S’ka viza për Kosovën para zgjedhjeve të BE-së, ja kur është momenti më i mirë për Kosovën

Politika

S’ka viza për Kosovën para zgjedhjeve të BE-së, ja kur është momenti më i mirë për Kosovën

Nga: G. B. Më: 29 mars 2019 Në ora: 13:11
Ilustrim

Kosova vazhdon të jetë vendi i vetëm i izoluar, qytetarët e të cilës nuk kanë të drejtën për të lëvizur në zonën Schengen.

Së fundmi, nën lidershipin e eurodeputetes Tanja Fajon - në Parlamentin Europian me 331 vota për, u konfirmua për të dytën herë mandati për fillimin e trialogut për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Se sa ekziston mundësia që të kemi liberalizim të vizave brenda këtij viti, njohësi i çështjeve politike, Faik Krasniqi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se BE po përdor standarde të dyfishta me Kosovën.

“Bashkimi Evropian është duke përdorur standarde të dyfishta me qytetarët e Kosovës. Në Korrik të 2018 Komisioni Evropian konstatoi që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave. Në gusht LIBE me shumicë votash votoi pro liberalizimit të vizave. Me 13 shtator me shumicë votash edhe deputetët e Parlamentit Evropian votuan pro heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës. Por, Bashkimi Evropian (Këshilli i Ministrave) akoma nuk mori një vendim për heqje të vizave. Parlamentit Evropian iu desh që pas 6 muajsh prapë të votojnë për heqjen e vizave, njëfarë forme trysni ndaj Këshillit të Ministrave që të marrin sa më shpejt një vendim”, është shprehur ai.

Krasniqi nuk beson se do të merret ndonjë vendim pa mbaruar zgjedhje në BE, ndërsa që mundësitë që të hiqen vizat janë pas këtyre zgjedhjeve.

Image
Faik Krasniqi

“Megjithatë, nuk besoj që do të merret ndonjë vendim pa mbaruar zgjedhjet e brendshme në BE, që janë të parapara të mbahen me 28 maj të këtij viti. Pas zgjedhjeve në BE mundësitë janë të mira që të na hiqen vizat, sepse për shkak të problemeve të tyre të brendshme dhe frika e fitores nga partitë e ekstremit të djathtë, shumë shtete po hezitojnë t'i heqin vizat, edhe pse po më duket absurd një arsyetim i tillë. Dy milionë qytetarë të Kosovës nuk do të duhej të ishin problem për një Union që ka mbi 500 milionë banorë”, ka vlerësuar Krasniqi.

Sipas tij, nëse BE nuk heq vizat për Kosovën do të tregojë që nuk ka do dhe politikanët do të vazhdojnë me përrallat për integrime evropiane.

“Sidoqoftë, nëse edhe pas zgjedhjeve në Bashkimin Evropian nuk vendoset për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, ata po tregojnë që nuk na duan. Edhe pas kësaj politikanët tanë vazhdojnë me përrallat bezdisëse për integrime evropiane, atëherë po na dëshmojnë që këta fundërrina kanë marrëveshje me fundërrinat në BE për izolim të mëtutjeshëm të qytetarëve të Kosovës, sepse janë të vetëdijshëm që shumica do të ikin nga këtu në mënyrë legale në vendet e Bashkimit Evropian ku na lejohet që të punojmë”, ka deklaruar Faik Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat