Politikanët e harruan “copën e Kosovës” të dëshiruar nga Serbia!

Politika

Politikanët e harruan “copën e Kosovës” të dëshiruar nga Serbia!

Zejnepe Bekteshi Nga Zejnepe Bekteshi Më 4 prill 2019 Në ora: 11:06
Foto ilustruese

Në shtator të vitit të kaluar për herë të parë, presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga dy ministra, dhe Forcat e Njësisë Speciale, do të vizitonte Liqenin e Ujmanit. Atë vizitë, ndonëse ishte e para, Thaçi do ta cilësonte si të zakonshme.

Thaçi këtë vizitë është munduar ta paraqesë si një relaksim në fundjavë, ku ka shëtitur edhe me një barkë.

Ndërkaq, ka bërë thirrje që Ujmani të vizitohet edhe nga banorët e qyteteve të tjera.

Që nga ajo kohë, nuk ka pasur asnjë vizitë zyrtare e as “relaksuese” nga krerët e shtetit që nga presidenti, kryeministri, e ministrat e kësaj qeverie e as nga opozita.

Në këtë kohë kur ka zëra që pjesa e Mitrovicës veriore, mund të jetë pjesë e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, ajo po anashkalohet nga udhëheqësit e shtetit.

Gazeta “Bota sot”, ka tentuar të kontaktojë me zyrën e kryeministrit të Kosovës, në lidhje më atë se a është në agjendën e tij vizita në këtë pjesë të Kosovës, mirëpo këta të fundit nuk kanë kthyer përgjigje.

Pajaziti: Nuk duhet të japim shembullin e Beogradit

Image
Zenun Pajaziti

Ndërsa, lidhur me këtë temë, për gazetën “Bota sot”, deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Zenun Pajaziti, ka thënë se, jo vetëm drejtuesit e institucioneve, por të gjithë mund dhe duhet të lëvizin lirshëm në veri të vendit.

“Unë e di që përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës frekuentojnë andej sipas nevojës dhe detyrave që i kanë. Duhet t’i ushtrojnë përgjegjësitë e tyre të gjithë dhe t’i adresojnë vështirësitë që i kanë”, ka thënë Pajaziti.

Tutje sipas tij, më pak kemi nevojë për vizita e postime në medie, dhe më shumë vizita pune dhe një qasjeproaktive në ushtrimin e plotë të sovranitetit dhe shtetësisë.

“Ne, atje duhet t’u japim mesazhe qytetarëve se shteti ynë kujdeset për të gjithë pa dallim. Ne nuk duhet të japim shembullin e Beogradit dhe ndikimit të tyre në dëm të qytetarëve serbë të Kosovës”, ka thënë ZenunPajaziti, deputet në Kuvendin e Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës.

Millaku: Liderët tanë duhet t`i ndërpresin pazaret me nëntokën serbe të veriut

Image
Drita Millaku

Drita Millaku, deputete në Kuvendin e Kosovës, nga radhët e VV-së thotë se, krerët e shtetit duhet të binden se janë në qeverisje për të qeverisur këtë vend dhe jo për të vjedhur.

Sipas saj, vetëm atëherë do të mund të jenë të vendosur në një rrugë që do të integronte veriun e vendit.

“Duhet t`i ndërpresin pazaret me nëntokën serbe të veriut dhe duhet të tregohen të vendosur në relacion me bashkësinë ndërkombëtare dhe me serbët e veriut. Me shtrirjen e sovranitetit real edhe në veri vetëm atëherë serbët lokal, do të besonin dhe do të bashkëpunonin”, ka thënë Millaku.

Gecaj: Vendi duhet të shkoj në zgjedhje sa më parë

Image
Bajram Gecaj

Ndërsa, Bajram Gecaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), thotë se, çelësi i mundësisë së vizitave legale është vazhdimi i dialogut dhe përfundimi i suksesshëm i tij.

“Pra, arritja e njëmarrëveshjeje përfundimtare e cila do të rezultonte me njohje të dyanshme. Kjo nomenklature qeverisëse ka provuar se nuk mund ta bëjnë këtë, prandaj vendi duhet të shkoj në zgjedhje sa më parë”, tha Gecaj për “Bota sot”.

Abdullahu: Veriu po anashkalohet deri në bojkot institucional nga qeveria Haradinaj

Image
Faton Abdullahu

Ndërkaq, Faton Abdullahu, ish-këshilltar i kryeministrit të Qeverisë së kaluar, Isa Mustafa, thotë për “Bota sot” se, kot e kundërshton Qeveria Haradinaj propozimin e Presidentit Thaçi për korrigjim të kufirit, gjë që në fakt është shkëmbim territoresh me Serbinë, sepse me atë që nuk po bën në veri të vendit, askush më shumë se kjo qeveri nuk po i kontribuon krijimit të gjendjes faktike në terren si përgatitje për shkëmbim të territorit me Serbinë.

“Veriu i Kosovës po anashkalohet deri në bojkot institucional nga qeveria Haradinaj. Kështu po ndodhë sepse kjo qeveri nuk është as e guximshme as unike, për të ndikuar dhe për ta ndryshuar gjendjen për të mirë në veri duhet strategji qeveritare për të cilën duhet pajtim dhe pragmatizëm”, ka thënë Abdullahu.

Tutje, Abdullahu shton se, koalicioni PAN sot jo vetëm që ka mosmarrëveshje, por ato tashmë janë kthyer edhe në përçarje.

“Përbrenda saj kemi akuza e kundërakuza të vazhdueshme. Kjo qeveri, përgjithësisht ky koalicion nuk mund të bëj asgjë në veri. Për rrjedhojë me mosbërje gjendja atje po stërkeqet dhe po mbetet plotësisht nën ndikimin e Beogradit zyrtarë dhe bandave kriminele”, shtoi FatonAbullahu.

Ai thotë se, kjo përçarje bashkë me propozimin e Presidentit për korrigjim të kufirit ka determinuar shumë efekte negative.

“Një nga ato është edhe refuzimin e stërkequr i përfaqësuesve të komunitetit serb, mbase i një shumice të vetë këtij komuniteti, ndaj institucioneve të vendit tonë. Pse duhet përfaqësuesit e komunitetit serb të marrin mundin të bëhen pjesë e institucioneve të Kosovës, kur është përhapur shumë projekt-propozimi se veriu do t’i bashkëngjitet Serbisë. Duket se sipas këtyre përfaqësuesve, ky refuzim e shtyn përpara propozimin e korrigjimit të kufirit, përkatësisht shkëmbimin e territoreve me Serbinë. Rrjedhimisht i bije se, sa më shumë që serbët i refuzojnë institucionet tona, aq më shumë e ushqejnë propozimin për shkëmbim të territoreve më Serbinë. Për të gjtha këto Qeveria Haradinaj vazhdon me konsekuencë të mos bëj asgjë”, ka përfunduar Abdullahu.

Tahiri i quan liderët hipokrit

Image
RamushTahiri

Ndërkaq, politologu RamushTahiri, thotë për “Bota sot” se, të gjithë liderët politik, kanë deklaruar shumë e shumë herë se Kosova është një dhe e pandashme.

“Pushteti i Kosovës shtrihet në të gjithë territorin e saj, por shumë pak kanë dalur në veri të lumit Ibër për të vizituar komunat, fshatrat, banorët objektet ekonomike apo për të mbajtur ndonjë mbledhje të institucioneve apo në ndonjë asamble komunale. Liderët tanë të zgjedhur apo të emëruar si zakonisht janë hipokritë dhe ata opinionit iu drejtohen kur ata e vlerësojnë se është e dobishme për ta e jo kur u kërkohet apo kur e kanë obligim ligjor apo kur duhet me i dhënë llogari për punën e tyre institucioneve që i kanë zgjedhë”, ka thënë Tahiri.

Tahiri shtoi se, arsyetimeve për mosshkuarje në veri të lumit Ibër, ku është pak më shumë se dhjetë për qind e territorit të Republikës së Kosovës, nuk duhet kushtuar vëmendje.

“Udhëheqja e Kosovës e të gjitha niveleve thirret në faktor stabiliteti, në faktorin e jashtëm, në KFOR në EULEX e në gjithçka tjetër por faktikisht e administron pushtetin për vete dhe oligarkitë e klientelen evet partiake, klanore e krahinore dhe e ndanë pasurinë pa pasur vizion për të ardhmen e Kosovës dhe të popullit të saj. Thjeshtë nuk ka kush që i detyron liderët e Kosovës të shkojnë në veri të Kosovës, as vet as me delegacione ndërkombëtare e as me delegacione të Serbisë. Nuk kanë as programe të komunikimit e të integrimit të qytetarëve pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare apo fetare në këtëpjesë të vendit qëështë Kosovë”, tha tutje politologu Ramush Tahiri.

Tahiri konsideron se, udhëheqja e Kosovës asnjëherë nuk ka organizuar as takim e as bisedë me shqiptarët e shpërngulur dhunshëm nga pjesa veriore e qytetit të Mitrovicës.

“Janë rreth 12 mijë e që nuk kanë të drejtë të kthehen në shtëpitë e tyre që prej vitit 2000, biles kjo udhëheqësi lejoi që të krijohet komuna e Mitrovicës veriore në bazë të spastrimit etnik, duke legalizuar segregacionin dhe duke u pamundësuar institucionalishtqytetarëve në shtëpitë dhe në pronat e tyre. Kjo udhëheqësi asnjëherë nuk bëri plan apo nuk ndau mjete nga buxheti për kthim edhepserregullisht e financon komunën e Mitrovicës”, ka përfunduar Tahiri.

Maloku:Veriu iu dhurua Serbisë me dëshirë

Image
Fadil Maloku

Kurse, profesori në Universitetin e Prishtinës, Fadil Maloku, thotë se,  mosvizita, në sytë e ndërkombëtareve qon një mesazh  kinse për “neutralitetit” politik, që është sa meskin aq edhe absurd.

“Sepse, Kosova me Kushtetutën dhe me mendimin e Gjykatës ndërkombëtare, ka një tërësi territoriale të njohur ndërkombëtarisht. Pra, shuma sumarum me aktin e abstenimit nga sundimi i ligjit, dhe kontrollit politik, kjo klasë politike, pjesën veriore si thuhet me “dëshirë” ia ka “dhurua” Serbisë....”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat