Gjermania i jep goditjen përfundimtare planit Rama-Vuçiq-Thaçi për korrigjimin e kufirit

Politika

Gjermania i jep goditjen përfundimtare planit Rama-Vuçiq-Thaçi për korrigjimin e kufirit

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 2 prill 2019 Në ora: 12:17
Edi Rama, Aleksandër Vuçiq dhe Hashim Thaçi

Kryeministri Ramush Haradinaj, ka pritur në takim deputetët e Bundestagut Gjerman, Peter Bauer (CDU) dhe Christian Schmidt (CSU).

Pas takimit, deputetët kanë përsëritur qëndrimin se Gjermania është kundër shkëmbimit të territoreve.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Kosova është Evropë dhe do që të jetë pjesë e saj.

"Biseduam për bashkëpunimin Kosovë-Gjermani, që është në progres, po ashtu e shpreha gatishmërinë time për ta thelluar këtë bashkëpunim. Ne jemi Kosovë, dëshirojmë të jemi Kosovë, po ashtu jemi Evropë dhe duam të bëhemi pjesë e Evropës dhe të mund të udhëtojmë pa viza", tha ai.

Peter Bauer dhe Christian Schmidt: Një ide e lëvizjes së territoreve do të ishte e papranueshm

Deputetët gjermanë nuk kanë hezituar të tregojnë qëndrimin e tyre rreth idesë së shkëmbimit të territoreve, menjëherë pas takimit që patën me kryeministrin Ramush Haradinaj.

Peter Bauer dhe Christian Schmidt me një gojë kanë potencuar se një ide e lëvizjeve të territoreve, do të ishte e papranueshme.

Deputeti Christian Schmidt, tha se Gjermania do të punojë që Kosova të afrohet me familjen evropiane.

Duke ripërsëritur qëndrimin e Gjermanisë i cili kundërshton idenë e shkëmbimit të territoreve, Schmidt tha se, problemet nuk mund të zgjidhen duke krijuar probleme të reja.

"Nuk është vizita jonë e parë, është ndër vizitat që i kemi bërë Kosovës. Ne e falënderojmë qeverinë e Kosovës dhe qytetarët që janë treguar aq miqësorë me ushtarët tanë. Sigurisht gatishmëria jonë është që Kosova t`i afrohet familjes evropiane dhe do të punojmë në këtë drejtim. Nuk mund t`i zgjedhim problemet që i kemi duke krijuar probleme të reja”, tha ai.

E deputeti Peter Bauer, ka siguruar se Gjermania do të vazhdojë të mbesë partner i Kosovës edhe pas zgjedhjeve që do të mbahen në Parlamentin Evropian.

"Vetëm ta konfirmoj mirënjohjen tonë për mikpritjen tuaj. Ne nuk jemi këtu vetëm në vizitë zyrtare, ne jemi pranë miqve tanë sepse kosovarët janë miqtë tanë. Sigurisht ne kemi biseduar edhe për proceset e ardhshme kemi biseduar për dialogun dhe e mbështesim dialogun. Kemi folur edhe për temën e shkëmbimit të territorit, temë të cilën ne vërtetë e kundërshtojmë. Tash në prag të zgjedhjeve në parlamentin evropian do të jemi partner sa i përket proceseve të ardhshme të Kosovës", tha ai.

Deputetët gjermanë nuk kanë hezituar të tregojnë qëndrimin e tyre rreth idesë së shkëmbimit të territoreve, menjëherë pas takimit që patën me kryeministrin Ramush Haradinaj.

Peter Bauer dhe Christian Schmidt, me një gojë kanë potencuar se një ide e lëvizjeve të territoreve, do të ishte e papranueshme.

“E kemi prekur edhe temën për shkëmbim territoresh që ne e kundërshtojmë në çdo aspekt”, ka thënë Bayer.

Për deputetin tjetër, Schmidt, arritja e marrëveshjes Kosovë-Serbi me lëvizje të territoreve nënkupton hapjen e problemeve të reja.

“E ka gabim ai që mendon se do ta zgjidhë problemin me këtë ide, kjo do të krijonte shumë probleme tjera që do ta preknin edhe rajonin në përgjithësi”, ka theksuar Schmidt.

Mesazhet  e deputetëve të Bundestagut gjerman, kundër idesë për korrigjimin e territorit, janë mirëpritur nga personalitete të fushës politike në Kosovë.

Millaku: Shpejt do të marrë fund ideja e Thaçit bashkë me Thaçin

Image
Drita Millaku

Në lidhje me këtë, deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së, Drita Millaku, ka thënë se Gjermania si shteti me i madh dhe më i fuqishëm i BE-së natyrisht se ka përgjegjësi më të madhe edhe brenda BE-së pra lëvizja e territoreve do të hapte shumë plagë të tjera në rajon dhe në Evropë dhe si i tillë do të ishte precedan i keq.

“Probleme me kufijtë kanë shumica e vendeve të Ballkanit dhe besa edhe të Evropës gjë që do të ishte sinjal shumë i keq për të sjell hapjen e shumë plagëve dhe kjo do të sillte deri tek destabilizimi. Edhe pse rezistenca e Thaçit për këtë ide po vazhdon, besoj se shpejt do të marr fund edhe ideja e tij por edhe vet Hashim Thaçi”, ka thënë deputetja Millaku.

Salihaj: Gjermania mbrojtëse e vendosur e Kosovës

Kurse, ish deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, ka thënë se zyrtarë të ndryshëm të administratës dhe deputetë të Bundestagut gjerman ia kanë bërë vazhdimisht Thaçit me dije se janë kategorikisht kundër ndryshimit të kufijve, për arsye se i vetmi shtet që do të përfitonte do të ishte Serbia, ndërsa humbësja më e madhe do të ishte Kosova.

Sipas tij, me ndryshimin e kufijve me Kosovën dhe me marrjen e një cope të territorit të saj, Serbia do të hapte rrugën edhe për ndryshim kufijsh me Bosnjën, e më vonë do të shfaqte pretendime edhe ndaj Malit të Zi.

Image
Adem Salihaj

“Ky presedan do t'i hapte rrugë krijimit të Serbisë së Madhe, e cila do te ishte kërcenim i përhershëm për gjithë rajonin, por, në mënyrë të veçantë për shqiptarët. Nga e gjithë kjo del se mbrojtëse e vendosur e Kosovës ka qenë dhe është Gjermania, ndërsa rrezikuesi kryesor i shtetësisë, si dhe tërësisë territoriale të Kosovës është vetë Thaçi. Thaçi me zell të madh po tregohet argati më i zellshëm i krijimit të Serbisë së Madhe”, ka thënë ish deputeti Salihaj.

Ai konsideron se, Gjermania ka qenë konsekuente në qëndrimin e saj në mbrojtje të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Kosovës.

“Përveç shumë zyrtarëve të lartë të kancelares Angela Merkel, po ashtu edhe deputetë të Bundestagut kanë mbajtur qëndrim përkrahës për Kosovën. Deputetët Peter Bauer dhe Christian Schmidt ia kanë bërë edhe njëherë shumë të qartë Thaçit dhe Serbisë se Gjermania është kategorike kundër ndryshimit të kufijve. Të gjithë e dimë se ideja serbo-ruse për copëtimin e Kosovës ka për qëllim shkatërrimin e shtetësisë sonë dhe krijimin e Serbisë së Madhe. Vetë Vuçiqi shpesh thotë me dëshpërim se ideja e tij për ndarjen e Kosovës ka dështuar. Vetëm shërbëtori i tij i palodhshëm dhe i zellshëm Hashim Thaçi, nuk heq dorë nga copëtimi i Kosovës dhe krijimi i Serbisë së Madhe. Besoj se në të ardhmen, Serbia do t'ia ndërtojë Thaçit një memorial në Kragujevc ose Nish dhe do të vendos lule pranë varrit të tij, siç po vendos pranë varrit të Esat Pashë Toptanit”, ka thënë Salihaj.

Tahiri: Gjermania marrëveshjen e sheh në pranimin e shtetit të Kosovës nga Serbia në kufijtë e tashëm

Image
Ramush Tahiri

Ndërsa, analisti politik Ramush Tahiri ka thënë se këtu kemi të bëjmë me qëndrimin e njohur gjerman, për zgjidhje të çështjeve duke mos hapur probleme të tjera por duke respektuar gjendjen ekzistuese dhe mos ndryshim të kufijve.

Sipas tij, Gjermania nuk konsideron se me ndryshim të kufijve, Kosova e Serbia e zgjidhin çështjen dhe e ndërtojnë paqen.

“Qëndrimi gjerman është si i Komisionit të Batinderit për shpërbërjen e Jugosllavisë që kufijtë e republikave apo kufijtë administrativ të brendshëm bëhen kufij të shteteve të ardhshme duke mos e pranuar asnjë ndryshim si rezultat të imponimit dhe të dhunës të spastrimit etnik apo të vënies pata aktit të kryer. Gjermania marrëveshjen e sheh në pranimin e shtetit të Kosovës nga Serbia në kufijtë e tashëm e të pranuar ndërkombëtarisht dhe nga shtetet individual”, ka thënë analisti Ramush Tahiri.

Krasniqi: Nëse fillon shkëmbimi mes Kosovës dhe Serbisë, atëherë hapet Kutia e Pandorës

Image
Faik Krasniqi

Kurse, politologu Faik Krasniqi, ka thënë se Gjermania me kohë është deklaruar që është kundër idesë për shkëmbim të territoreve.

Sipas tij, edhe kancelarja Angela Merkel, ka qenë e prerë se është kundër kësaj ideje dhe një gjë e tillë nuk do të ndodhë, sepse rrezikohen shumë shtete nëse fillon shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Nëse fillon shkëmbimi mes Kosovës dhe Serbisë, atëherë hapet Kutia e Pandorës dhe dihet se hapja e Kutisë se Pandores prek gjithë botën që kanë probleme territoresh. Prandaj është pak e besueshme që do të realizohet një gjë e tillë kur Gjermania si shteti me i fuqishëm i BE-se e kundërshton fuqishëm këtë ide”, ka thënë politologu Faik Krasniqi.

Haziri: Grusht i rëndë e vendimtar ndaj planit Rama-Vuçiq-Thaçi

Image
Nexhat Haziri

Kurse, opinionit, Nexhat Haziri, ka pohuar se deklarata e deputetëve gjerman  e konfirmon edhe një herë fuqishëm qëndrimin e Gjermanisë, si promotore e zhvillimeve politike dhe ekonomike në BE, sa i përket ndryshimit të kufijve në mes Kosovës dhe Serbisë, si një marrëveshje në mes dy shteteve, me idenë e shkëmbimeve të territoreve në mes tyre.

Sipas tij, këto deklarata që janë në vazhdimësi nga Berlini zyrtar që kundërshtojnë shkëmbimin e territoreve Kosovë - Serbi, janë në favor të integritetit territorial të Kosovës dhe forcojnë pozicioni e Kosovës në raport me Serbinë në procesin e fazës finale të dialogut.

“Këto deklarata po ashtu janë edhe një grusht i rëndë e vendimtar ndaj planit Rama-Vuçiq-Thaçi për idenë e tyre aventureskë lidhur me marrëveshjen në mes Kosovës dhe Serbisë mbi bazat e shkëmbimit të territoreve. Andaj, kjo është edhe një dëshmi se Kosova ka një aleat të natyrshëm dhe strategjik siç është Gjermania në procesin e finalizimit të marrëveshjes me Serbinë, e cila duhet të kulmoj me njohjen reciproke si dy shtete të pavarura pa prekur kufijtë ekzistues të asnjërit shtet. Dhe po ashtu në këtë realitet duhet të reflektoj edhe vet presidenti Thaçi, duke hequr dorë që të vazhdoj të jetë pjesë dhe shtytës i ideve të dëmshme për Kosovën dhe shtetësinë e sajë, siç është plani i shkëmbimeve të territoreve me Serbinë gjoja në emër të një marrëveshje historike”, ka thënë opinionisti Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat