“Maskarada e dialogut është orkestruar nga idetë për përfitime personale të Vuçiqit, Thaçit dhe Mogherinit”

Politika

“Maskarada e dialogut është orkestruar nga idetë për përfitime personale të Vuçiqit, Thaçit dhe Mogherinit”

Nga: G.B Më: 4 prill 2019 Në ora: 15:28
Haki Abazi

Prej kohësh dialogu Kosovë-Serbi është pezulluar, për shkak të taksës së vendosur ndaj produkteve serbe, pa heqjen e të cilës, Serbia nuk dëshiron ta vazhdojë dialogun.

Për këtë, njohësi i çështjeve politike në vend, Haki Abazi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se e gjithë maskarada me dialogun është e orkestruar nga idetë për përfitime personale të Vuçiqit, Thaçit dhe Mogherinit.

“E gjithë maskarada me dialogun është e orkestruar nga idetë për përfitime personale të Vuçiqit- Thaçit dhe Mogherinit. Këtyre ideve ju ka dalë afati dhe janë ekspozuar. Në Serbi njerëzit nuk janë duke blerë mashtrimin e Vuçiq se ai kinse po angazhohet për të mbrojtur interesin e Serbisë, në Kosovë askush nuk ka pranuar përveç disa profiterëve në grupin negociator që të përkrah Thaçin dhe ai tani më është i ekspozuar se nuk mundet i vetëm të detyrojë qytetarët dhe partitë opozitare por edhe disa nga pozita te pranojnë siç thotë ai kompromisin e dhimbshëm apo shkëmbimin e territoreve”, është shprehur ai.

Sipas Abazit, Mogherini ka dashur që të dalë me një sukses në mandatin e saj, derisa përmend se nga taksa duhet të gjithë të jenë fitues dhe humbës dhe se për shkak të gjendjes së vështirë të Ballkanit, po bëhet dhe ikja e qytetarëve.

“Në anën tjetër Mogherini ka dashur të dalë nga zyra me një sukses të madh në mandatin e saj. Marrëveshja me Iranin ka dështuar sepse SHBA-të janë tërhequr, në Palestinë nuk ka pasur sukses, Siria është një lëmsh i pafund, Krimea mbetet e pushtuar dhe Ballkani në përgjithësi  ka shënuar regres në marrëdhëniet ndërshtetërore, sidomos për faktin se janë injoruar marrëveshjet dhe përveç në rastin e Greqisë dhe Maqedonisë Veriore, të gjitha marrëdhëniet tjera janë në gjendje shume fraxhile. Kjo ka bërë që në fakt nga tarifat e vendosura ndaj Serbisë të gjithë të jenë fitues dhe të gjithë të jenë humbës. E vërteta është se është duke u injoruar gjendja e vështirë të popullatës së Ballkanit që është shumë vështirë dhe po bëhet zbrazja apo ikja e qytetarëve nga këtu në mungesë të perspektivës e cila është e kapur nga krimi i organizuar e që po bashkëpunon në të gjitha vendet e Ballkanit”, ka deklaruar Haki Abazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat