Profesori i njohur godet Dardan Molliqajn: Po e luan mirë rolin e SHIK-ut

Politika

Profesori i njohur godet Dardan Molliqajn: Po e luan mirë rolin e SHIK-ut

Nga: N.H Më: 14 prill 2019 Në ora: 18:41
Glauk Konjufca dhe Dardan Molliqaj

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj ditë më parë deklaroi se Glauk Konjuca, kishte shërbyer në Shërbimin Informativ të Kosovës në vitin 2000 dhe 2001 dhe se rekrutimin e tij e kishte bërë Fadil Lepaja.

E lidhur me ketë çështje, për gazetën “Bota sot”, ka folur profesori i njohur, dhe njëherit edhe njohësi i zhvillimeve politike në vend.

Profesori Binak Maxharraj në një prononcim për gazetën “Bota sot”, fillimisht ka kujtuar kohën kur Molliqaj zbulonte arsyet e tij se pse po largohej nga Lëvizja Vetëvendosje.

Maxharraj ka thënë se atëbotë e vërteta ishte se dikush tjetër bënte plane makabre prapa shpinës së Lëvizjes Vetëvendosjes për ta dëmtuar këtë parti e cila doli e para në zgjedhje.

Image
Binak Maxharraj

“Nëse ju kujtohet ajo ikja apo rebelimi që ndodhi në Lëvizjen Vetëvendosje kur 12 deputetë më një skenarë të përgatitur mirë në agjendat e PDK-së dhe SHIK-ut, rolin kryesor e luante askush tjetër pos Dardan Molliqajt. Ky ishte më i lazdruari djalë në LVV, bënte akrobacione në Vetëvendosje nëpër protesta dhe kurrë nuk arrestohej e as ngucej nga askush. Jepte deklarata të pavërteta se po largohen nga “diktatori” Albin Kurti i cili e ka kapë për fyti LVV-në dhe nuk po e lëshon, por e vërteta është se ky djali i rebeluar Dardan Molliqaj ishte më e privilegjuari në këtë parti dhe kishte hapësirë të mjaftueshme të manovronte lirshëm në punën e tij. E vërteta ishte se dikush tjetër bënte plane makabre prapa shpinës së Vetëvendosjes për ta dëmtuar këtë parti e cila doli e para në zgjedhje, ndryshe për ta penguar në skenën politike”, ka thënë Maxharraj.

Ai mendon se zanafilla e përplasjes së Dardan Molliqajt i orkestruar dhe i trajnuar mirë me Konjufcën, njeriun e fuqishëm në këtë parti është për shkak se partia e Kurtit po ka rritje të vazhdueshme.

“LVV është një parti e të rinjve të cilët me ideale shikojnë përpara, një parti e pakorruptuar karshi partive tjera të cilat po e rrjepin këtë shtet. Thjeshte e vërteta ishte se këta 12 deputetë të rebeluar dikush i kishte jap për hunde me qëllim të largimit të tyre nga kjo parti dhe ia arritën qëllimit. Por, këta të rebeluarit ani pse e formuar një parti hibride, po sillen si “qura” në ujë pa e ditë se ku e kanë qëllimin, po bëhen bishta të partive në pushtet për tu kapë si për një kashte për te mbijetuar. Kurse nga ana tjetër Vetëvendosje po përforcohet për çdo ditë e më tepër. Dhe mu këtu zënë fillet e përplasjes së Dardan Molliqajt i orkestruar dhe i trajnuar mirë me Konjufcën, njeriun e fuqishëm në këtë parti”, ka thënë Maxharraj.

Tutje, ai ja thënë se nuk janë larg mëndësh se një përplasje e këtillë mes Molliqajt e Konjufcës është edhe për të larguar vëmendjen nga ikja e popullsisë nga Kosova.

“Përplasja e tij edhe në Parlamentin e Kosovës e ka prapavijën për t’i njollosë, për t’i dobësuar dhe dëmtuar njerëzit e Vetëvendosjes në krye me Albin Kurtin dhe posaçërisht Konjufcën, për ta njollosë tani kur veç edhe zgjedhjet e parakohshme janë në prag. Këto frustrime të Dardan Molliqajt janë të orkestruara në kuzhinat e partive tjera të cilat që sa vite e kanë kap shtetin dhe assesi nuk donë me e lëshu. Por, nuk janë larg mëndësh se një përplasje e këtillë e Dardan Molliqajt është edhe për të larguar vëmendjen nga ikja e popullsisë nga Kosova, për ta larguar vëmendjen edhe nga dialogu i keq që po bëhet me Serbinë në dem të Kosovës”, ka thënë ai.

Ai konsideron se Molliqaj po luan sikurse në teatër.

“Kotë thotë Dardan Molliqaj së i kemi vijat e kuq me PDK-në, ato vija PSD-ja i ka kaluar që moti, tani veç i janë afruar vijave të bardha. Unë nuk e di se ky deputeti i rebeluar i LVV-së tani në PSD-në (hibride) Dardan Molliqaj a ka qenë në SHIK apo jo, por po shihet që po e luan shumë mirë, si në teatër rolin e SHIK-istit të cilin ia kanë ndarë. Por, deklaratat e tij nuk po dalin të vërteta”, ka deklaruar Maxharraj.

Krejt në fund, Maxharraj ka nënvizuar se kështu njeriu me gojën e vetë, në këtë rast Molliqaj, e fëlliqi vetveten për interesa të të tjerëve.

“Njerëzit që ai i apostrofoi i reaguan ashpër, e demantuan, e rrëzuan për tokë. Lepaja ishte i pari që e “përqyrravi” Molliqajn, por edhe Naim Miftari e qepoi (goditi) fortë shuplakë Dardan Molliqajn, duke i mohuar qenien e Konjufcës në SHIK. Ja kështu bëhet horë njeriu me gojën e vetë, e fëlliqi vetveten për interesa të të tjerëve. Nga kjo Dardan Molliqaj mbeti vetëm si një “paqavër” e palarë”, ka përfunduar për gazetën “Bota sot”, Binak Maxharraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat