Taksa, “bombë e kurdisur” brenda koalicionit PAN

Politika

Taksa, “bombë e kurdisur” brenda koalicionit PAN

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 6 prill 2019 Në ora: 11:41
Qeveria e Kosovës, foto arkiv

Reagime të shumta pro taksës 100% ndaj produkteve që vinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, pati kur ajo u vendos nga Qeveria e Kosovës. Por, reagime kundër saj, ku dhe u kërkua edhe heqja ose pezullimi i saj pati nga Bashkimi Evropian, Serbia dhe shtete mike si SHBA, Britania e Gjermania. Përpos reagimeve, vendosja e taksës ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës, solli në Kosovë shumë zyrtarë të huaj.

Por, pavarësisht kërkesave dhe presionit që taksa të hiqet, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk e hoqi as pezulloi taksën dhe tha se këtë nuk do ta bëjë derisa Serbia ta njeh Kosovën si shtet i pavarur.

Pati dhe deklarata se ndaj Kosovës do të ketë sanksione në rast se taksa nuk hiqet, por as kjo nuk e bindi qeverinë që ta heqë atë.

Për shkak të vendosjes së taksës, është pezulluar dialogu me Serbinë, pasi kjo e fundit nuk do të dialogojë pa heqjen e saj.

Por, a ishin kërkesat për heqjen e taksës dhe vendosjen e taksës “shumë zhurmë për asgjë”, apo ka diçka më shumë përtej kësaj?

Rugova: Kjo qeveri e ka sjellë vendin në një rrugë pa krye

Image
Naser Rugova

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, ka thënë për gazetën “Bota sot” se taksa është temë aktuale në çdo takim të zyrtarëve të Kosovës me përfaqësues ndërkombëtarë.

“Vlerësoj se kjo temë është aktuale, në çdo takim të zyrtarëve të Kosovës me përfaqësues ndërkombëtarë, është refren i njohur tani veçmas nga BE për pezullimin e taksës dhe fillimin e dialogut me Serbinë, këtë e bëri së fundmi edhe përfaqësuesja e BE-së në Kosovë znj. Apostolova”, është shprehur ai.

Sipas Rugovës, aktualisht s’ka pezullim takse dhe dialogu është ndërprerë, ndërsa për të tjera sanksione duhet të ketë arsye shumë të fortë, por që sipas tij, Qeveria e ka sjellë vendin në rrugë pa krye.

“Në rrethanat e krijuara është një status quo, s’ka pezullim takse, dialogu është ndërprerë, kurse për sanksione ndaj një vendi duhet të ketë arsye shumë të forta. Por kjo qeveri e ka sjellë vendin në një rrugë pa krye dhe çdo dite po vritet shpresa e qytetarëve të vendit”, ka deklaruar deputeti Rugova për “Bota sot”.

Lepaja: Në parlamentin e ri evropian pritet që të ikë prorusja Mogherini

Image
Fadil Lepaja

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike Fadil Lepaja, është shprehur se taksa është instrument politik, që Serbia të reflektojë për interesat e veta.

“Taksa është instrument politik, për ta bërë Serbinë të reflektojë për interesat e veta dhe për ta penalizuar, kategoritë kosovare që për interesa të ngushta po bënin kompromise me Serbinë”, është shprehur ai për gazetën “Bota sot”.

Lepaja përmend dhe faktin se Mogherini pritet të zëvendësohet dhe me këtë pazaret në kurriz të Kosovës do të zhvlerësohen dhe bisedimet do të bien në binarë.

“Po ashtu, sipas të gjitha parashikimeve, në parlamentin e ri evropian pritet që të ikë prorusja Mogherini dhe të zëvendësohet me një politikan/e evrocentriste. Me këtë edhe pazaret e bëra në kurriz të Kosovës do të zhvlerësoheshin dhe bisedimet do të binin në binarë që qojnë kah integrimet evropiane”, ka deklaruar Fadil Lepaja.

Preteni: I vetmi që mund të pësojë nga kjo është kryeministri

Image
Musa Preteni

Në anën tjetër, politologu Musa Preteni, ka thënë për gazetën “Bota sot” se taksa është një nga vendimet më të rëndësishme të Kosovës në raport me Serbinë.

“Fillimisht unë mendoj që taksa është njëri nga vendimet më të rëndësishme që shteti i Kosovës ka marrë në raport me Serbinë, ku për herë të parë përmes një vendimi shtetëror Kosova i ka shkaktuar dëm të brendshëm ekonomik Serbisë duke ia shtuar kësaj edhe përfitimet e Kosovës në rrafshin politik sepse vendimi ka qenë ekskluzivisht me motive politike”, është shprehur ai.

Sipas Pretenit, zhurma dhe presioni i madh për heqjen e taksës janë heshtur në publik, por që Haradinaj përballet me to nga ndërkombëtarët dhe partnerët e koalicionit.

“Zhurma dhe presioni i madh për heqjen e taksës kohët e fundit sikur është heshtur se paku në publik, sepse konsideroj që kryeministri ende përballet së brendshmi me diçka të tillë edhe nga ndërkombëtarët por edhe nga partnerët e koalicionit që udhëheq.”, ka vlerësuar ai.

Politologu më tej vlerëson se sa i përket sanksioneve është bërë më shumë zhurmë se realiteti, derisa sa i përket SHBA-ve, vendimet e tyre nuk janë të nxituara asnjëherë dhe kryeministri është i vetmi që mund të pësojë.

“Sa i përket sanksioneve konsideroj që është bërë shumë më shumë zhurmë se sa realiteti faktik, sidomos raporti ynë më SHBA-të të cilat kanë investuar aq shumë në Kosovë si financiarisht, politikisht dhe në aspektin strategjik, andaj vendimet e tyre asnjëherë nuk kanë qenë dhe as nuk do të jenë të nxituara, por gjithmonë bazuar në racionalitet dhe interes afatgjatë. I vetmi që mund të pësojë nga kjo është kryeministri por asnjëherë Kosova”, ka deklaruar Musa Preteni për “Bota sot”.

Abdullahu: Taksa po e mban të përçarë koalicionin

Image
Faton Abdullahu

Kurse, analisti politik Faton Abdullahu, për gazetën “Bota sot” ka vlerësuar se taksa ishte reagim logjik për agresivitetin e Serbisë, por qëështë e çuditshme që brenda koalicionit PAN nuk e ka e as nuk kishte pajtim për këtë masë kundër Serbisë.

“Për shkak të agresivitetit të saj të papërmbajtur i cili edhe kërcënon paqen në rajon, Serbia meriton ndëshkim edhe më të madh se sa taksa. Në këtë aspekt taksa ishte reagim logjik ndaj këtij agresiviteti. E çuditshme është se përbrenda koalicionit PAN nuk kishte as nuk ka pajtim rreth kësaj mase kundër Serbisë. Këto mospajtime determinohen nga interesa të ngushta klanore e partiake ku interesi i Kosovës si duket nuk është në rend të parë”, ka thënë Abdullahu.

Sipas tij, PAN duket se është pajtuar me këtë gjendje heshtjeje dhe arsye kryesore për këtë është se mund të ketë mospajtime brenda koalicionit, nëse lëvizet drejt dialogut me Serbinë.

Madje Abdullahu ka vlerësuar se taksa po e mban të përçarë koalicionin dhe ka krijuar një status quo.

“Për rrjedhojë ky koalicion si duket është pajtuar në heshtje me një gjendjen të tillë inerte e cila nuk po ndryshon për shumë arsye. Arsyeja kryesore pse i konvenon koalicionit PAN kjo gjendje është se çdo lëvizje sidomos në drejtim të dialogut me Serbinë mund t’i fut partnerët e koalicionit në mospajtime të reja dhe t’i shpalos ato të vjetra. Për shkak se ky koalicion është i përçarë nuk po mund të krijojë as politika as strategji unike efikase për shumë gjëra e më së paku për përballje me Serbinë në dialog. Vështruar në këtë drejtim taksa po e mban koalicionin e përçarë dhe ka krijuar një status quo. Nga kjo gjendje duhet të dilet sa më shpejt por për këtë si duket nga pozita aktuale nuk ka përgjigje si dhe kur”, ka deklaruar Faton Abdullahu për gazetën “Bota sot”.

Ndryshe, zyrtarët shtetërorë të Serbisë kanë deklaruar se do ta dërgojnë në Gjykatën e Arbitrazhit çështjen e taksës ndaj produkteve serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat