Vizita e Haradinajt në SHBA, taksa po përjeton ditët e fundit

Politika

Vizita e Haradinajt në SHBA, taksa po përjeton ditët e fundit

Nga: N.H Më: 6 prill 2019 Në ora: 22:38
Ramush Haradinaj

I pari i Qeverisë së Kosovës, ka udhëtuar këtë fund javë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), ku edhe do të marrë pjesë në disa aktivitete.

Këtë vizitë Haradinaj është duke e bërë me ftesë të Komunitetit Katolik shqiptar “Shën Pali” në Detroit, për të marrë pjesë në shënimin e 108-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë.

Lajmin për arritjen në Detroit e ka bërë të ditur vet Haradinaj përmes një fotografie të postuar në Facebook.

“Sapo kam arritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Detroit, ku do të marrë pjesë në shënimin e 108-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë, me ç’rast do të zhvillojë takime edhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Amerikë, autoritete të Detroit-it dhe zyrtarë tjerë të ShBA-së”, ka shkruar dje Haradinaj.

Njohësit e zhvillimeve politike në vend po konsiderojnë se vizita e të parit të ekzekutivit në SHBA, do ta bëjë që ky i fundit të merr krejtësisht një qasje tjetër sa i përket zhvillimeve të fundit në vend.

Analisti politik, Faton Mehmeti, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, është shprehur se nuk ka fuqi politike në botë që të mund t'i rezistojë SHBA-ve, dhe me këtë beson se edhe kryeministri Haradinaj do të ndryshojë qasjen e tij ndaj taksës.

Image
Faton Mehmeti

“Besoj se pas vizitës se kryeministrit Haradinaj në SHBA do të ketë ndryshim të qasjes ndaj taksës, dhe rrjedhimisht do vazhdohet dialogu me Serbine. Nuk ka fuqi politike në botë që të mund t'i rezistojë SHBA-ve, e mos të flasim për Kosovën e Hardinajn që janë një pikë uji në oqean. Andaj, me taksen Haradinaj e ka përdorur për të rritur popullaritetin për konsum të brendshëm”, ka thënë Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

Analisti politik thekson se nëse nuk do të ketë reflektim nga kryeministri Haradinaj, vendi shumë shpejt do përgatitet për zgjedhje të reja.

Në fund ai nënvizon se taksa është në ditët e fundit të saj, dhe sipas Mehmetit përveç konsumit të brendshëm nuk ka dhënë ndonjë efekt tjetër.

“Nëse nuk reflekton Haradinaj do kemi zgjedhje të reja, megjithatë jam i bindur se do të ndryshojë qëndrimin sapo të kthehet nga SHBA. Përveç tjerave SHBA do ia “ngreh veshin” Haradinajt edhe për korrupsionin e lartë, dhe keqqeverisjen. Gjithsesi taksa është në ditët e fundit të saj, që përveç konsumit të brendshëm nuk ka dhënë ndonjë efekt tjetër”, ka thënë analisti politik, Faton Mehmeti për gazetën “Bota sot”.

Ndryshe, kujtojmë se kryeministri i vendit Ramush Haradinaj në vazhdimësi është përballur me refuzimin e vizës amerikane, mirëpo pas shumë përpjekjeve një gjë e tillë më në fund është realizuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat