Dialogu Kosovë-Serbi në udhëkryq

Politika

Dialogu Kosovë-Serbi në udhëkryq

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 12 prill 2019 Në ora: 09:44
Hashim Thaçi, Federica Mogherini, Aleksandër Vuçiq

Serbia dhe Kosova nuk janë ende të gatshme për dialogun përfundimtar, e status quo është ende një pauzë e madhe në dialog.

Njohësit e çështjeve politike në vend vlerësojnë se, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të ishte dëm i madh të zhvillohej me këtë përbërje të delegacionit nga Kosova, duke vënë theksin në presidentin i cili siç thonë ata është i shantazhuar dhe kryesuesit e delegacionit të ashtuquajtur shtetëror, të cilët janë nën nivel.

Sipas tyre, dialogu Kosovë-Serbi është dëshmuar se ka qenë një qasje mbrapshtë, duke fuqizuar Serbinë në raport ndërkombëtarë e duke gjunjëzuar Kosovën karshi Serbisë.

Rugova: Dialogu nuk ka alternativë

Image
Naser Rugova

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Naser Rugova, ka thënë se çështja e statusit quo do vazhdojë edhe më tej, përderisa Kosova mos të mbajë zgjedhjet e reja parlamentare, nga të cilat do të dalë një qeveri e përgjegjshme dhe me legjitimitet qytetar.

Sipas tij, Serbia duhet të pranoj realitetin, se Kosova është shtet dhe ajo ka përballë një partner të barabartë, përndryshe po që se Serbia do sillet si deri me tani, ky status quo do vazhdojë.

“Dialogu nuk ka alternativë, prandaj SHBA-ja dhe BE-ja kanë gatishmëri ta mbështesin dhe lehtësojnë këtë proces, deri te një zgjidhje finale e pranueshme për të dyja shtetet me garanca të fuqishme ndërkombëtare, sepse rrugë tjetër nuk ka”, ka thënë deputeti Naser Rugova.

Millaku: Pajtimi me Serbinë është shumë larg

Image
Drita Millaku

Kurse, deputetja e VV-së Drita Millaku, ka thënë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të ishte dëm i madh të zhvillohej me këtë përbërje të delegacionit tonë duke vënë theksin në presidentin, i cili është i shantazhuar dhe kryesuesit e delegacionit të ashtuquajtur shtetëror, të cilët janë nën nivel.

Sipas saj, dialogu Kosovë-Serbi është i domosdoshëm, por që të shkojë në interes të zgjidhjes së problemit do të duhej që Kosova të përfaqësohet me njerëz profesional dhe të dëshmuar, e jo të shantazhuar.

“Pajtimi me Serbinë është shumë larg dhe nuk e di si do të bëhet pajtimi me Serbinë kur mbi 1600 persona janë ende të pagjetur, si do të bëhet pajtim kur Serbia e mohon gjenocidin dhe terrorin që ka bërë në Kosovë ndaj shqiptarëve. BE-ja ka bërë shumë lëshime Serbisë në raport me Kosovën, dhe këtu fajtor nuk janë vetëm BE por është politikat tona që gjithmonë kanë qenë defanzive. P.sh Serbia financon akademik, profesor e shkencëtar që ta promovojnë idetë kundër Kosovës. Ndërsa, këtu ndahen mjete që të promovohen individ të caktuar sikur rasti i librit për Hashim Thaçin”, ka thënë deputetja Drita Millaku.

Makolli: Faktori ndërkombëtar duhet të jetë këmbëngulës në kërkesat ndaj Serbisë

Image
Vesel Makolli

Ndërsa, sekretari i Përgjithshëm në AKR, Vesel Makolli, ka thënë se SHBA-të dhe BE-ja janë të interesuara për zgjidhjen e problemit në mes Kosovës dhe Serbisë gjegjësisht zgjidhjen e problemit shqiptaro-serb.

Sipas tij, kastës politike serbe i konvenon vazhdimi i status quos, pasi që me propagandën shfrenuese dhe nacionalisto-shoviniste ndaj Kosovës, kanë arritur ta marrin pushtetin dhe ta ruajnë deri më sot.

“Duke i pasur këto parasysh, faktori ndërkombëtar që duhet të jetë garancë e një marrëveshjeje eventuale, duhet të bëje presion te pala serbe duke i vënë kusht që të orientohet pa ekuivoke në mes BE-ës dhe Rusisë. Kosova ka bërë shumë kompromise, andaj topi është në anën serbe e cila duhet ta pranoj realitetin e dy shteteve shqiptare, dhe sa ma parë që ta pranoj këtë realitet zyrtarisht, aq më mirë do të jetë së pari për vet popullin serb dhe për të gjithë regjionin dhe më gjerë. Andaj faktori ndërkombëtar duhet të jetë këmbëngulës në kërkesat e saj ndaj Serbisë”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli.

Burjani: Në BE pritet të ketë ndryshime

Image
Blerim Burjani

Njohësi i çështjeve politike dhe juridike në vend, Blerim Burjani, ka thënë se statusi quo është pauzë e madhe në dialog.

Sipas tij, kjo po ndodhë për shkak se në BE do të ketë zgjedhje dhe shumica e politikaneve dhe shteteve të BE-së janë të koncentruar në zhvillimet e brendshme.

“BE, pothuajse po punon me kapacitete të limituara politike për shkak zgjedhje, madje këtë ka edhe stagnim në politik bërje në BE- kundrejt Ballkanit. Në BE pritet të ketë ndryshime, pasi rrymat konservatore po forcohen në BE, që e bën ndoshta më të vështirë integrimin e Ballkanit perëndimor në BE. Po ashtu, BE nuk duket e zëshme dhe kreative për të vazhduar dialogun Kosovë -Serbi, dhe stagnimi ka mbete si rezultat i taksës së vendosur nga Kosova dhe nuk ka ndonjë version tjetër të daljes nga bllokada politike e dialogut Kosovë –Serbi”, ka thënë Burjani.

Ahmeti: Pala e Kosovës ka vepruar me logjikën nënshtruese ndaj Serbisë

Image
Hidajet Ahmeti

Kurse, analisti politik Hidajet Ahmeti, ka thënë se Serbia në vazhdimësi propagandon duke e luftuar Kosovën në të gjitha aspektet, kurse klasa politike udhëheqëse në Kosovë hezitojnë të thonë të vërtetat për krimet që ka bërë Serbia në Kosovë.

Sipas tij, dialogu Kosovë-Serbi është dëshmuar se ka qenë një qasje mbrapshtë, duke fuqizuar Serbinë në raport ndërkombëtarë e duke gjunjëzuar Kosovën karshi Serbisë.

“Këto vite bisedime, jo që u integruan serbet në institucionet e Republikës së Kosovës, por u fuqizua shteti serb brenda Kosovës. Madje shumë marrëveshje të arritura në mes palëve nuk u zbatuan asnjëherë, edhe ndërmjetësja në mes palëve BE-ja heshti, bile duke insistuar që dialogu të vazhdojë. Krerët institucional e në veçanti ekipi negociator me strategjinë e re duhet që në tryezën e bisedimeve të diskutojë për krimet e luftës, dëmet materiale, masakrimet, përdhunimet e jo kjo çështje të harrohet. Por, duke ditur se pala e Kosovës ka vepruar me logjikën nënshtruese ndaj Serbisë, kemi ardhur në një gjendje ku të diskutohet për çështje të brendshme dhe të kontestohet statusi i Pavarësisë së Kosovës. Logjika e nënshtrimit deri në servilizëm ka ngjallur apetitet e shtetit serb për bosnjëzimin e Kosovës, gjithherë përmes klasës udhëheqëse të korruptuar dhe shantazhuar”, ka thënë Ahmeti.

Statusi quo duhet të vazhdoj akoma

Ai konsideron se institucionet e Republikës së Kosovës, paritë politike (pozitë-opozitë), shoqëria civile dhe gjithë mekanizmat shtetërorë duhet të bëhen bashkë kur vie në pyetje interesi kombëtar e nacional.

“Serbia në vazhdimësi propagandon duke e luftuar Kosovën në të gjitha aspektet, kurse klasa politike udhëheqëse në Kosovë hezitojnë të thonë të vërtetat për krimet që ka bërë Serbia në Kosovë. Edhe pse janë vonuar në këtë drejtim, institucionet e Kosovës e kanë domosdoshmëri të kohës që ta hartojnë një strategji për vazhdimin e dialogut të sa më shpejtë që është e mundur, e jo të dalin me fraza boshe të cilat përveç manipulimit me opinionin në intencë nuk kanë asgjë substanciale”, ka thënë Ahmeti.

Ai gjykon se statusi quo duhet të vazhdoj akoma, derisa të shqyrtohen të gjitha marrëveshjet e arritura dhe procesi i implementimit të tyre, por gjithherë në bashkëveprim dhe bashkëpunim me BE-në dhe SHBA-në.

“Nuk besoj që Kosova është në gjendje të shtri dorën e pajtimit me Serbinë, pasi kanë shumë çështje për tu diskutuar, për të cilat kërkohet kohe, përkushtim, profesionalizëm dhe seriozitet politik. Marrëveshja finale është vetëm një frazë që përdorët nga politikanët, por praktikisht nuk ka gjasa minimale të ndodh”, ka thënë analisti politik Hidajet Ahmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat