Mos paditja e Serbisë për krime lufte, dështimi më i madh institucional i pasluftës

Politika

Mos paditja e Serbisë për krime lufte, dështimi më i madh institucional i pasluftës

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 28 mars 2019 Në ora: 22:55
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Edhe 20 vjet pasluftës, qeverisja aktuale deri më tani zyrtarisht nuk ka përgatitur asnjë mjet juridik me të cilin do të fajësonte Serbinë për gjenocidin e kryer në luftën e fundit, shkruan gazeta “Bota sot”.

Vetëm në vitin 2013 “Qeveria Thaçi II” themeloi Institutin për Krime të Luftës, institucion i cili deri më sot nuk ka njoftuar për ndonjë ndërmarrje serioze në këtë drejtim.

Opozita është e mendimit se kjo çështje është dështimi më i madh institucional pasluftës. Sipas tyre, përkundër krimeve më makabre në civil nga shteti serb, këto po barazohen me vrasjen e disa dhjetëra serbeve nga njerëz të panjohur dhe jo nga ushtria e rregullt.

Ndërsa, në anën tjetër, shoqëria civile shprehet se Kosova nuk është se nuk ka pasur fakte e dëshmi që ligjet ndërkombëtare do t’i njihnin si krime të luftës të kryera nga ana e Serbisë ndaj Kosovës, por që për këtë Kosova dhe institucionet e saja nuk kanë punuar sa duhet.

Lidhur me këtë, gazeta “Bota sot” ka dërguar pyetje me shkrim në adresë të Qeverisë, por zyrtarët e këtij institucioni deri më tani nuk kanë dhënë një përgjigje konkrete.

Avdyli: Dështimi më i madh institucional

Image
Haxhi Avdyli

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Haxhi Avdyli, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se kjo çështje është dështimi më i madh institucional i pasluftës.

Avdyli nënvizon se përkundër krimeve më makabre në civil nga shteti serb, këto po barazohen me vrasjen e disa dhjetëra serbeve nga njerëz të panjohur dhe jo nga ushtria e rregullt.

“Dështimi më i madh institucional pasluftës është mospuna e jonë për argumentimin e krimeve serbe. Sikur na zuri gjumi , sikur pritem që shtetet mike do t’i kryejnë te gjitha punët tona. Sot, përkundër krimeve më makabre në civil nga shteti serb po barazohen me vrasjen e disa dhjetëra serbeve nga njerëz të panjohur dhe jo nga ushtria e rregullt”, ka thënë Avdyli.

Tutje, deputeti opozitar shton se për këtë faji mbetet te institucionet, sepse, sipas tij, shumë nga udhëheqësit e luftës kishin hallin e pasurimit të vetës.

“Prandaj, mos të çuditemi që ne vend të kemi Gjykatë Speciale për dënimet e krimeve serbe kemi Gjykate Speciale kundër qytetarëve të Kosovës. Dhe faji mbetet te institucionet tona, sepse shumë nga udhëheqësit e luftës kishin hallin e pasurimit të vetës e jo këto çështje”, ka përfunduar deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli, për gazetën “Bota sot”.

Maloku: Dialogu i Kosovës me Serbinë në Bruksel e ka zhvleftësuar çdo gjë

Image
Albinot Maloku

Ndërsa, politologu Albinot Maloku, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Kosova nuk është se nuk ka pasur fakte e dëshmi që ligjet ndërkombëtare do t’i njihnin si krime të luftës të kryera nga ana e Serbisë ndaj Kosovës.

Ai kujton se Qeveria e Kosovës e kishte themeluar edhe Institutin për Hulumtimin e Krimeve.

“Kosova nuk është se nuk ka pasur fakte e dëshmi që ligjet ndërkombëtare do t’i njihnin si krime të luftës të kryera nga ana e Serbisë ndaj Kosovës, por që për këtë Kosova dhe institucionet e saja nuk kanë punuar sa duhet. Qeveria e Kosovës kishte themeluar Institutin për Hulumtimin e Krimeve, i cili si institucion do të mund të ishte më i ngarkuari e më i angazhuari me punë, mirëpo për punën e këtij institut sikur nuk u dëgjua edhe aq”, ka thënë Maloku, për gazetën “Bota sot”.

Politologu me tej shton se dialogu i Kosovës me Serbinë në Bruksel e ka zhvleftësuar çdo gjë mes palëve dhe si pasojë e kësaj edhe çështja e fajësimit zyrtar të Serbisë si palë kriminale në luftën e Kosovës nuk është fut në rend të ditës.

“Të gjitha mbledhjet e fakteve për krimet e Serbisë në Kosovë kanë qenë individuale me ndonjë përkrahje tek-tuk. Dialogu i Kosovës me Serbinë në Bruksel e ka zhvleftësuar çdo gjë mes palëve dhe si pasojë e kësaj edhe çështja e fajësimit zyrtar të Serbisë si palë kriminale në luftën e Kosovës nuk është fut në rend të ditës. Bashkimit Evropian i ka konvenuar një mbyllje e këtyre temave, kurse Serbia nuk ka lënë vend për temat si dëmet e luftës, të pagjeturit, pranimi i fajësisë, heqja dorë nga ndjekja e qytetarëve të Kosovës e të tjera tema të ngjashme”, ka thënë politologu Maloku për gazetën “Bota sot”.

Haziri: Po e sjellim vetën në një situatë të palakmueshme

Image
Nexhat Haziri

Në anën tjetër, analisti politik, Nexhat Haziri, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se këtë nuk do ta konsideronte sikur një neglizhencë të institucioneve të Kosovës që nga pavarësimi, por si diçka të qëllimshme.

“Nuk do ta quaja këtë si një neglizhencë të institucioneve të Kosovës që nga pavarësimi i vendit që nuk bënë asnjë padi ndaj Serbisë për krimet e bëra ndaj popullit shqiptar në Kosovë gjatë luftës. Kjo u bë me qëllim, pasi në krime lufte dhe ato të pasluftës janë të involvuar edhe disa nga komandantët të konvertuar në politikan pasluftës në Kosovë dhe sikur i bënë llogaritë që duke mos paditur Serbinë, për krime të luftës, do ju falen edhe krimet eventuale të bëra nga ta gjatë luftës, por edhe pasluftës, siç është rasti me vrasjet politike, por edhe ato në pjesë të caktuar të Kosovës për qërim hesapesh për të kontrolluar këto territore dhe veprimtarinë e tyre antiligjore. Pra, sikur u bënë një far ujdie që as ne për ata, e as ata për ne”, ka thënë Haziri.

Ai shton në fund se me mos trajtimin e çështjes së krimeve të ushtrisë dhe policisë së Serbisë ndaj popullit shqiptar në Kosovë, po e sjellim vetën në një situatë të palakmueshme.

“Dhe natyrisht kjo i ka kushtuar Kosovës, pasi krimet e Serbisë në Kosovë janë shumëfishë më të mëdha dhe kjo çështje ka mbetur peng i ''ujdisë'' së liderëve shtetëror të Kosovës që dikush kanë qenë komandantë të lartë në hierarkinë komanduese të UÇK-së. Ne përpos numërimit të vrasjeve, masakrave, nuk dimë edhe dëmin ekonomik që Serbia ia ka shkaktuar Kosovës jo vetëm gjatë luftës, por edhe gjatë periudhës së okupimit dhe kjo padyshim se është një humbje e madhe për Kosovën, por edhe një mjegull në atë se kush është agresori e kush është viktima. Pra, me mos trajtimin e çështjes së krimeve të ushtrisë dhe policisë së Serbisë ndaj popullit shqiptar në Kosovë, po e sjellim vetën në një situatë të palakmueshme”, ka përfunduar Haziri për “Bota sot”.

Ndryshe, të martën mes plagësh e lotëve që u rridhnin, përzier me ndjenja krenarie, banorët e Krushës së Vogël përmes një tubimi përkujtimor shënuan 20 vjetorin e rënies së 113 martirëve, nga ku kërkuan nga institucionet e vendit dhe ato ndërkombëtare që të zbardhet e vërteta për fatin e të pagjeturve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat