“Dardan Molliqaj e varrosi vetën”

Politika

“Dardan Molliqaj e varrosi vetën”

Nga: N.H Më: 12 prill 2019 Në ora: 22:09
Glauk Konjufca dhe Dardan Molliqaj

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj ka thënë se Glauk Konjuca, ka shërbyer në Shërbimin Informativ të Kosovës në vitin 2000 dhe 2001 dhe se rekrutimin e tij e kishte bërë Fadil Lepaja. Molliqaj ka thënë se paga që ka marrë Konjufca ka qenë 150 marka.

E lidhur më këtë çështje, është deklaruar edhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Driton Tali.

Ai ka thënë se deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka kohë që e ka humbur kontrollin.

Tali në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Molliqaj është një person ambicion, por pa dije, dhe sipas ish-deputetit, gjatë kohës sa ishte në Lëvizjen Vetëvendosje, puna në grupe ia mbulonte paditurinë Molliqajt.

Image
Driton Tali

“Dardan Molliqaj ka kohë që e ka humb kontrollin. Është një çun ambicioz e krenar, por pa dije. Sa ishte në Lëvizjen Vetëvendosje, siç po duket, puna në grupe ja mbulonte paditurinë. Tani në PSD, në mungesë të bashkëpunimit në grupe, po bie në pah padituria dhe naiviteti tij. Ndonëse, nga sjelljet e tij, e len edhe përshtypjen se e ka kuptuar gabimin e tij që doli nga Vetëvendosje. Dhe nga zhgënjeni e pishmani i bënë këto veprime të cilat po i bënë”, ka thënë Tali, për gazetën “Bota sot”.

Tali më tej thekson se me veprimin dhe deklaratat e fundit, Molliqaj ka varrosur vetën, ndërsa, shprehet skeptik nëse dikush tjetër mund t’i besojë këtyre deklarimeve.

“Kësaj duhet patjetër t'ia shtojmë edhe xhelozinë (që pothuajse i ka kaluar në sëmundje) që e ka ndaj Glaukut. Unë them se Dardan Molliqaj, si qenie politike, sot e varrosi veten. Nuk besoj që dikush do ta marri seriozisht më. Unë sigurisht jo”, ka përfunduar për gazetën “Bota sot”, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Driton Tali.

Ndryshe, edhe Fadil Lepaja, i përmendur si rekrutues i Konjufces, shfrytëzoi profilin e tij në “Facebook” për të dhënë sqarimin e tij.

“Me përgjegjësi të plotë penale, dhe morale, deklaroj se kurrë në jetën time, nuk kam qenë pjesëtar as bashkëpunëtor, me vetëdije, e besoj as pa vetëdije, i Shërbimit Informativ të Kosovës”, ka shkruar ai.

Lepaja tha se i vjen keq që emri i tij është “keqpërdorë në debate”, në të cilat siç ka thënë “nuk kam interes dhe e kam nën dinjitet të përfshihem”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat