10 aktakuza nga Gjykata Speciale mund të ngritën deri në fund të vitit

Politika

10 aktakuza nga Gjykata Speciale mund të ngritën deri në fund të vitit

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 10 prill 2019 Në ora: 07:54
Selia e Gjykatës Speciale

“ZPS-ja po e mbush mandatin e saj, duke ftuar dhe duke marrë në pyetje të dyshuar, viktima dhe dëshmitarë, duke mbledhur dhe duke shqyrtuar informata dhe prova, dhe duke marrë vendime për fillimin, vazhdimin ose mbylljen e procedimeve penale”, ka deklaruar, Chris Bennett zyrtar nga Prokuroria Speciale.

Edhe pse ishte raportuar se Gjykata Speciale aktakuzat e para ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, do t’i ngrejë në fund të vitit 2016, eventualisht në fillim të vitit 2017, një gjë e tillë nuk kishte ndodhur.

Pastaj e njëjta gjë ishte përfolur se mund të ndodhë tek në mes të vitit 2018, por edhe kjo datë ishte sikurse datat e tjera. Jemi në vitin 2019 dhe edhe me tej nuk ka një informacion të saktë se kur eventualisht kjo gjykatë do të ngrejë aktakuzat e para.

Nga Gjykata Speciale në lidhje me vonesat në një përgjigje ekskluzive për gazetën “Bota sot”, kanë thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar është duke e përmbushur mandatin e saj, duke ftuar dhe duke marrë në pyetje të dyshuar, viktima dhe dëshmitarë, duke mbledhur dhe duke shqyrtuar informata dhe prova të reja.

Avokati i njohur konsideron se vonesa në ngritjen e aktakuzave mund të konsiderohet si sinjal që Prokuroria po përballet me mungesë provash dhe është vështirë të thuhet nëse do ketë apo jo aktakuza të ngritura brenda këtij viti.

Ndërsa, njohësi i çështjeve juridike është i mendimit së aktakuzat e para nga Gjykata Speciale pritet të ndodhin në shtator të këtij viti.

Bennett: Jemi duke mbledhur prova

E, lidhur me këtë çështje, gazeta “Bota sot”, ka provuar të marrë përgjigje nga Zyra e Prokurorit Special të Gjykatës Speciale.

Chris Bennett zyrtar nga Prokuroria Speciale, i pyetur për vonesën dhe se kur mund të ngritën aktakuzat e para, në një përgjigje për gazetën “Bota sot”, Bennett ka shpjeguar se kjo zyre është duke mbledhur dhe duke shqyrtuar informata të reja. Derisa nuk ka dhënë detaje për statusin e hetimeve.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) nuk tregon informacion për statusin e hetimeve ose për akuza të mundshme”, ka thënë fillimisht Bennett.

Tutje, ai ka shtuar se lidhur me këtë, janë duke mbledhur dhe duke shqyrtuar informata dhe prova, dhe duke marrë vendime për fillimin, vazhdimin ose mbylljen e procedimeve penale.

Image
Gjykata Speciale

“ZPS-ja po e mbush mandatin e saj, duke ftuar dhe duke marrë në pyetje të dyshuar, viktima dhe dëshmitarë, duke mbledhur dhe duke shqyrtuar informata dhe prova, dhe duke marrë vendime për fillimin, vazhdimin ose mbylljen e procedimeve penale”, ka deklaruar ai.

Krejt në fund, Chris Bennett ka theksuar se Zyra e Prokurorit Special të Gjykatës Speciale po mundohet të mbajë individë përgjegjës për krimet e bëra.

“ZPS-ja mundohet të mbajë individë përgjegjës për krimet brenda mandatit të saj”, ka përfunduar Chris Bennett zyrtar nga Prokuroria Speciale, për gazetën “Bota sot”.

Berisha: Vonesa në ngritjen e aktakuzave, sinjal që Prokuroria po përballet me mungese provash

Sipas avokatit Berisha hetimet për krimet e luftës marrin kohë dhe janë komplekse.

Besnik Berisha në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar se derisa janë duke u zhvilluar hetimet nuk mund të ketë edhe ngritje të aktakuzave.

Image
Besnik Berisha

“Hetimet për krimet e luftës janë çështje komplekse dhe natyrisht se marrin kohë më shumë se sa hetimet në çështje të ndryshme penale. Përderisa janë duke u zhvilluar hetimet, natyrisht se nuk mund të ketë ngritje të aktakuzave për asnjë nga personat e dyshuar”, ka thënë Berisha për gazetën “Bota sot”.

Avokati Berisha ka theksuar se kjo vonesë mund të konsiderohet si sinjal që Prokuroria e kësaj gjykate po përballet edhe me mungesë provash.

“Vonesa në ngritjen e aktakuzave mund të konsiderohet si sinjal që Prokuroria po përballet me mungesë provash për një veprim të tillë dhe është vështirë të thuhet nëse do ketë apo jo aktakuza të ngritura brenda këtij viti”, ka theksuar avokati.

Në fund, ai ka nënvizuar se sa më shumë kohë që merr ky proces, aq më larg do të jetë edhe procesi i ngritjes së aktakuzave.

“Sa më shumë që kalon kohë dhe nuk ka avancim të hetimeve dhe sigurim të provave të ligjshme dhe kredibile, aq më larg do të jetë procesi i ngritjes së aktakuzave”, ka përfunduar Besnik Berisha, në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Tahiri nuk beson se mungesa e provave ka të bëjë më vonesat e aktakuzave të para

Ndërsa, analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Ramush Tahiri, në një përgjigje të shkurtër për gazetën “Bota sot”, ka thënë se çdo përgjigje duke si një përzierje në punët e kësaj gjykatë.

Image
Ramush Tahiri

“Çka do që them duket si përzierje në gjykatë ose dashakeq”, ka thënë shkurtimisht Tahiri.

Ndërsa, i pyetur se nëse mungesa e provave ka të bëjë me vonesat e aktakuzave të para, Tahiri, ka thënë se kjo nuk lidhet me këtë proces.

Njohësi i çështjeve juridike: Deri në dhjetor të këtij viti mund të ngritën 10 aktakuza

Ndërsa, nga ana tjetër, njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, duke e komentuar vonesën e aktakuzave të para nga Gjykata Speciale, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se kjo gjykatë është në procesin e mbledhjes së argumenteve.

Derisa ka bërë me dije se kjo nuk do të thotë se Gjykata Speciale nuk ka edhe fakte.

Image
Blerim Burjani

“Gjykata Speciale po merret me fazën e parë që është intervistim i të dyshuarve, por kjo nuk do thotë se gjykata nuk fakte, por është në tentativë që edhe njëherë të kërkojë kryes potencial të veprave penale, kjo gjykatë është aktive dhe praktike në temat e mundshme të shkeljes permanente të ligjeve ndërkombëtare, procesi është i ngadalshëm, deri më tash janë mbledhë fakte nga intervistimet, priten ende shumë persona të thirren si dëshmitar apo kryes potencial. Në ketë fazë nuk ka zbulim të detajeve, por thjesht mbledhje të fakteve. Nga intervistimet varet edhe ngritja e aktakuzave, kjo gjykatë nuk përjashton ngritjen e tyre”, ka thënë Burjani.

Me tej, ai ka shtuar se mund të pritet që mund të ketë aktakuza edhe ndaj personave që janë gjykuar nga ish-Triunali e Hagës.

“Ngritja e aktakuzave ndaj atyre që janë gjykuar në Hagë më herët po që se ka prova të reja dhe dëshmi tjera të dala në ndërkohë, mund të ndodhë që të ketë aktakuza të njëjta edhe ndaj personave që janë gjykuar në ish-Triunali e Hagës, pra do të ketë befasi, për disa persona ka fakte të reja dhe mund të mos thirren fare nga tribunali për shkak sigurisë së procesit gjyqësor, andaj ka heshtje”, ka thënë ai.

Krejt në fund, Burjani ka deklaruar se aktakuzat e para pritet të ndodhin në shtator të këtij viti.

“Në shtator priten aktakuzat e para për disa raste të njohura , për të cilat kjo gjykatë pretendon se ka fakte të reja. Më së largu deri në dhjetor të këtij viti mund të ngritën 10 aktakuza”, ka përfunduar njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat