Preteni tregon pse SHBA-të po kërkojnë arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi

Politika

Preteni tregon pse SHBA-të po kërkojnë arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi

Nga: G.B Më: 13 prill 2019 Në ora: 13:12
Foto ilustruese

Dialogu Kosovë-Serbi aktualisht është i pezulluar dhe Serbia nuk do ta vazhdojë, derisa Kosova ta heqë taksën ndaj produkteve serbe.

Në anën tjetër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar që palët të ulen të bisedojnë dhe të arrijnë një marrëveshje të mirë për të dyja palët.

Lidhur me këtë, politologu Musa Preteni, ka thënë për gazetën “Bota sot” se këmbëngulja e shteteve më të fuqishme për të arritur një marrëveshje mes dyja vendeve e tregon lodhjen e tyre me këtë proces, derisa shton se Kosova dhe Serbia duhet të merren vesh për një marrëveshje.

Image
Musa Preteni

“Unë konsideroj që këmbëngulja e shteteve më të fuqishme të botës për arritjen e një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë shfaq lodhjen e tyre duke u marrë me procesin e pajtimit mes dy vendeve, andaj kanë vendosur me seriozitet maksimal që t’i japin fund kësaj çështje përmes një marrëveshje. Unë mendoj që dy shtetet, Kosova dhe Serbia, duhet të merren vesh përfundimisht sepse çdo zgjatje nënkupton kohë të humbur për Kosovën, e cila duhet të synojë ecjen tutje drejt Evropës”, është shprehur ai.

Sipas Pretenit, Kosova nuk duhet të ngutet për marrëveshje që mund të ketë pasoja për Kosova, por duhet të synojë marrëveshje me njohje reciproke me Serbinë.

“Por koha e humbur nuk nënkupton që Kosova duhet të bëjë marrëveshje me patjetër, e cila do të mund të kishte pasoja afatgjatë për shtetin tonë. Është më se e qartë që palët kur ulen në tavolinë synojnë maksimumin, por unë mendoj që Kosova duhet të synojë marrëveshje të arsyeshme, bazuar në njohje reciproke mes dy vendeve me detaje konkrete mbi reperacionet e luftës dhe çështjet delikate si ajo e të pagjeturve. SHBA ka pasur rol tash e disa dekada në raport me Kosovën, prandaj mendoj që roli i saj edhe kësaj radhe është i pazëvendësueshëm”, ka deklaruar Musa Preteni për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat