Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi larg, pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare

Politika

Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi larg, pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare

Zejnepe Bekteshi Nga Zejnepe Bekteshi Më 14 prill 2019 Në ora: 07:58
Dialogu në Bruksel

Ministrat e Jashtëm të shteteve të anëtarëve të Grupit të shtatë vendeve më të zhvilluara(G7), kanë dhënë një mesazh për Kosovën dhe Serbinë. Në këtë samit u është bërë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në mënyrë konstruktive në normalizimin e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme, përcjell “Bota sot”.

"Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të normalizojnë në tërësi marrëdhëniet e tyre me anë të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme, në mënyrë që ata mund të bëjnë progres në rrugën e tyre evropiane", thuhet në një komunikatë të përbashkët në fund të samitit.

Berisha: Deklaratat e pamatura, të ministrave Daqiç e Vulin, janë pengesa serioze për procesin normalizues

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha, ka thënë se, Kosova ka treguar në vazhdimësi vullnet për dialog dhe normalizim të marrëdhënieve me Serbinë në kuadër të një agjende për një rajon që ka për qëllim integrimin në BE.

“Është Serbia, ajo që ka shfaqur dualizëm qoftë në marrëdhëniet me Kosovën qoftë në marrëdhëniet me BE-në, duke tentuar të paraqitet si shtet më ndikues se sa është në realitet, duke dashur të jetë përcaktuese e rregullave dhe dominuese”, tha Berisha.

Image
Anton Berisha

Ai tha se i marrin me seriozitet deklaratat e G7 dhe çdo deklaratë të shteteve mike, dhe do të punojnë së bashku me ta për të krijuar një ambient pro europian dhe demokratik.

“Ne duhet të jemi më aktiv dhe më argumentues, për të qartësuar situatën reale, në të cilën Serbia është frenuesja dhe pengesa kryesore. Shembujt e përditshëm të sjelljeve të tyre, deklaratat e pamatura, sidomos të ministrave Daçiç e Vulin, janë pengesa serioze për procesin normalizues”, përfundoi Berisha.

Krasniqi: Qeveria duhet t’ju kthehet detyrave dhe obligimeve të brendshme

Image
Jakup Krasniqi

Kurse, Jakup Krasniqi, kryetari i Këshillit Kombëtar i NISMA Socialdemokrate, tha se, romakët e vjetër e kishin një fjalë e cila thoshte “Të gjitha rrugët të çojnë në Romë”, dhe, sipas tij, edhe anëtaret e Grupit të Kontaktit e dijnë se“Të gjitha përpjekjet për bisedime me Serbinë kanë çuar në dështim të bisedimeve, pasi mënyra se si janë zhvilluar bisedimet, jo vetëm të Brukselit, kanë qenë rrugë për mos t’u marrë vesh. Beogradi nuk e njeh ketë gjuhë”, u shpreh Krasniqi.

Më tutje, Krasniqi shtoi se serbët e njohin vetëm gjuhën e forcës, tjetër gjuhë nuk kuptojnë përfaqësuesit e popullit “hyjnor” siç e quajnë ata vetën e tyre.

“ Institucionet tona e kanë provuar për tetë e më shumë vite ketë farë gjuhë qyqare. Por pa rezultate. Nuk e di sesi e kanë marrë institucionet e Kosovës ketë gjuhë, por me kastën politike të Beogradit, me kulturën që po e tregojnë qeveritarët serbë, vështirë që do të ketë normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi.”, tha ai.

Po ashtu, Krasniqi tha se GK ka qenë serioz kur i ka pas bërë kornizat e Bisedimeve të Vjenës dhe i ka pas udhëhequr ato bisedime.

“Dialogu nuk varet nga pala e Kosovës. Shikuar disponimin e politikës pos Millosheviqiane, ky dialog nuk mund të zhvillohet assesi në mënyrë normale. Qeveria duhet t’ju kthehet detyrave dhe obligimeve të brendshme.”, përfundoi Krasniqi.

Abdullahu: Kjo mendësi qeverisëse duhet të ndalet, sa më shpejt aq më mirë

Image
Faton Abdullahu

Ndërkaq, Faton Abdullahu, ish-këshilltar i kryeministrit të Qeverisë së kaluar, Isa Mustafa, thotë për “Bota sot” se,tash disa muaj në Kosovë është krijuar një gjendje inerte e cila është determitë e mosmarrëveshjeve që tanimë janë kthyer në përçarje ndërmjet partnerëve të cilët janë bashkë përbrenda koalicionit PAN.

“Ky koalicion nuk e ka as guximin as gatishmërinë që të hyjë në dialog me Serbinë. Koalicioni PAN nuk po bëhet bashkë edhe pse kjo është domosdo për të qenë më të fortë kundër Serbisë, më kooperues me partnerët tanë dhe më përfitues për të ardhmen dhe qytetarët e Kosovës”, ka thënë Abdullahu.

Abdullahu thotë se, kjo gjendje inerte tashmë po shkon në favor të zhvillimeve të dëmshme për vendin tonë. Diplomacia jonë nuk po mund të sigurojë njohje të reja dhe, për më keq, gjithnjë e më shumë është duke u dobësuar për t’i mbrojtur ato që i kemi fituar.

“Hapërimi ynë drejtë integrimeve evropiane jo vetëm që po ngec por edhe po deformohet. Moskooperimi me BE-n dhe SHBA-t po vazhdon me kryeneçësi, pa tendencë që të përmirësohet. Koalicioni PAN i ka nisur fillet e një kulture të re politike, por regresive, me bindjen se mund ta kundërshtosh SHBA-n dhe në të njëjtën kohë të jesh efikas kundër Serbisë. Kjo mendësi qeverisëse duhet të ndalet. Sa më shpejt aq më mirë”, tha ai.

Ai, më tutje, shtoi se kjo më së miri mund të bëhet duke ua dhënë mundësinë qytetarëve të Kosovës të dalin para kutive të votimit që para se ata të ikin nga Kosova le ta bëjnë këtë koalicion të ikë nga pushteti.

Tahiri: G7 është një mekanizëm tejet i rëndësishëm që ka ndikim në politikat ndërkombëtare

Image
Ramush Tahiri

Ndërsa, politologu Ramush Tahiri, thotë për “Bota sot” se, G7 është një mekanizëm tejet i rëndësishëm që ka ndikim në politikat ndërkombëtare, prandaj thirrja dhe qëndrimi i përbashkët i këtyre shteteve të fuqishme jo vetëm ekonomikisht, që Serbia dhe Kosova të arrijnë marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet të dyja shteteve dhe dy popujve, të merret tejet seriozisht edhe si gatishmëri edhe si përcaktim.

“Qeveria e Kosovës ka krijuar Grupin për dialog apo bisedimeve Serbinë, ka ndarë mjetet për këtë grup, po e kompleton stafin përcjellës me njerëz ekspert dhe gjithashtu e ka nxjerrë e miratuar në Kuvend Platformën si dokument themelor zyrtar dhe e ka dorëzuar në Bruksel te Zyra e Mogerinit”, ka thënë Tahiri.

Ai shtoi se, tash mbetet që këtë Platformë ta pranojë edhe Serbia, duke e bërë pjesë bazament të marrëveshjes për norma.

Maloku: Grupit 7, është një paralajmërim se negociatat me Serbinë, ende nuk ka mbaruar

Image
Fadil Maloku

Kurse, profesori në Universitetin e Prishtinës, Fadil Maloku, për “Bota sot”, thotë se, apeli i Grupit 7, është një paralajmërim se negociatat me Serbinë, ende nuk kanë mbaruar. Ata tash për tash deri në maj nuk mund ta ashpërsojnë kursin ndaj Kosovës, për të bërë kompromiset shtesë, edhe për arsye të ngarkesave të legjitimitetit dhe legalitetit në vendimmarrje.

“Por, me të marrë këto kompetenca, jam i bindur që presioni mbi Kosovën, padyshim që do shtohet. Së këndejmi mendoj që Kosova, do të duhet ta shfrytëzoj këtë vakum kohor dhe të përgatitet për sfidën e radhës. Kosova ka dy opsione. Njërën, të përfshijë gjithë spektrin në vendimarrje. Ku qeveria (ashtu si e parasheh Kushtetuta) duhet të udhëheqë negocimin, e jo grupe joformale që po cilësohen delegacione e gjithë fare”, tha Maloku.

Maloku shtoj se, opsione tjetër, më i mirë për mendimin e tij është organizimi i zgjedhjeve të reja, ku do dilte një formacion shumë më legjitim e më legal i negocimit.

Gashi: Marrja serioze e porosisë së G7 duhet të jetë shumë obligative dhe duhet të jete primare për dy shtete

Image
Kenan Gashi

Kenan Gashi, drejtor ekzekutiv i Organizatës Joqeveritare AVONET, ka thënë se, kjo thirrje është një prej kërkesave të vazhdueshme që G7 bënë ndaj Beogradit dhe Prishtinës, por kjo thirrje është agjendë e G7 dhe është në përputhje edhe me interesin e dy shteteve, po ashtu, kjo thirrje tregon edhe vullnetin e G7 për të normalizuar marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës.

“Qeveritë e dy shteteve nuk e kanë serioze kërkesën e G7 dhe nuk janë duke pare shume serioze, për arsyje sepse e G7 nuk është duke marr parasysh edhe kërkesat e dy shteteve si p.sh liberalizimin dhe krijimin e disa kushteve për këto dy shtete”, tha Gashi.

Ai gjithashtu tha se, marrja serioze e porosisë së G7 duhet të jetë shumë obligative dhe duhet të jetë primare për dy shtete.

“Shtete duhet të tregojnë seriozitet ndaj dialogut dhe t’i trajtojnë temat dhe të jenë transparent ndaj procesit, përfundoi ai”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat