Rexhep Selimi: S’ka marrëveshje të mirë me Serbinë për të dyja palët

Politika

Rexhep Selimi: S’ka marrëveshje të mirë me Serbinë për të dyja palët

Nga: G.B Më: 10 prill 2019 Në ora: 19:21
Rexhep Selimi

Aktualisht dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është pezulluar, për shkak të taksës së vendosur për produktet serbe nga ana e Kosovës. Serbia nuk dëshiron që dialogu të vazhdojë derisa të mos hiqet taksa.

Në anën tjetër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan që Kosova dhe Serbia të ulen dhe të vazhdojnë dialogun dhe të arrijnë marrëveshjen më të mirë që munden.

Kështu ka deklaruar Zëvendës Ndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, Mattheë Palmer, gjatë vizitës në Tiranë të martën, derisa tha se SHBA-të nuk mbështesin ndonjë rezultat të caktuar apo ndonjë pjesë të caktuar përbërëse të një marrëveshjeje të mundshme midis Kosovës dhe Serbisë.

 “Çështja e kufijve mund po ashtu të jetë pjesë e kësaj, por nuk është elementi kryesor i marrëveshjes sado që ta imagjinojmë këtë. Ajo që është e rëndësishme për SHBA është që çfarëdo marrëveshjeje të ketë pronësi vendase, të jetë diçka që të dyja palët ndjejnë se mund ta mbështesin, të dyja palët besojnë se mbron interesat e tyre thelbësore, dhe ajo që kemi bërë ne është që i kemi nxitur palët të ulen në tryezë dhe të negociojnë marrëveshjen më të mirë që munden”, tha Palmer.

Se cila do të ishte marrëveshje më e mirë për të dyja palët, deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se nuk ka marrëveshje të mirë për të dyja palët, Kosova duhet të njihet nga Serbia si shtet, ndryshe nuk ka zgjidhje të kënaqshme për të dyja palët.

“Nuk ka marrëveshje të mirë për të dyja palët. Përderisa zgjidhje për Kosovën është Kosova jashtë Serbisë, kurse për Serbinë Kosova nën Serbi, atëherë rrjedhimisht nuk ka zgjidhje të ndërmjetme. Kosova ose e pavarur nga Serbia ose jo. Kështu që nuk ka zgjidhje të kënaqshme për të dyja palët”, ka deklaruar deputeti Selimi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat