Taksa po i numëron ditët e fundit?

Politika

Taksa po i numëron ditët e fundit?

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 9 prill 2019 Në ora: 17:41
Kamionë në Serbi

“Taksa efektin e vet politik e ka arritur që në fillim. Nuk e di se si po vlerësohet si e dobishme kur botërisht po shihet se mallrat serbe po futen ne Kosovë dhe efektin ekonomik ka filluar të e ndiej edhe popullata e Kosovës si pasojë e rritjes së çmimeve dhe kostos së jetës”, është shprehur deputeti i LDK-së Imet Rrahamani.

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka udhëtuar këtë fund javë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), ku edhe ka marrë pjesë në disa aktivitete.

Këtë vizitë Haradinaj është duke e bërë me ftesë të Komunitetit Katolik shqiptar “Shën Pali” në Detroit, për të marrë pjesë në shënimin e 108-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë.

Haradinaj përderisa ka qëndruar në Amerikë nuk është lënë pa u pyetur për taksën 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe boshnjake. I pari i qeverisë në një përgjigje të tij ka thënë se është ushtar i Amerikës dhe i zbaton urdhrat si e parasheh tereni.

Kryeministri Haradinaj tha se populli shqiptar i takon botës që udhëhiqet nga Amerika dhe qëndrimet e Kosovës janë të qarta dhe të ngjashme si të Amerikës.

“Populli shqiptar i takon botës që e udhëheq Amerika. Marrëdhënia e Kosovës me Serbinë është e ndjeshme se kemi pas luftë e tragjedi. Qëndrimet tona lidhen me Serbinë dhe Rusinë, janë të qarta dhe të ngjashme si ato që i ka Amerika ndaj tyre…”, tha Haradinaj.

Ndërsa, kur është pyetur për taksën, kryeministri u përgjigj.

“Unë jam njeri i terrenit si ushtari i Amerikës në teren, unë i zbatoj urdhrat po i zbatoj si e parasheh terenin. Unë besoj se duke e forcu Kosovën, forcojmë interesin amerikan dhe largojmë interesin rus dhe të tjerëve”, tha kryeministri Haradinaj.

Lidhur me këtë vizitë, përfaqësues nga opozita mendojnë se në rrafshin e marrëdhënieve me partnerët tanë strategjik është kaluar edhe pragu i tolerimit.

Nga ana tjetër, njohësit e zhvillimeve politike në vend po konsiderojnë se vizita e të parit të ekzekutivit në SHBA, do të bëjë që ky i fundit të merr krejtësisht një qasje tjetër sa i përket zhvillimeve të fundit në vend.

Ndërsa, njohësit e fushës së sigurisë konsiderojnë se taksa ndaj mallrave serbe ka pasur efektin dhe ndikimin edhe ndaj politikës ruse.

Deputeti i LDK-së: Dëmet ekzistojnë dhe nuk riparohen as me vizitën e Haradinajt!

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Imet Rrahmani, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, është shprehur se nuk e di se si po vlerësohet si e dobishme taksa, kur botërisht po shihet se mallrat serbe po futen në Kosovë dhe efektin ekonomik ka filluar të e ndiej edhe popullata e Kosovës.

Image
Imet Rrahmani

“Taksa efektin e vet politik e ka arritur që në fillim. Nuk e di se si po vlerësohet si e dobishme kur botërisht po shihet se mallrat serbe po futen ne Kosovë dhe efektin ekonomik ka filluar të e ndiej edhe popullata e Kosovës si pasojë e rritjes së çmimeve dhe kostos së jetës”, është shprehu deputeti i LDK-së.

Me tej, Rrahmani ka shtuar se pas gjithë këtyre zhvillimeve dëmet edhe me tej ekzistojnë dhe nuk riparohen as me vizitën e kryeministrit në SHBA.

“Pastaj në rrafshin e marrëdhënieve me partnerët tanë strategjik mendoj se është kaluar pragu i tolerimit. Nëse vendimet pas kthimit nuk janë brenda kërkesave amerikane dëmet ekzistojnë dhe nuk riparohen as me vizitën e kryeministrit në Uashington”, ka thënë deputeti I LDK-së, Imet Rrahamni për gazetën “Bota sot”.

Mehmeti: Haradinaj pas vizitës në SHBA, do të ketë qasje tjetër

Analisti politik, Faton Mehmeti, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, është shprehur se nuk ka fuqi politike në botë që të mund t'i rezistojë SHBA-ve, dhe me këtë beson se edhe kryeministri Haradinaj do të ndryshojë qasjen e tij ndaj taksës.

Image
Faton Mehmeti

“Besoj se pas vizitës se kryeministrit Haradinaj në SHBA do të ketë ndryshim të qasjes ndaj taksës, dhe rrjedhimisht do vazhdohet dialogu me Serbinë. Nuk ka fuqi politike në botë që të mund t'i rezistojë SHBA-ve, e mos të flasim për Kosovën e Hardinajn që janë një pikë uji në oqean. Andaj, me taksen Haradinaj e ka përdorur për të rritur popullaritetin për konsum të brendshëm”, ka thënë Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

Analisti politik thekson se, nëse nuk do të ketë reflektim nga kryeministri Haradinaj, vendi shumë shpejt do përgatitet për zgjedhje të reja.

Në fund ai nënvizon se taksa është në ditët e fundit të saj, dhe sipas Mehmetit përveç konsumit të brendshëm nuk ka dhënë ndonjë efekt tjetër.

“Nëse nuk reflekton Haradinaj do kemi zgjedhje të reja, megjithatë jam i bindur se do të ndryshojë qëndrimin sapo të kthehet nga SHBA. Përveç tjerave SHBA do ia “ngreh veshin” Haradinajt edhe për korrupsionin e lartë, dhe keqqeverisjen. Gjithsesi taksa është në ditët e fundit të saj, që përveç konsumit të brendshëm nuk ka dhënë ndonjë efekt tjetër”, ka thënë analisti politik, Faton Mehmeti për gazetën “Bota sot”.

Eksperti i sigurisë: Taksa me efekt dhe ndikim edhe ndaj politikës ruse

Ndërsa, nga ana tjetër, eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka folur edhe për vizitën e Haradinajt në SHBA, dhe ndikimin e taksës ndaj ndikimit rus.

Tërnava ka theksuar se vizita e të parit të qeverisë është edhe përgatitja e politikave të radhës për bisedime mes Serbisë dhe Kosovës.

Image
Hajrullah Tërnava

“Vizita e Haradinajt në SHBA në këto rrethana e ka prapavijën e vet politike lidhur me taksën e vendosur ndaj Serbisë. Taksa edhe më herët e vendosur nga Haradinaj s’kishte mundur me u vendos sikur mos ta kishte përkrahjen e SHBA-së. Ndalesa për mosdhënien e vizës, për udhëtim të kryeministrit për në SHBA ishte politikë taktike e përkohshme. Kjo vizitë e tanishme, që kryeministrit iu lejua viza për udhëtim, është përgatitja e politikave të radhës për bisedime mes Serbisë dhe Kosovës, me mënyrën e kostos të heqjes së taksës, për qëllimet e veta, e që do të thotë se tani e tutje duhet me një temë më e shpejt, në mënyrë që të përfundojnë bisedimet mes dy shteteve, dhe njohjet reciproke të marrin fund në mënyrën sikur është paraparë nga vet organizatori i këtyre bisedimeve e që në këtë rast janë SHBA-të”, ka thënë Tërnava.

Më tej, Tërnava ka thënë se taksa e ndali hovin e kapitullimit të bisedimeve të dëmshme në disfavor të Kosovës.

“Taksa deri më tani i ka dhënë efektet e saja, por çdo sukses e ka një periudhë të vetën në të cilën mundet të arrihet. Së paku taksa e ndali hovin e kapitullimit të bisedimeve të dëmshme në disfavor të Kosovës, dhe i vetëdijësoi faktorët politik që të gjithë të distancohen nga politika diskriminuese në dëme të Kosovës e sidomos faljen e veriut Serbisë”, shprehet ai.

Ndërsa, ka nënvizuar se taksa ndaj mallrave serbe kishte efektin dhe ndikimin edhe ndaj politikës ruse.

“Edhe kjo mënyrë mund të konsiderohet se kishte efektin dhe ndikimin edhe ndaj politikës ruse. Me që asgjë nuk është absolute, si në politike edhe në jetën e përditshme, del se duhet të ecet në hapë me kohën dhe realitetin, të cilët duhemi të përshtatemi, kërkon mënyrat e saja të përshtatjes”, shtoi ai.

Krejt në fund, ai ka potencuar se kjo vizitë shtonë shpresat se Kosovës që në të ardhmen do t’i hapen rrugët tjera integruese.

“Prandaj, vizita e kryeministrit në SHBA, na i shtonë shpresat se Kosovës në të ardhmen do t’i hapen rrugët drejt drejtimit të sajë, së pari pajtimit dhe njohjes të ndërsjellët me Serbinë dhe anëtarësimi në institucionet ndërkombëtare dhe investimeve të huaja që duhen të ndodhin në Kosovë, në mënyrë që të rinjve t’iu hapet perspektiva e të jetuarit në shtetin e vet, dhe Kosova të përngjajë në shtet të vërtetë, e jo si deri më tani”, ka përfunduar për gazetën “Bota sot”, eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava.

Ndryshe, kujtojmë se kryeministri i vendit Ramush Haradinaj në vazhdimësi është përballur me refuzimin e vizës amerikane, mirëpo pas shumë përpjekjeve një gjë e tillë më në fund është realizuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat