Eksperti i sigurisë tregon fajtorin për zbrazjen e Kosovës, përmend dhe agjenturat ruso-serbe

Politika

Eksperti i sigurisë tregon fajtorin për zbrazjen e Kosovës, përmend dhe agjenturat ruso-serbe

Nga: G.B Më: 2 prill 2019 Në ora: 22:17
Foto ilustruese

Për një jetë më të mirë, shumë qytetarë të Kosovës po marrin rrugët drejt shteteve të Evropës, duke lënë Kosovën. E që nga viti 2007, sipas Eruostat, Kosova është vendi me zbrazjen më të madhe të popullsisë.

Se pse po ndodhë një gjë e tillë, eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, ka thënë për gazetën “Bota sot” se të rinjtë me titujt master shkojnë në Evropë që të punojnë, duke u përballur me qëndrim ilegal dhe me punë të rënda.

“Sipas analizave të ndryshme që nga viti 2007 që i kanë bërë institucionet ndërkombëtare, si në këtë rast Eurostat, Kosova llogaritet se është vendi me zbrazje më të madhe të popullatës e në rend të parë të asaj më të re. Nëse për këtë gjë kemi parasysh se Kosova llogaritet me popullatë më të re në Evropë, çdo shpërngulje është në dëmin e vet Kosovës, dhe në dobi të vendeve ku ata migrojnë. Këta të rinj atje ku migrojnë dhe vendosen në shtete të huaja, një kohë të gjatë ata jetojnë në të „zezë“, domethënë pa dokumentacione legale të atij shteti, dhe pa të drejtë pune. Varësisht nga shteti ku gjenden ata, se si i pranon ai shtet ata, një kohë të gjatë, ata e zgjedhin mënyrën e imponuar për të jetuar dhe janë të detyruar t’i punojnë punët më të vështira-rënda, pavarësisht shkollimeve që i kanë bërë në vendin e tyre nga kanë migruar, e që tani shumë nga ta janë edhe me tituj fakultetesh master e shkencë”, është shprehur ai.

Sipas Tërnavës, një shtet pa të rinj është i detyruar në kapitullim.

“Vetëm në disa vite të fundit nga 2015 e deri tani llogariten së paku kanë migruar rreth 175000 të rinj e të reja. Një shtet pa të rinj dhe të reja është i detyruar në kapitullim, sepse e ardhmja ju takon të rinjve. Nëse bëjmë analiza për një zbrazje të hovshme të rinjve sikur në këto kohëra që po ballafaqohemi me këtë dukuri, lehtë mund të konstatojmë se kjo situatë që nga shpallja e pavarësisë e deri më tani, që Kosovës, në të gjitha aspektet iu kanë mbyllur dyert dhe në tërësi është izoluar”, ka thënë Tërnava.

Image
Harrulah Tërnava

Sipas tij, ndër shkaktarët kryesorë të kësaj situatë është faktori ndërkombëtar, për shkak të mos liberalizimit të vizave, por që faktori kryesor janë politikanët që nuk hapin vende të reja pune.

“Faktori ndërkombëtar është njëri ndër shkaktarët kryesorë të kësaj situate të krijuar, sepse që një kohë të gjatë edhe që vlerësohet se i kemi plotësuar kriteret për liberalizim të vizave, një gjë e tillë nuk po ndodhë. Vlerësohet se 5 shtete të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e vendit tonë, është shkaku që jemi këtu ku jemi me pengesat e mosnjohjes së liberalizimit. Megjithatë shkaktari kryesor i kësaj të keqe janë vetë politikanët tonë që nga çlirimi e këndej askush nuk e ka pasur në rëndë të parë hapjen e vendeve të punës për të rinjtë e vendit, në të kundërtën ata kanë pasur vetëm një plan, që në çdo mënyrë vetëm të pasurohen përmes tenderëve të ndryshëm dhe varianteve tjera të krimit të organizuar, që në këtë drejtim mund të thuhet se ia kanë arritur që nga të varfërit tani janë multimilionerë. Ata të vetmen detyrë dhe ngarkesë që e kishin, ishte që të gjithë të afërmit e tyre t’i punësojnë nëpër institucionet shtetërore apo organizata shtetërore ku paguhen nga taksapaguesit e Kosovës, kurse për të tjerët as që janë interesuar dhe janë sjellë si me të huajt, me injorancë, edhe që në “zgjedhje demokratike“ për vota premtonin më të madhe, se „nuk do të ketë familje pa iu punësuar ndonjë anëtar i familjes“ e kjo tani po shihet se të gjitha këto ishin premtime të kota sa për vota”, ka vlerësuar eksperti i sigurisë.

Më tej, ai thotë se është normale që normale që lobi serbo rus me agjenturat e tyre kanë punuar në këtë drejtim që ta destabilizojnë Kosovën.

“Kosova me një të kaluar të tillë dhe e rrethuar me shtetin serb që në vitin 1998/99 bëri luftë të përgjakur, edhe që ia dolëm ta fitojmë këtë luftë edhe me ndihmën e shteteve mike sikur me Amerikën dhe BE, megjithatë është normale që lobi serbo rus me agjenturat e tyre kanë punuar shumë në këtë drejtim që ta destabilizojnë me mënyrat e tyre këtë vendin tonë, edhe duke e zbrazur Kosovën nga të rinjtë, dhe me politikat e tyre që kanë ndikuar tek shtetet tjera mike të tyre, që të mos investojnë të huajat në Kosovë, me propagandat e tyre të njohura, sikur që po ndikojnë edhe ne ç’njohjen e njohjeve të pavarësisë ndaj Kosovës”, ka vlerësuar Tërnava.

Sipas tij, zbrazja e Kosovës i konvenon vetëm shteteve armike të Kosovës, e që për këtë po kontribuojnë edhe udhëheqës në nivele të larta shtetërore në Kosovë dhe për këtë qeveria duhet të gjejë mundësi për hapjen e vendeve të reja të punës, që jeta në Kosovë të jetohet në mënyrë normale.

“Zbrazja e Kosovës në këtë rast i konvenon vetëm shteteve armike të Kosovës, e në këtë rast disa faktorë udhëheqës të Kosovës, në nivele të larta shtetërore, me të madhe po i kontribuojnë me veprimet e tyre të pamatura, apo të qëllimshme, që ndoshta janë në shërbim të bash këtyre shteteve armike, që janë në realizimin e planeve çfarë ua kanë dhënë ato shtete, dhe më të madhe janë në realizim e sipër të planeve për zbrazjen e Kosovës. Qeveria për ta ndalur këtë trend të braktisjes të rinjve nga Kosova, duhet urgjentisht të bëjnë  çmos si nga faktori vendor apo ndërkombëtar që t’i gjejnë mundësinë e investimeve për hapjen e vendeve të reja pune ku çdo i punësuar me pagën e vetë do ta jetojë jetën me familjen e tij në mënyrë normale dhe njëherë e përgjithmonë të kthehet perspektiva e të jetuarit në Kosove me dinjitet. Pa një angazhim të gjitha strukturave politike, me këtë qellim të pastër, vështirë se do të besohet se në Kosovë ka perspektivë të jetohet. Sikur të investohej në Kosovë dhe po tu hapshin vende të reja të punës, do të punësoheshin të rinjtë e këtij vendi, dhe një numër i vendeve mike do i kthenin ata të rinj që kanë migruar në vendet e tyre sepse do të kishin mundësinë e punësimeve të tyre”, ka përfunduar Hajrullah tërnava për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat