I pari i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka kohë që nuk janë parë në krahë të njëri-tjetrit, shkruan gazeta “Bota sot”.
Ndërsa, një qasje tjetër tashmë ka marrë historia e presidentit dhe kryeministrit. Ani pse muaj më parë nuk reshten së akuzuari njeri-tjetrin, raportet e tyre së fundi kanë filluar të ndryshohen.
Deputetja e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se marrëdhëniet mes të parëve të vendit nuk diktohen me parime.
Ajo ka zbuluar se afrimi i liderëve është prodhim i interesave personale dhe asgjë më shumë.
“Koalicioni qeverisës me rastin e formimit ka pas shenja të qarta të interesave jo vetëm partiake, por edhe personale. Prandaj edhe afrimi i liderëve është prodhim i këtyre interesave, pra nuk ka as koalicion me parime e edhe marrëdhëniet e tyre nuk diktohen me parime, por nga interesat e ngushta”, është shprehur Millaku, në një bisedë për gazetën “Bota sot”.
Me tej deputetja e opozitës ka shtuar se nëse studiohen qëndrimet e tyre, ato kanë ndryshuar në varësi të interesave personale.
“Nëse studiohen qëndrimet edhe të presidentit Hashim Thaçi e edhe te kryeministrit Ramush Haradinaj kanë ndryshuar në varësi të interesave personale dhe partiake”, ka përfunduar deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku.
Kujtojmë se në paraqitjet e fundit publike, Haradinaj në krah tash e ka presidentin Hashim Thaçi. Presidenti Thaçi e nderoi Haradinajn duke marrë pjesë në shënimin e 21 vjetorit të Betejës së Dukagjinit, apo siç njihet ndryshe “Epopeja e Dukagjinit”.