“Kosova nuk është në gjendje të shtri dorën e pajtimit me Serbinë”

Politika

“Kosova nuk është në gjendje të shtri dorën e pajtimit me Serbinë”

Nga: D. B Më: 9 prill 2019 Në ora: 15:33
Aleksander Vuçiq dhe Hashim Thaçi

Dialogu Kosovë-Serbi është dëshmuar se ka qenë një qasje mbrapshtë, duke  fuqizuar Serbinë në raport ndërkombëtarë e duke gjunjëzuar Kosovën karshi Serbisë. Kështu ka vlerësuar analisti politik Hidajet Ahmeti i cili në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se këto vite bisedime, jo që u integruan serbet në institucionet e Republikës së Kosovës, por u fuqizua shteti serb brenda Kosovës.

Sipas tij, shumë marrëveshje të arritura në mes palëve nuk u zbatuan asnjëherë, edhe ndërmjetësja në mes palëve BE-ja heshti, bile duke insistuar që dialogu të vazhdojë.

“Krerët institucional e në veçanti ekipi negociator me strategjinë e re duhet që në tryezën e bisedimeve të diskutojë për krimet e luftës, dëmet materiale, masakrimet, përdhunimet e jo kjo çështje të harrohet. Por, duke ditur se pala e Kosovës ka vepruar me logjikën nënshtruese ndaj Serbisë, kemi ardhur në një gjendje ku të diskutohet për çështje të brendshme dhe të kontestohet statusi i Pavarësisë së Kosovës. Logjika e nënshtrimit deri në servilizëm ka ngjallur apetitet e shtetit serb për bosnjëzimin e Kosovës, gjithherë përmes klasës udhëheqëse të korruptuar dhe shantazhuar”, ka thënë Ahmeti.

Ai konsideron se institucionet e Republikës së Kosovës, paritë politike (pozitë-opozitë), shoqëria civile dhe gjithë mekanizmat shtetërorë duhet të bëhen bashkë kur vie në pyetje interesi kombëtar e nacional.

Image
Hidajet Ahmeti

“Serbia në vazhdimësi propagandon duke e luftuar Kosovën në të gjitha aspektet, kurse klasa politike udhëheqëse në Kosovë hezitojnë të thonë të vërtetat për krimet që ka bërë Serbia në Kosovë. Edhe pse janë vonuar në këtë drejtim, institucionet e Kosovës e kanë domosdoshmëri të kohës që ta hartojnë një strategji për vazhdimin e dialogut të sa më shpejtë që është e mundur, e jo të dalin me fraza boshe të cilat përveç manipulimit me opinionin në intencë nuk kanë asgjë substanciale.

Gjykoj se kjo status quo duhet të vazhdoj akoma, derisa të shqyrtohen të gjitha marrëveshjet e arritura dhe procesi i implementimit të tyre, por gjithherë në bashkëveprim dhe bashkëpunim me BE-në dhe SHBA-në. Nuk besoj që Kosova është në gjendje të shtri dorën e pajtimit me Serbinë, pasi kanë shumë çështje për tu diskutuar, për të cilat kërkohet kohe, përkushtim, profesionalizëm dhe seriozitet politik. Marrëveshja finale është vetëm një frazë që përdorët nga politikanët, por praktikisht nuk ka gjasa minimale të ndodh”, ka thënë analisti politik Hidajet Ahmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat