Vetëvendosje kërkon koalicion parazgjedhor me LDK-në

Politika

Vetëvendosje kërkon koalicion parazgjedhor me LDK-në

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 9 prill 2019 Në ora: 10:16
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

Kosova aktualisht ndodhet në një situatë politike jo të favorshme derisa udhëhiqet nga një qeveri që nuk i ka numrat e nevojshëm për të marrë vendime të rëndësishme. Megjithatë, kjo qeveri pretendon të vazhdoj punën e saj deri në fund të mandatit të saj katër vjeçar.

Opozita këmbëngulë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja, duke e parë këtë si opsion të mundshëm daljen nga kjo situatë.

Millaku: Koalicioni parazgjedhor mes LVV dhe LDK është më se i domosdoshëm

Image
Drita Millaku

Kështu deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, në një përgjigje për “Bota sot” thotë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja dhe sipas saj, ato janë të pashmangshme.

“Qeveria ka një kohë që nuk i ka numrat dhe disa ligje që kanë kaluar janë bërë me vota klandestine të cilat janë siguruar nga PSD-ja. Zgjidhja janë zgjedhjet e parakohshme të cilat janë të pashmangshme nëse ka demokraci në  këtë vend”, thekson Millaku.

Deputetja Millaku thotë po ashtu se një rotacion i pushteti do të bëhej nëse Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje do të hynin në një koalicion parazgjedhor.

“Besoj se përpos zgjedhjeve të parakohshme kusht që të ketë prosperitet, reformë dhe ndryshim pozitiv është rotacioni i pushtetit dhe kjo arrihet sigurt nëse VV dhe LDK hyjnë në koalicion parazgjedhor do të krijoheshin kushtet për kthimin e shpresës së këtij populli të vuajtur nga zgjedha serbe e tani edhe nga hajnia, korrupsioni dhe krimi i organizuar tanimë shtetëror”, vlerëson Millaku.

Sipas saj, koalicioni parazgjedhor mes LVV dhe LDK është më se i domosdoshëm.

Gecaj: Herët të flitet për koalicione

Image
Bajram Gecaj

Ndërkohë, edhe zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj, thotë për “Bota sot” se Kosovës i duhen zgjedhje të reja sa më parë.

“Pajtohem plotësisht se Kosovës i duhen domosdoshmërish zgjedhje të reja sa më parë, përndryshe vendi po ecë me hapa të sigurt drejt një degradimi të rrezikshëm, me pasoja serioze për të ardhmen e vendit. Në fakt, zgjedhjet ishin të nevojshme dje e pardje, dhe ato definitivisht janë të vonuara sot”, thekson Gecaj.

Sa i përket koalicionit me VV-në, ai thotë se është ende herët të flitet për koalicione.

“Unë besoj se është herët të flitet për koalicione parazgjedhore por edhe pas zgjedhore në këtë kohe; me rëndësi është që vendi të shkoj në zgjedhje dhe të fitohet një legjitimitet i pakontestuar për proceset shumë të rëndësishme të cilat na presin në muajt dhe vitet në vijim”, thotë Gecaj.

Zogaj: Opozitës i intereson vetëm posti i kryeministrit

Image
Skender Zogaj

Ndërkaq, për njohësit e çështjeve politike kanë pak shpresa se mund të bëhen ndryshime për të mirë, pasi kjo situatë si e tillë i konvenon edhe pozitës edhe opozitës.

Kështu, njohësi i çështjeve politike, Skender Zogaj, thotë se në rrethanat aktuale të krizës së thellë që karakterizohet nga degradimi  i thellë politik, ekonomik e moral gjithë popullor, shpresa për ndryshim është shumë e vogël.

“Kjo vjen edhe për faktin se, shtetasit masivisht janë imunizuar me përbuzjen institucionale, si në kohën e robërisë, dhe kjo e pamundëson krijimin e një qeverie të mirë dhe funksionale  afatgjate. Gjendja e tashme i konvenon shumë klasës politike, si partive në pushtet edhe atyre opozitare, të cilat pushtetin e duan, jo për ta nxjerr vendin nga kriza, por për ta vazhduar traditën”, thekson ai.

Sipas Zogajt, pasqyra e degjenerimit të Kosovës është vetë kuvendi i saj.

“Pasqyra më e qartë e degjenerimit kulmor është Kuvendi i Kosovës, ku janë strehuar horrat dhe fallgjeshat beng e beng, që pos interesave personale dhe të kruzhokut përkatës partiak, nuk kanë asnjë brengë tjetër! Ky është edhe fiqiri i opozitës aktuale, e cila nuk e ka as edhe një ide të vetme për dalje nga kjo gjendje! Prandaj, raporti i numrave pozitë dhe opozitë u shkon për shtati dy palëve, që të rrinë kështu, derisa emisarët “kapuçonë”  e të arrijnë ndonjë marrëveshje të  re të fshehtë për të ndryshuar përbërjen qeverisëse, por jo mënyrën e punës së tashme”, thotë ai.

Ai madje kritikon edhe opozitën, LDK-në e VV-në që sipas tij në vend se të punojnë në drejtim të ndryshimit të qeverisjes, ata po synojnë rrëmbimin e pozitës së kryeministrit.

“Oponentët kryesor të opozitës, (LDK e VV) në vend se të preokupohen për ndryshimin e qeverisjes, kohëve të fundit janë në zavall si ta rrëmbejnë pozitën e kryeministrit! Kjo tregon se situata është shumë e rëndë dhe vështirë të ndryshoj për më mirë”, vlerëson analisti Zogaj.

Krasniqi: Koalicioni LDK-VV Formula më e mirë  

Image
Faik Krasniqi

Nga ana tjetër, analisti Faik Krasniqi duke e parë Partinë Socialdemokrate që nuk po merr një pozicionim as me pozitën dhe as opozitën, thotë se asnjëra palë nuk i kanë numrat e mjaftueshëm, qoftë për të qeverisur ose rrëzuar këtë qeveri.

“Pavarësisht se as pozita nuk e ka shumicën e thjeshtë për të qeverisur, por as opozita nuk i ka votat për ta rrëzuar këtë Qeveri, sepse PSD nuk është as në opozitë e as në pozitë. Për ta zhvatur buxhetin e shtetit në forma të ndryshme është pjese e Qeverisë, kurse në anën tjetër mundohet taktikisht që mos të përfshihet në Qeveri. Por as votat e PSD nuk mjaftojnë për ta rrëzuar Qeverinë, nëse nuk marrin mbështetjen e disa deputetëve nga radhët e minoriteteve”, vlerëson analisti Krasniqi.

Ai thotë më tutje se mundësia e krijimit të një qeverie afatgjate do të ishte një bashkëqeverisje ndërmjet LDK-së dhe Vetëvendosjes, por fillimisht duke e rrëzuar Qeverinë Haradinaj.

“Formula më e mirë e krijimit të një qeverie afatgjate, do të ishte krijimi i Qeverisë ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së, Qeveri me shumicë shqiptare pa qenë të shantazhuar nga Lista serbe, respektivisht nga Beogradi. Kjo do të ishte zgjidhja ideale, por së pari duhet rrëzuar Qeverinë”, thotë për Bota sot, analisti Faik Krasniqi.

Tri partitë më të mëdha në koalicionin qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, ka kohë që kanë humbur shumicën në Kuvendin e Kosovës. Kjo për arsyen se subjekti politik, Lista Serbe, e cila bën pjesë po ashtu në Qeveri, në Kuvend ka kaluar në opozitë.

Mirëpo, kohët e fundit, krahas humbjes së shumicës në Kuvend, ky koalicion është përballur edhe me presionin e grevave dhe taksës, duke humbur kështu shpresat e qytetarëve për ndryshim të mirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat