Këmbimi i territorit me liberalizimin e vizave, turp kombëtar

Politika

Këmbimi i territorit me liberalizimin e vizave, turp kombëtar

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 31 mars 2019 Në ora: 09:04
Ilustrim

Me shqetësim e nervozizëm u shënua një vjetori i ratifikimit, nga Parlamenti i Kosovës, të Demarkacionit, vijës kufitare, me Malin e Zi. Në historinë shqiptare, do të shënohet si turp kombëtar, pranimi i faljes të mijëra hektarëve tokë, në këmbim të liberalizimit të vizave. Të paktën, deri më tani, ky ishte një precedent botëror. Patriotizmi shqiptar u devalvua në përmasën e folklorizmit provincial, ku vihen në bishtin e lahutës edhe vëllavrasësit mizorë.

Shqiptarët e Kosovës, për ndryshim nga ata të Shqipërisë, lberalizimin e vizave e kishin shfrytëzuar qysh në vitet `60-a, duke qenë pjesë e Federatës jugosllave. Edhe pas humbjes të këtij privilegji, nga mesi i viteve `90-a, përsëri e kishin shrytëzuar azilin dhe ekzodin, për ta populluar, jo vetëm Evropën, por edhe botën. Dhe, kjo ikje kap shifrën e qindra-mijërave shqiptarëve të emigruar.

Viza zyrtare, vetëm nga shteti gjerman, llogaritën të kenë marrë 38 mijë vetë. Ndërsa, në pesë vitet e fundit nga Kosova janë larguar 170 mijë shqiptarë! Pasqyrë e boshatisjes të Kosovës, janë edhe shumë dhjetëra shkolla të mbyllura ose me nxënës, ndjeshëm, të pakësuar. Pa mohuar rëndësinë e liberalizimit të vizave, megjithatë, nuk është çështje jetike, e domosdoshme dhe aq më pak me koston e këmbimit të territorit!
 

Sulmi - mbrojtja më e mirë

Është e njohur sentenca se "sulmi është mbrojtja më e mirë". Këtë po e përdorin edhe dy eksponentët kryesorë të kontrabandimit të Demarkacionit, Hashim Thaçi e Isa Mustafa, sipas shënimit të vijës kufitare nga pala malazeze. I pari në cilësinë e presidentit dhe i dyti kryeministër i vendit, abuzuan me pozitën, marrëzishëm e kriminalisht, duke u betuar e stërbetuar, se "me ratifikimin e Demarkacionit aktual, Kosova nuk humbë asnjë milimetër tokë!?!"

Dhe, duke e përfaqësuar Republikën e Kosovës, në nivelin më të lartë, bindën botën, përkatësisht, Qendrat e Vendosjes se është koha e votimit në Parlament të Demarkacionit, aty ku e kishte paracaktuar pala malazeze. E gjithë kjo u bë në kundërshtim të hapur me vullnetin e popullit të Kosovës, madje, pa i përfillur as strukturat e tyre partiake.

Motivi i këtij krimi, deri në kuotën e tradhtisë:


Hashim presidenti është i shantazhuar për krimet e tij serike, në përgjakjen e shqiptarëve, gjatë dhe pas luftës. Ndërsa, Isa Mustafa, një karrierist i neveritshëm, donte ta ruante me çdo çmim, qoftë edhe me falje tokash të Kosovës, postin e ndotur të kryeministrit!

 

I zëshëm në sulm e akuza është, veçanërisht, Isa Mustafa. Citojmë:

 

"Po i pyes të gjithë ata që me kauzë të rrejshme organizuan dhe përkrahën dhunën kundër demarkacionit" ku jeni sot? Sepse kufiri mbeti aty ku ishte. Aty ku ju, pas gjithë asaj katrahure që i shkaktuat vendit dhe asaj marrie, e gëlltitët dhe e votuat.

Pyes edhe kryeministrin e vendit, Qeverinë dhe Kuvendin, e Komisionin shtetëror?!

Me veprimet tuaja i morët në qafë qytetarët dhe i privuat nga liberalizimi i vizave për shkak të egos".

Sulme dhe akuza të turpshme të ish-kryeministrit Mustafa, i cili ka qenë në një linjë me Malin e Zi, për aneksimin e mijërave hektarëve tokë, pronë e brezave shqiptarë. Dihet presioni, shantazhi, kërcënimi i Isës ndaj deputetëve të LDK-së, për ta votuar Demarkacionin, në favor të Malit të Zi. Dihet mirëfilli provokimi i poshtër dhe i përsëritur, që u bëri shqiptarëve Isa Mustafa, me kërcënimin se "i kam numrat, për ta votuar Demarkacionin në Parlament!"

Klanorët e Isa Mustafës, me fodullëk e turpshëm, krenohen se "kemi kontribuar në ratifikimin e Demarkacionit!" E vërteta është se binomi urryes Hashimi - Isa, janë kumbarët e kësaj gjëmë të madhe për shqiptarët. Ata janë nisma dhe fundimi i kësaj të keqeje fatale. Gjithë të tjerët janë argatë të tyre.

Ndërkohë, në vijimësi, përsëritë sulmet verbale e tjera, që i janë bërë atij, në përgjigje të provokimeve skandaloze të tij: "Ju e keni tokën afër shtëpisë, nuk po ua merr askush. Pse interesoheni për tokat që nuk i keni në kadastrin tuaj", - u thoshte banorëve vendorë të Rugovës, Isa kryeministri, për kullotat ngjitur tokave të tyre, pronë e brezave shqiptarë, e shtetit të Kosovës, por, që po bëheshin, paligjshëm e kriminalisht, pronë e Malit të Zi.

 

Demarkacioni mbetët çështje e hapur, kontestuese

Ministri i Jashtëm malazez, Sergjan Dermanoviç, përgjatë vizitës së tij në Kosovë, bëri prokimin sa të rëndë, aq edhe cinik, me tendencën e hapur, për të shuar shpresat e shqiptarëve, për rishikimin e vijës kufitare me Malin e Zi:

"Çështja e Demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, është problem i zgjidhur. Ne nuk e shohim si çështje të hapur ndërmjet këtyre dy vendeve, nuk ka pika kontestuese, kjo është e kryer", - deklaroi me cinizëm, serbez e pacipshëm ministri malazez!

I një mendjeje me ministrin provokator malazez, është edhe ministri i Jashtëm i Republikës të Kosovës, Behgjet Pacolli, i suksesshëm në bizneset personale, por, fatal për çështjen kombëtare. Asnjë shtet në botë nuk do t`ia besonte postin e ministrit të Jashtëm, një njeriu, tërësisht, të zhveshur nga ndjenja kombëtare dhe matrapaz politik, në kalkulimet e pista, në koalicione kundra kombëtare, me partitë-banda, korruptive dhe me krim të organizuar, deri në vrasje serike të shqiptarëve të pafajshëm, siç është banda e madhe PAN.

"Demarkacioni është çështje e zgjidhur, si hap jashtëzakonisht fisnik i dy shteteve", - llomotit i neveritshmi Pacolli!

Shtrohet pyetja: Çfarë kupton "me hapin fisnik i dy shteteve", - mjerani Behgjet Pacolli?! Mos, vallë, përvehtësimin nga Mali i Zi i 8.200 hektarëve, më 21 mars 2018, e konsideron fisnikëri të shtetit fqinj malazez?! E dhimbshme, qesharake e cinike është kjo deklaratë alogjike, idioteske e ministrit të Jashtëm të shtetit të Kosovës!?
 

Realisht, çështja e Demarkacionit edhe sot e gjithë ditën, mbetët kontestuese dhe çështje e hapur, ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Votimi në Parlament është bërë nën presionin, sa të jashtëzakonshëm, aq edhe të turpshëm e kriminal, nga Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Kadri Veseli, duke i tërhequr e joshur me poste edhe tre lakejtë e PDK-së, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj dhe Behgjet Pacollin, përkatësisht me postin e kryeministrit dhe të zëvendës-kryeministrave.

Vizita provokative e 170 pelegrinëve serbë, nga Beogradi, në tetor 2018, në Manastirin e Studenicës, komuna e Istogut dhe, për rrjedhojë, reagimi i dhunshëm i qytetarëve i këtij fshati, sheshoi politikën falsifikuese e përvetësuese të tokave shqiptare, qoftë të atyre brenda Kosovës, si pasuri kishtare, qoftë të territoreve kufitare, siç është rasti i 8.200 hektarëve në vijëzimin kufitar Qafë e Çakorrit, Kullë e Zhlebit dhe tutje.

Ilustrojmë:

Disa hektarë tokë të Bregut të Kishës, në mes të cilit ekzistojnë edhe themelet e Manastirit të Studenicës, një kishë e hershme shqiptare dhe jo sllave, pronë shtetërore e Komunës të Istogut, deri në vitin 1996. Pikërisht, në këtë vit, kur Kosova ishte nën masat e pushtetit të dhunshëm policor e ushtarak, të Serbisë së Millosheviçit, parcela e tokës disa hektarëshe në Bregun e Kishës, përfshi edhe themelet e Kishës shqiptare, janë bartur në regjistrin kishtar dhe kadastrin komunal, si pronë Kishës serbe!
 

E njëjta gjë ka ndodhur edhe në përvetësimin e mijëra hektarëve tokë në zonën kufitare Qafë e Çakorrit, Kullë e Zhlebit dhe tutje përgjatë kufirit Kosovë - Mali i Zi, në kohën e diktaturës mbytëse të Aleksandër Rankoviçit. Në vitet `70-a, kryetari i Komunës të Pejës, Sahit Meraku, ka denoncuar një Komision serbo-malazezë, përkatësisht, të përbërë nga katër serbë dhe tre malazezë, por, asnjë shqiptarë!!!
 

Edhe pse dokumenti falsifikues ka qenë konspirativ, e fshehta ka rrjedhur. Në shenjë proteste, kryetari Meraku, në krye të një komisioni komunal, e ka përshkuar vijën kufitare ekzistuese Qafë e Çakorrit - Kullë e Zhlebit, duke bërë edhe shenjat përkatëse. Të ndodhur para të vërtetës të pakontestueshme, serbo-malazezët kanë heshtur, për t`i aktivizuar agjentët e tyre shqiptarë, tashmë në kupolë të shtetit të Kosovës, për ta kthyer në marrëveshje, madje, të ratifikuar në Parlamentët e dy shteteve, në Mal të Zi dhe Kosovë. Tradhtia nuk ka brirë!
 

Është përçudnuese, se disa militantë, më saktë, fansa të krerëve partiakë, të Hashimit dhe të Isës, të cilët, origjina e stërgjyshit ishte Rugova, por, vet, babai e gjyshi kishin lindur në fshatrat rrafshore të Pejës, bënin politikën e shefave të tyre, duke u pajtuar me pretendimet malazeze, për tokën shqiptare! Përkundrazi, rugovasit vendorë reaguan, madje, ngulmueshëm, se përvetësimi i dhunshëm i tokave të brezave shqiptarë, po bëhet nga Mali i Zi, me nismën, realizimin dhe aprovimin entuziast të Hashim Thaçit dhe të Isa Mustafës.
 

Rugovasit vendorë, të paktën, në 6 (gjashtë) breza, pra, përtej 200 viteve, e kanë dëshmuar pronësinë shqiptare, në pikat kulmore Qafë e Çakorrit - Kullë e Zhlebit, Malet e Moknave, Qafa e Dasmorëve dhe tutje për maje maleve.
 

Personalisht, prej tej 60 viteve kam përshkuar kufirin në fjalë. Edhe pse Federatë jugosllave, kufijtë kanë qenë, saktësisht, të përcaktuar. Bjeshka jonë, ka një - lke -, mini-liqen, ku bagëtia pinë ujë përgjatë stinës së verës. Prej aty, vija kufitare Kosovë - Mali i Zi, ka distancë vetëm 500 metra. Tani, ende nuk është përcaktuar nëse ky - lke -, mini-liqen, do të jetë brenda apo jashtë kufirit të Kosovës?
 

Bjeshkatarët e komunave Deçan, Pejë, Istog, të goditur nga vijëzimi i ri i kufirit, me Malin e Zi, pavarësisht, kalkulimeve të pista politike, për interesa, thellësisht, personale, e hiç kombëtare, duhet të vazhdojnë t`i shfrytëzojnë tokat shqiptare, në ato zona kufitare - klasike. Populli i komunave të përmendura, por edhe më tej në Kosovë, pavarësisht qasjes së tyre në këto zona, në rast nevoje, duhet t`i mbështesin edhe me praninë fizike, bjeshkatarët në fjalë.

Tani, pas dështimit të korrigjimit të premtuar të kufirit kontestues Kosovë - Mali i Zi, populli i Kosovës duhet të distancohet nga matrapazët politikë pushtetarë, pa fije sensi kombëtar, siç janë Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj me lakejtë e tyre. Rrenë qoftë, këtu nuk ka të mashtruar, siç pretendon kryeministri karrierist aktual, tashmë i zgjyrosur, i dalë boje. Është kajtja, lakmia neveritëse provinciale e fodulle e Ramushit, për t` u bërë kryeministër mjeran e qesharak, duke u bërë pjesë e tradhtisë së madhe, siç është humbja e mijëra hektarëve tokë të brezave shqiptarë.

Distancimi i popullit të Kosovës, nga banda pushtetare, tjetërsuese e territorit shqiptar, në favor të Malit të Zi, do të ishte një mesazh i qartë për shtetarët malazezë, se çështja e kufirit, e Demarkacionit, është çështje e hapur dhe rrastë kontestuese. Andaj, koha do të punojë për shqiptarët, sepse kanë perënduar kohërat e grabitjeve të mëtejme të tokave shqiptare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat