Banditët e veshur me petkun e heronjve kanë kapur shtetin

Politika

Banditët e veshur me petkun e heronjve kanë kapur shtetin

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 13 prill 2019 Në ora: 16:36
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Shqiptarët nuk po ikin nga dëshira, as nga luksi. Ata po ikin pasi shpresa këtu ka vdekur, në një vend ku shteti është ne duart e ca banditëve. Këta banditë kanë uzurpuar çdo gjë, edhe shpresën e kanë uzurpuar, prandaj këtu ëndrrat së një ditë do të bëhet mirë kanë vdekur më kohë.

Qytetarët janë të lodhur nga premtimet, gënjeshtrat, shkëputja nga militantizmi është njëra ndër hapat e parë të civilizimit të një shoqërie e cila nga sinqeriteti dhe durimi i ka lejuar që banditët e veshur me petkun e heronjve të kapin pushtetin në dorë. Asnjë popull në botë nuk do të toleronte kaq shumë sa shqiptarët në Kosovë, shpërthimi i durimit po ndodh dhe si rrugë të vetme shqiptarët ë Kosovës kanë zgjedhur ikjen. Pse ikjen, do të thoshte dikush tjetër e jo protestën për të ndërruar këtë qeveri. Por, e gjitha është fare e thjeshtë për qytetarët: Të gjithë janë njësoj.

Edhe pse këta që janë aktualisht janë fundërrina e shoqërisë, gjithsesi e gjithë klasa politike është fajtore për gjendjen aktuale. Dikush më pak e dikush më shumë, por të gjithë kanë nga pak hise. Natyrisht se barra më e rëndë i bije PDK-së, e cila është në pushtet që nga 2007 e deri më sot, e për këto 12 vite kjo parti ka arritur këto rezultate: Rritje të varfërisë, shtim të krimit dhe korrupsionit, kapje të shtetit dhe drejtësisë, degradim i arsimit dhe shëndetësisë, humbje të territorit dhe zbrazje të vendit. Pa harruar edhe shtimi i pasurisë për zyrtarët e saj, të cilët janë shndërruar në milionerë brenda natës. Zyrtarët e kësaj partie kanë zhvatur vendin dhe po vazhdojnë të bëjnë një gjë të tillë edhe tash, dhe do të veprojnë kështu derisa nuk dëbohen nga pushteti.

Militantizmin si formë primitive e partive të dala nga lufta për të mbajtur pushtetin, i ka sjellë dëme të mëdha vendit, dhe ka penguar zhvillimin e demokracisë.

Servilët, apo njerëz pa asnjë meritë kanë arritur poste të rëndësishme dhe për ta partia është çdo gjë, formë mbijetese. Dhe këta njerëz janë të rrezikshëm për këdo që del kundër tyre, respektivisht kundër qeverisjes së vendit në këtë mënyrë. Mjafton të bësh një shkrim kritikë kundër PDK-së ose AAK-së dhe shesh sa mesazhe kërcënime e fyerje vijnë, sepse janë njerëz të pagdhendur, servilë të dëmshëm dhe të rrezikshëm për shoqërinë. Megjithatë ky është një numër shumë i vogël krahasuar me qytetarët e thjeshtë të vendit, të cilët po vuajnë nga kjo keqqeverisje e vendit. Shumica e popullit është kundër kësaj qeverie, e cila ka ardhur në pushtet përmes shantazheve, militantëve dhe servilëve, e që fatkeqësisht e kanë sjellë vendin në pikën më të ulët të saj.

Derisa qytetarët nga halli ikin, disa politikanë milionerë bëjnë thirrje: Mos ikni se do të bëhet mirë, punoni me nga 150 euro në muaj. Kjo tallje vetëm sa e frustron edhe me shumë qytetarin e varfër të vendit, i cili mbi kurrizin e tij mbart peshën që pikërisht ai politikan është milioner, e ka tërë familjen të punësuar me paga të majme etj. Këta politikanë kanë krijuar pasuri aq të shumta, sa edhe nipave u kanë siguruar jetën në aspektin ekonomik.

Këta politikanë shkollojnë fëmijët e tyre në universitet më të shtrenjta, mjekohen në spitale të shtrenjta të botës, derisa qytetarët e rëndomtë shkollohen në shkolla ku ende punohet me shkumës, dhe mjekohen në spitale që nuk kanë as kanilla për pacientë. Dikur na dëbonte Millosheviçi sot Hashimi me banditët e vet, të cilët nuk njohin as Zot as Komb përpara interesit te tyre. Kosova rrezikon shumë që të shndërrohet nga një komb i madh në një etnitet të vogël të shpërndarë nëpër botë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat