Farefisi negociator

Politika

Farefisi negociator

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 5 prill 2019 Në ora: 20:23
Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj

“Ky grup negociator është për turp dhe duhet ndaluar që të shpenzojë paratë e taksë paguesve. Përgjigjet e Kryeministrit se nuk e di kush janë të punësuarit po ashtu tregojnë për nivelin e injorancës dhe parëndësisë së këtij grupi koti”, ka thënë analisti politik Haki Abazi.

Fatmir Limaj me nip e Shpend Ahmeti me dy tezakët e tij, ia kanë msyrë drejtimit të Ekipit Negociator të Kosovës, në bisedimet me Serbinë. Pjesë e Zyrës Administrative të Ekipit Negociator, është djali i motrës së Fatmir Limajt, Endrit Zabërgja. Ndërkaq, dy tezakët e njohur të politikës, Shpend Ahmeti e Visar Imeri, janë përkujdesur që në ekip të bisedimeve ta inkuadrojnë tezakun tjetër të tyre Nezir Ismailin.

Njohësit e çështjeve politike dhe deputetët kanë vlerësuar se Grupi Negociator është një grup koti që është bërë nga njerëzit që nuk kanë aspak kredibilitet tek qytetarët.

Sipas tyre, Nisma si PSD, kanë marrë modelin e PDK-së, e cila nuk ka çarë kurrë kokën për mbrojtjen e interesit të përgjithshëm por politikën e ka përdorur si një ndërmarrje për punësim.

“Grup negociator që merret vetëm me interesa klanesh e familjare”

Deputeti i LDK-së, Naser Rugova, ka thënë se ky grup negociator është formuar pa konsensus të gjerë politik dhe nacional dhe kryesohet nga dy bashkë kryesues, njeri nga grupi i katërt politik në kuvend e tjetri nga partia e shtatë parlamentare në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka thënë se, askush nuk e merr seriozisht këtë grup negociator, madje edhe në Bruksel takohen me zyrtarë të nivelit të tretë.

Image
Naser Rugova

“Angazhimi i familjarëve të dy bashkë kryesuesve tregon edhe njëherë logjikën e mjerë dhe mentalitetin e kësaj qeverie dhe nivelin përfaqësues të këtij grupi farefisi. Po shihet fare mirë se ku e solli Kosovën ky nivel përfaqësimi, askund nuk arrihet me logjikë dhe grup të tillë negociator i cili merret vetëm me interesa klanesh e familjare”, ka thënë deputeti Rugova.

PSD dhe Nisma si PDK

Kurse, anëtari VV-së Avni Zogiani, ka thënë se partitë minorene duke qenë se e dinë se nuk mund të pretendojnë përfaqësim të shumicës, pra nuk munden të krijojnë kredibilitet, dëshirojnë që së paku procesin negociator ta shfrytëzojnë për të sistemuar anëtaret dhe familjarët e tyre.

Image
Avni Zogiani

“Tashmë është e qartë se PSD-ja si Nisma, apo Nisma si PSD, kanë marrë modelin e PDK-së, e cila nuk ka çarë kurrë kokën për mbrojtjen e interesit të përgjithshëm por politikën e ka përdorur si një ndërmarrje për punësim”, ka thënë Avni Zogiani.

Abazi: Ky grup negociator është për turp

Nga ana tjetër, analisti politik Haki Abazi, ka thënë për “Bota sot” se, grupi negociator është një grup koti që është bërë nga njerëzit që nuk kanë aspak kredibilitet tek qytetarët.

Sipas tij, Thaçi ka menduar dhe ende mendon se do të bëjë mashtrimin e LDK-së dhe LVV nëpërmjet grupit negociatore.

Image
Haki Abazi

“Nuk më vjen keq të them që Famtir Limaj është njeriu që mashtrohet me dhjetëra herë për të krijuar mundësi për punësim. Ndërsa, për PSD-në grupi negociator është një kullotë e huaj, në të cilën kanë rënë rastësisht. PSD-ja për çdo ditë është duke gërmihur varrin e tyre. Vizitat turistike vazhdojnë përderisa kryeqyteti është në gjendjen më të mjerueshme që ka mund të jetë dhe i ngjason ditëve të para kur jemi kthyer nga paslufta. Ky grup negociator është për turp dhe duhet ndaluar që të shpenzojë paratë e taksë paguesve. Përgjigjet e Kryeministrit se nuk e di kush janë të punësuarit po ashtu tregojnë për nivelin e injorancës dhe parëndësisë së këtij grupi koti”, ka thënë analisti politik Haki Abazi.

Haziri: Ky i ashtuquajtur ekip negociator është i dëmshëm për Kosovën

Ndërsa, opinionsti, Nexhat Haziri, ka thënë se ekipi negociator është një ekip teknik mbështetës i presidentit Thaçi pa një legjitimitet mbi një konsenzus politik dhe qytetar për të negociuar në emër të Kosovës në dialogun Kosovë-Serbi.

Sipas tij, ky ekip negociator, nuk ka përkuar më formatin e bisedimeve të cilat në kohën e fundit janë zhvilluar në nivel presidentësh.

Image
Nexhat Haziri

“Dhe unë pyes se më kë do të negocionte ky ekip, përpos dy-tri vizitave turistike që i ka bërë në Bruksel. I tillë siç është ky ekip i ka konvenuar vetëm presidentit Thaçi, ndryshe as që do të ekzistonte fare, pasi vet PDK-ja nuk do ta votonte diçka që nuk do të ishte i pranueshëm për presidentin Thaçi, apo që ta pengonte këtë të fundit në agjendën e vet politike e cila nuk përkon edhe me interesat e vendit”, ka thënë Haziri.

Ai konsideron se, nuk është pritur asgjë më shumë e as më ndryshe, përveç se një ''ndërmarrje" koti e që do ju shërbej partive në pushtet dhe grupit të "Devollistëve".

“Në këtë rast i shërbeu PSD-së për punësimin e njerëzve më të afërt, familjarëve, militantëve partiak, siç është rasti me nipin e Fatmir Limaj dhe tezakët e Shpend Ahmetit. Pra ky i ashtuquajtur ekip negociator është i dëmshëm për Kosovën jo vetëm sa i përket buxhetit të Kosovës, por edhe në aspektin e përgatitjes dhe seriozitetin që duhet ta ketë Kosova në fazën e fundit të dialogut me Serbinë.

Andaj, mendoj se opozita duhet urgjentisht të thërras seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit dhe të kërkoj shkarkimin e këtij të ashtuquajturi ekip negociator”, ka thënë opinionisti, Nexhat Haziri.

Duhanaj: Familjarët në ekip, të rinjt tjerë para ambasadave

Kurse, analisti politik, Leon Duhanaj, ka thënë se sipas disa publikimeve rreth personave që janë përfshirë në grupin negiciatorë, vërtetë nuk ka fjalë për ta përshkruar turpin.

Image
Leon Duhanaj

“Kjo më bën vërtetë të mendoj, se a jemi ne për shtet dhe, a e meritojmë atë? Politika e Kosovës po e dëshmon çdo ditë se sa e paskrupullt është. Një grup të rinjsh, edhe po të ishin me aftësi të jashtëzakonshme, thjeshtë u mungon eksperienca jetësore për t'u bërë pjesë e këtij grupi. Një i ri mundet me së shumti të bartë ndonjë çantë të ndonjë zyrtari e jo më shumë. Si po luhet me fatin e këtij populli vërtetë është për t'u marrosur që të gjithë. Pastaj, si ka mundësi që pa marrë parasysh se ku ndodhin punësimet, të jenë të gjithë të afërt me politikën. A ka Kosova edhe njerëz të tjerë që meritojnë, apo të tjerët janë duke pritur para ambasadave, apo tanimë veç e kanë lëshuar Kosovën”, ka thënë analisti politik Leon Duhanaj.

Zogaj: Ka joseriozitet në dialog

Ndërsa, analisti politik, Skender Zogaj, ka thënë se Kosova i ka nisur negociatat në mënyrën më të keqe të mundshme, duke ia besuar kështu fatin e bisedimeve një aktivistje mashtruese, e cila me vjet na ka gënjyer duke thënë se bëhej fjalë për “bisedime teknike” e në fakt, siç po e shohim të gjithë, doli që bisedimet kanë qenë fillim e mbarim politike dhe se, pala e Kosovës ka shkuar në bisedime për ta bërë “argatin e dreqit”.

Sipas tij, tani është gjithçka vonë, sepse Kosova është humbësja e madhe, në të gjitha pikëpamjet.

Image
Skender Zogaj

“Tashmë nuk ka kurrfarë rëndësie se çfarë grupi negociator kemi, sepse, edhe më i miri i botës të ishte, vjen si “kofini pas të vjelave”. Unë nuk jam shumë i njohur me familjarizimet e grupit por më mjafton të them se, Shpend Ahmeti nuk e di kë e përfaqëson dhe pse është përfshi në grup?! Kjo tregon mos seriozitet të plotë, si në fillimet e dialogut kur Edita Tahiri tallej me fatin historik të Kosovës e cila dikujt po i konvenon që të bëhet “Livadh i shkretë, që ta kullosin kuajt e verbët ”,ka thënë analisti politik Zogaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat