovës”, është shprehur Blakaj.

Ndërsa, sa i përket BE-së, ai thotë se nuk duhet t’i ikë përgjegjësisë për ngecjet për liberalizimin e vizave, pasi lëvizja e lirë është bërë dramë për qytetarët e Kosovës, për shkak të paaftësisë së Këshillit të BE-së që ta procedojë vendimin për liberalizimin e vizave.

“Në anën tjetër edhe institucionet e Bashkimit Evropian nuk mund t'i ikin përgjegjësisë për ngecjet në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Një e drejtë elementare si lëvizja e lirë është kthyer në dramë për qytetarët e Kosovës si pasojë e dështimit të BE-së që ta përfundojë procesin e konfirmuar nga Komisioni dhe Parlamenti Evropian. Paaftësia e Këshillit të BE-së që ta procedojë vendimin për liberalizimin e vizave është jo vetëm padrejtësi ndaj qytetarëve të Kosovës, por edhe mesazh dekurajues për Kosovën dhe rrugëtimin e saj integrues”, ka deklaruar Sami Blakaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat