Ramush, edhe sa të duhet kohë për shkarkimin e ministrave?

Politika

Ramush, edhe sa të duhet kohë për shkarkimin e ministrave?

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 9 prill 2019 Në ora: 11:51
Ramush Haradinaj

Kryeministri Ramush Haradinaj, assesi nuk po mundet të rehatohet me ministrat e tij.

Pas deklaratave skandaloze të zëvendësministres serbe Vesna Mikiq dhe ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekajt u shfaq edhe një ministër tjetër me një deklaratë tejet skandaloze.

Ministri i MAPL-së në Qeverinë e Kosovës, Ivan Teodosijeviq ka bërë një deklaratë turpëruese dhe diskriminuese.

Kjo ka ardhë derisa ai ka kujtuar 20 vjetorin e bombardimeve të NATO-s.

Ministri serb nuk ka ngurruar t’i quaj shqiptarët terroristë, ndërsa masakrën e Reçakut e quan të trilluar.

Image
Ivan Teodosijeviq

“Arsyeja për agresion në shtetin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi. Masakra e Reçakut ishte trillim, kurse janë terroristët shqiptarë atë që trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë e Metohi. Për këtë, sot askush nuk ka dhënë përgjegjësi. Kanë bërë krime para agresionit të NATO-s, kanë vrarë shtëpiak të mirë serbë dhe policë në vendin e tyre të punës. Gjakpirjen e tyre e kanë vazhduar edhe gjatë agresionit dhe pas ardhjes së misionit të ashtuquajtur paqësor në Kosovë e Metohi”, ka thënë Teodosijevic në Zveçan.

Për këtë deklaratë të ministrit të tij, ende nuk është deklaruar kryeministri Ramush Haradinaj.

Por ndryshe ndodhi me zëvendësministren ministren serbe Vesna Mikiq.

Image
Vesna Mikiq

Ajo u shkarkuar 24 orë pas deklaratës skandaloze të saj e cila tha se bombardimet e NATO-s mbi caqet e ish-Jugosllavisë ishin gjenocid ndaj shtetit dhe popullit serb.

Vesna Mikiqi, ishte pjesë e Listës Serbe në Kuvendin e Republikë së Kosovës.

Por, Haradinaj nuk e shkarkoi ministrin Lekaj, i cili vjen nga partia e tij, AAK.

“Leka i Madh”, kështu është quajtur ministri i Infrastrukturës, i cili morri guximin e tij të kundërshtoj një mik të madh të Kosovës, ambasadorin zviceran, shtet ky që mbanë mbi 300 mijë shqiptarë dhe ka ndihmuar Kosovën me të gjitha kapacitetet e saj, që sot ne të jetojmë në paqe dhe në liri.

Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet në Skenderaj ishte treguar i ashpër për numrin e madh të veteranëve, ku shtoi se nuk duhet paguar veteranët e rrejshëm, e pastaj të tjerët të investojnë në projekte qenësore për qytetarët.

Haradinaj u “zbutë” pranë ministrit të partisë së tij, nuk morri guximin ta shkarkoj “Leken”. Ndoshta arsyeja është se milionët që Lekaj thuhet se morri nga Bechtel Enka i ka shpërnda disa edhe për kryeministrin!?

Image
Pal Lekaj

Lekaj shpëtoj nga shkarkimi, por a do të shpëtoj edhe ministri Ivan Teodosijeviq? Kjo mbetët të shihet në ditët në vijim, ndoshta shkarkimi i tij varet edhe nga disponimi i kryeministrit Haradinaj.

“Haradinaj i vetëm” do të ishte slogani që i përshtatet kryeministrit! Kjo për faktin se, vizita e tij në Amerikë doli huq. Ai nuk arriti të takohej me asnjë zyrtarë amerikan edhe pse qëndroi disa ditë atje.

Jo, jo kryeministër! Askush nuk të donë nëse për dikë bëhesh “nënë” e për dikë tjetër “njerkë”!

Nuk duhet harruar se kryeministri Haradinaj ka shkarkuar edhe një ministër serb. Ai ishte Nenad Rikalo, ministër i Bujqësisë në Qeverinë e Kosovës.

Shkarkimi i tij ishte kusht i Partisë Socialdemokrate për të votuar miratimin e buxhetit.

Emri i ministrit Rikalo ishte përfolur për keqpërdorime në ministrinë e Bujqësisë ndërsa pak ditë pas formimit të qeverisë së Kosovës në muajin shtator të vitit 2017, disa qytetarë të një lagjeje të Prishtinës, u thanë medieve se Nenad Rikalo, ka keqtrajtuar e torturuar qytetarët shqiptarë dhe gjatë luftës ishte pjesë e forcave të armatosura serbe.

Banorët e lagjes së “Dardanisë” kanë theksuar se ministri Rikalo ka torturuar shumë banorë të Prishtinës gjatë viteve ’90 dhe sidomos gjatë kohës së luftës

Madje ishin publikuar edhe disa rrëfime të disa qytetarëve të lagjes Dardania, sipas të cilave, Rikalo, kishte qenë i veshur me uniformë dhe i armatosur kishte torturuar, rrahur e maltretuar qytetarët gjatë luftës në Kosovë.

Image
Nenad Rikalo dhe Ramush Haradinaj

Çështja kishte nxitur debate edhe në parlamentin e Kosovës ku opozita kërkoi shkarkimin e tij.

Vet ministri Rikalo kishte mohuar çdo përfshirje në krime lufte. Derisa mori postin e ministrit në qeverinë e Kosovës, ai kishte shërbyer për rreth katër vjet si anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Në nëntor të vitit 2017, prokuroria në Kosovë tha se nuk kishte prova për përfshirjen e mundshme të ministrit Rikalo, në krime lufte.

Nenad Rikalo është pjesë e subjektit politik Lista Serbe, e cila ka 9 deputetë në parlamentin e Kosovës dhe drejton tri ministri në qeverinë e saj.

Pas gjithë kësaj kryeministër, është ardhë momenti i vendimeve të mëdha, shkarkoje ministrin Pal Lekaj dhe atë serb Ivan Teodosijeviq!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat