Himni dhe flamuri i ri, pika që ndanë LDK-në dhe Vetëvendosjen në arritjen e koalicionit? 

Politika

Himni dhe flamuri i ri, pika që ndanë LDK-në dhe Vetëvendosjen në arritjen e koalicionit? 

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 29 mars 2019 Në ora: 07:55
Foto ilustruese

Kryetari i Gjilanit dhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lutfi Haziri në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar se Kosova shumë shpejt do ta ketë himnin dhe flamurin e saj të ri.

Këtë paralajmërim, Haziri e ka ndërlidhur si kusht të LDK-së, për të arritur një koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje, por edhe me partitë e tjera,

"Jemi afruar me një qëllim të përbashkët, e ai është ndryshimi i cili duhet të ndodhë në Kosovë, e që arrihet përmes një procesi të ri zgjedhorë, një legjitimiteti të ri edhe për kuvend edhe për qeveri, president e dialogun me serbi, edhe për flamurin e himnin e ri që besoj që shpejt do ta ketë Kosova. Ne nuk mundemi me hy në asnjë marrëveshje me parti politike nëse nuk kemi marrëveshje për këto çështje që janë kritike dhe që LDK-ja është vonuar që tu jap zgjidhje", ka thënë Haziri për “Bota sot”.

Millaku: Haziri është nën ethet e zgjedhjeve të brendshme

Image
Drita Millaku

Për deputetën e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, kjo deklaratë e Hazirit është bërë nën ethet e zgjedhjeve të brendshme partiake që po i pret LDK.

“E gjithë kjo është nën ethet e zgjedhjeve të brendshme partiake që po i pret LDK,  andaj do të ishte  nonsens të diskutohej kjo temë që ka dalë nga goja e një kandidati potencial për të qenë kandidat për këto zgjedhje”, ka thënë ajo për “Bota sot”.

Deputetja Millaku është pro vendosjes se flamurit shqiptarë dhe himnit shqiptarë, i cili është i shkruar nga Aleksandër Stavre Drenova i njohur si Asdreni.

“Ndërsa, nëse kërkoni mendimin tim për flamurin dhe himnin, atëherë unë mendoj se ne i kemi të dyja. Flamuri ynë është shqiponja dykrenore e që është flamur shekullor, ndërsa himni është një himn me një tekst shumë fantastik dhe shumë i qëlluar e edhe vija melodike është e mirë”, ka potencuar Millaku për “Bota sot”.

Projekti Dardania i ideuar nga Presidenti Rugova, u aprovua në heshtje nga zyrat kryesore diplomatike

Image
Skënder Zogaj

Analisti politik, Skënder Zogaj, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka theksuar se nuk ka dilemë se Kosova do të ketë himnin dhe flamurin e ri, por kjo nuk dihet se kur do të ndodh.

“Se Kosova do ta ketë himnin dhe flamurin e ri, kjo nuk ka dilemë se do të ndodh, mirëpo, se kur do të ndodh, është vështirë të thuhet, sepse, përmirësimi i aktit kriminal të djegies së flamurit të Presidentit Ibrahim Rugova, nga ana e matrapazëve injorantë, ka lënë damkë të zezë që ka njollosur meritën historike të posedimit të simbolit të denjë për shtetin e Kosovës. Pra, gurin që budallenjtë e kanë hedhur në lum u duhet shumë mundim të mençurve për ta nxjerr në breg!”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Për më tepër, Zogaj është i bindur se një gjë e tillë do të ndodh pasi që presidenti Rugova ka ideuar projektin Dardania dhe shprehet se Haziri e ka thënë atë qëduhet të realizohet.

“Mirëpo, kjo patjetër që ka me ndodh sepse, projekti Dardania, që e ka ideuar Ibrahim Rugova,  ka qenë në heshtje i aprovuar nga zyrat kryesore diplomatike botërore dhe, po të mos e digjnin hajnat e pulave, sot do të ishte duke valuar nëpër godinat shtetërore anembanë të Kosovës! Këtë marrëzi të rrugeqërve tashti duhet  shpërla duke iu rikthyer flamurit dhe himnit të ri të denjë për lirinë, pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës. Lutfi Haziri e ka thënë atë që duhet të realizohet, dhe që të gjithë qytetarët shqiptarë të Kosovës e dëshirojnë!”, ka potencuar ai për “Bota sot”.

Burjani: nuk janë tema për këto kohë fare

Image
Blerim Burjani

Kurse, njohësi i çështjeve politike dhe juridike, Blerim Burjani, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se mënon se nuk do të ketë ndryshim të flamurit dhe të himnit shtetërorë të Kosovës.

Sipas Burjanit, nuk është në interes të bëhen ndryshime të tilla, pasi që vendi ka probleme të të mëdha si korrupsioni, nepotizmi, pa punësia e qytetarëve.

“Jo nuk do të ketë, nuk janë tema për këto kohë fare. Këto janë deklarime apo ndonjë dëshirë personale e ndokujt, por nuk asnjë interesim për tu marr kush, probleme të mëdha ka shteti me korrupsion, nepotizëm, papunësi, ikje të rinjve jashtë vendi.  Kosova ballafaqohet me probleme të mirëqenies ekonomike dhe shëndetësore dhe sociale, jo me u marr me simbole. Tash patriotizëm është me hap vende pune mos me ik njerëzit, me ndalë korrupsionin dhe nepotizmin është heroizëm, me ndërtu përmendore për ata që ndalin keq qeverisjen, zhvatjen, edukimin jo cilësor me përlotë universitete dhe kolegje dhe analfabeta funksional, të gjithë merren me parti me fitu vend punë dhe mirëqenie sociale dhe ekonomike”, ka deklaruar Burjani për “Bota sot”.

Maxharraj: Kosova mund të ketë himnin dhe flamurin e ri vetëm nëse ndryshon gjeografia

Image
Profesor dr. Binak Maxharraj

Profesor dr. Binak Maxharraj, konsideron se Lutfi Haziri, prej se e ka shpallur kandidaturën e tij për kryetar të LDK-së “i ka hyrë vetja në qejf” dhe se e quan përkrahës të presidentit Thaçi.

“KUR FLET E Shëmton LUTFI HAZIRI?!Lutfi Haziri ka kohë që ka dalë nga “torishta” e LDK-së. Ky njeri është aq kontradiktor me vetveten sa që as vetë nuk din se çka flet. Është konfuz, njeri konfliktuoz. Ai këto ditë ç’prej se e ka bë kandidaturën për Kryetar të LDK i ka hy vetja në qejf, sa që kah do që gjendet nëpër media e portale, veç e lavdëron vetveten në stilin se unë jam ai që duhet të jem Kryetar i LDK, duke i injoruar edhe figurat tjera të reja në stilin se “hala nuk janë pjekë” për të kandiduar për kryetar të LDK. Ky njeri i cili han me “dy lug” qëndron në LDK, kurse mendimet i ka të PDK-së ku edhe filtron me ta. Konflikti i tij me Vjosa Osmanin me të cilën nga xhelozia ngatërrohet me të në portale e media e tregon nivelin e tij të ulet të dijes, edukatës dhe tëkulturës. Është përkrahës i Hashim Thaçit në dialogun me Serbinë ku haptas i del në krah për copëtimin, ndarjen apo korrigjimin e kufijve, tezë kjo dhe ëndërr e kamotshme e Serbisë për ta marr veriun e praruar në arë pa të cilin Kosova nuk do të kishte jetë”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Ndërsa, sa i përket deklaratës se Kosova shumë shpejte do ta ketë himnin dhe flamurin e saj të ri e quan një “ëndërr e ëmbël e Hazirit”.

“Deklarimi i tij i këtyre ditëve se Kosova shumë shpejtë do ta ketë himnin dhe flamurin e saj të ri, duhet të jetë vetëm një ëndërr e ëmbël e Lutfi Hazirit. Në këto rrethana të situatës politike në të cilën Kosova është futë, të cilën e kanë bë pushtetarët tanë me qeverisje të keqe, me politike absurde të paqartë dhe konfuze, kur edhe nuk po dihet se kah po shkon Kosova, kur për shkak të kësaj politike ndërkombëtare po na këqyrin me hirezi, për shkak të sjelljeve tona në arenën ndërkombëtare, kur as vet nuk po dimë se çka po kërkojmë,e sidomos e kemi bë bërllok dialogun me Serbinë që në këtë dialog nuk e dimë se çka të parashtrojmë dhe çka të kërkojmë ia mundësuam Serbisë sikur ajo është viktime e jo agresor”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Po ashtu, ai shton se mund të ketë flamur të ri nëse bëhen ndryshime gjeografike, si humbja e veriut të Kosovës.

“Kosova mund të ketë himnin dhe flamurin e ri vetëm nëse ndryshon gjeografia e Kosovës për të cilën po lufton edhe vet Haziri. Kosova mund ta ketë himnin dhe flamurin e vet kur Kosova të humb Veriun komplet me Serb për të cilin po angazhohet edhe Luta. Krejt bota u çu në këmbë për një taks, po çka do të ndodhte sikur Kosova tani të del me një propozim për ndryshimin e himnit apo të flamurit. Kjo ide e Lutfi Hazirit është vetëm hipotetike, dëshirë e tij”, ka potencuar Maxharraj për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai nuk beson se krerët e LDK-së do të pajtohen me këtë ide të Hazirit për flamurin dhe himnin e Kosovës.

“Unë nuk besoj se krerët e LDK pajtohen me këto fjalë të Lutfi Hazirtit. Idetë dhe mendimet, si deri më tani në shumë sosh, nuk janë të LDK si qëndrime. LDK me siguri edhe do të distancohet nga këto ”çudira”dhe sihariqe të tij,sikur edhe është distancuar deri më tani”, ka përfunduar Maxharraj për “Bota sot”.

Ndryshe, gazeta “Bota sot”, ka kontaktuar me disa deputetë të Lidhjes Demokratike, të cilët nuk kanë pranuar të flasin lidhur me këtë çështje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat