Zenun Pajaziti për vizitat e liderëve në veri: Nuk duhet të japim shembullin e Beogradit

Politika

Zenun Pajaziti për vizitat e liderëve në veri: Nuk duhet të japim shembullin e Beogradit

Nga: Z. B. Më: 3 prill 2019 Në ora: 21:41
Hashim Thaçi gjatë vizitës në Ujman

Në shtator të vitit të kaluar për herë të parë, presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga dy ministra, dhe Forcat e Njësisë Speciale, do të vizitonte Liqenin e Ujmanit. Atë vizitë, ndonëse ishte e para, Thaçi do ta cilësonte si të zakonshme.

Që nga ajo kohë, nuk ka pasur asnjë vizitë zyrtare e as “relaksuese” nga krerët e shtetit që nga presidenti, kryeministri, e ministrat e kësaj qeverie e as nga opozita.

Në këtë kohë kur ka zëra që pjesa e Mitrovicës veriore, mund të jetë pjesë e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, ajo po anashkalohet nga udhëheqësit e shtetit.

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Zenun Pajaziti, ka thënë se, jo vetëm drejtuesit e institucioneve, por të gjithë mund dhe duhet të lëvizin lirshëm në veri të vendit.

“Unë e di që përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës frekuentojnë andej sipas nevojës dhe detyrave që i kanë. Duhet t’i ushtrojnë përgjegjësitë e tyre të gjithë dhe t’i adresojnë vështirësitë që i kanë”, ka thënë Pajaziti.

Tutje sipas tij, më pak kemi nevojë për vizita e postime në medie, dhe më shumë vizita pune dhe një qasje proaktive në ushtrimin e plotë të sovranitetit dhe shtetësisë.

“Ne, atje duhet t’u japim mesazhe qytetarëve se shteti ynë kujdeset për të gjithë pa dallim. Ne nuk duhet të japim shembullin e Beogradit dhe ndikimit të tyre në dëm të qytetarëve serbë të Kosovës”, ka thënë Zenun Pajaziti, deputet në Kuvendin e Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat