Butakët e LDK-së duan status quo-n

Politika

Butakët e LDK-së duan status quo-n

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 11 prill 2019 Në ora: 11:01
LDK

Gjithnjë e më zëshëm dëgjohet pyetja, në mënyrën habitore: Pse gjithë kjo katrahurë e çoroditje në partinë, dikur, zëmadhe të Presidentit Rugova - LDK-në krenare?! Si u mundën dhe u anashkaluan burrat dhe djemtë heroikë, bashkëpunëtorët besnikë të Ibrahim Rugovës, të cilët u përballën, trimërisht, me bandën e Millosheviçit?! Si u mashtruan, besuan dhe u nënshtruan prej titullarëve, të cilët pasuan Dr. Rugovën në LDK-e dhe LDD-e?!

Këta pasues, të cilët, në vend që të vazhdonin drejtimin e partisë në frymën klasike të themeluesit Rugovë, filluan seleksionimin e kuadrit të dëshmuar rugovistë dhe përzgjedhjen e servilëve, nepotikëve e hiçve, për ta klanizuar udhëheqjen e LDK-së.

E gjithë kjo ishte e panevojshme, sepse sekretari i partisë, Prof. Dr. Fatmir Sejdiu, ishte kuadër i përgatitur, bashkëpunëtor shumëvjeçarë i Presidentit Rugova, njeriu më i pranuar nga anëtarësia e LDK-së, për të marrë drejtimin e LDK-së.

PDK-ja me SHIK-un e saj, kishin përcjellë, me simpati, Akademik Nexhat Dacin, në qëndrimin moskokëçarës për vrasjet politike. Përkundër, Fatmir Sejdiu, duke qenë në cilësinë e Presidentit të vendit, kishte thënë publikisht se "vrasjet politike nuk i kanë bërë jashtëtokësorët!" Plus refuzimi i 6 pikëshit të Baki Munit, i kushtoi me shkarkim nga posti. Daci, në cilësinë e kreut të Parlamentit të Kosovës, nuk kishte bërë asgjë, për nderimin e deputetit të atentatuar, Smajl Hajdaraj. Ishte konformist, vlerësues paushall e ireal, për figura e familje, të dyshuar për përçarje e sabotues të luftës, për kidnapime, burgosje, maltretime e deri në vrasjen e kundërshtarëve politikë shqiptarë.

Akademik Daci degradoi veten, deri në atë masë, sa u bashkua me armikun e LDK-së, Ramush Haradinaj! Rrjedhimisht, Nexhat Daci ishte lehtësisht i manipulueshëm dhe duke ndarë LDK-në, për t`u bërë faktor politik partiak, ai u bë argat i SHIK-ut. Dhe, shpërblim për këtë ishte emërimi i tij në krye të Akademisë të Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Njëjtë ndodhi edhe me Marjan Demaj, të cilin SHIK-u e vuri në krye të Partisë Demokristiane Shqiptare, për ta shkatërruar atë, dhe, më pas, e shpërbleu me emërimin Rektor të Universitetit të Kosovës. Për këtë kontribuoi edhe kryetari i dhunshëm i LDK-së, Isa Mustafa, sepse dy anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, miq të Isës, Hevzi Berisha e Alberta Troni, votuan për largimin e Rektorit parimor e dinjitoz, Ramadan Zejnullahu. Arsyeja e largimit ishte se Rektori donte verifikimin e kuadrit universitar, me diploma të blera në Shqipëri e gjetkë, kryesisht SHIK-as të rreshkur.

"Do ta bëjmë një LDK-e të re", - deklaronte, serbez, Isa Mustafa, kur, aksikdentalisht, u vu në krye të partisë! Dhe, vërtet, e mbajti premtimin! Klanin e trashëguar, brenda LDK-së, e konsolidoi dhe vazhdoi ta përdorë vetëm për interesa personale të tij dhe të Hashimit me partinë e tij. SHIK-u depërtoi në strukturat vendimmarrëse të LDK-së. Këtë fakt e kemi denoncuar me kohë dhe, tashmë, kjo është vërtetuar katërcipërisht.

Për rrjedhojë, nuk është "elektorati që i ka caktuar vendin e opozitës LDK-së", - siç manipulon klanisti i Isës, Bajram Gecaj, me kolegët e tij në klan, por, SHIK-u. Edhe në rastin VLAN, është SHIK-u, i cili dirigjoi Isa Mustafën, për prishjen e koalicionit të opozitës së bashkuar, për t`u bërë bisht i Hashimit, duke vazhduar opozitarizmin e padinjitetshëm e zvarranik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat