Krasniqi deklarohet për përfshirjen e tezakëve dhe nipave në ekipin negociues: Këta janë edhe më të poshtër se diktatorët

Politika

Krasniqi deklarohet për përfshirjen e tezakëve dhe nipave në ekipin negociues: Këta janë edhe më të poshtër se diktatorët

Nga: N.H Më: 3 prill 2019 Në ora: 14:49
Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj

Bashkëkryesuesit e ekipit negociator të Kosovës në dialogun me Serbinë në Bruksel, kanë vendosur që me vetë t’i kenë edhe nipat dhe tezakët e tyre, shkruan gazeta “Bota sot”.

Dje u raportua se pjesë e Zyrës Administrative është edhe djali i motrës së Limajt.

Ndërkaq, as Shpend Ahmeti nuk ka shkuar për të negociuar pa familjarët e tij.

Përveç që në ekip është Visar Ymeri, me të cilin dihet se janë tezakë, në ekipin negociator është i përfshirë Nezir Ismaili. Edhe ky është tezak i dy përfaqësuesve të PSD-së.

Analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Faik Krasniqi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se rasti i përfshirjes së familjarëve të pushtetarëve në dialogun me Serbinë në Bruksel, tregon më së miri që ky vend është shndërruar në një shtet diktatorial.

Krasniqi thekson se edhe në shtetet diktatoriale ka rregulla, por, sipas tij, këta janë edhe më të poshtër se diktatorët.

“Përfshirja e familjarëve të pushtetarëve në dialogun me Serbinë në Bruksel, është treguesi më i mirë që ky vend është shndërruar në një shtet diktatorial. Kjo tregon qe ky dialog nuk ka farë seriozitet, dhe fati i shtetit dhe qytetarëve të saj është në duart e disa familjeve. Edhe në shtetet diktatoriale ka rregulla. Por, këta janë edhe më të poshtër se diktatorët. Vetëm një popull si shqiptarët janë në gjendje të durojnë fëlliqësira si këta”, ka thënë ndër tjerash Krasniqi.

Tutje, analisti politik ka nënvizuar se ky proces është jetikë për vendin, dhe se do të duhej të udhëhiqej nga ekspertë të fushave, dhe jo siç konsideron ai nga kalamajtë.

“Dialogu me Serbinë që është jetikë për përmbylljen e një procesi shtetëror, do të duhej të udhëhiqej nga ekspertë të fushave të ndryshëm, dhe jo nga familjarët e tyre kalamaj që i angazhojnë për ta zhvatur buxhetin e shtetit”, ka thënë Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

Ndryshe, ndaj kësaj ka reaguar fuqishëm edhe deputeti i opozitës, Lumir Abdixhiku.

Ai ka thënë se Serbia po angazhon profesionistë të fushave të ndryshme për bisedimet, ndërkaq Kosova po shkon në negociata me “nipa, dajë e tezakë”.

“Serbia ka angazhuar dhe këshilltarë ndërkombëtarë me plot nam. Kosova ndërsa, “ekipi negociator” i saj, ka vendosur që në përballjen më të rëndësishme historike që ka, të angazhojë nipa, dajë e tezak. Për një vend pune për familjarë, marrin në qafë një vend të tanë”, shkruan deputeti i LDK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat