Kërkesa e vonë e komandantëve, Tribunali për krimet serbe duhej formuar para Gjykatës Speciale

Politika

Kërkesa e vonë e komandantëve, Tribunali për krimet serbe duhej formuar para Gjykatës Speciale

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 18 prill 2019 Në ora: 14:59
Foto ilustruese

Kuvendi  i Kosovës ditë më parë ka miratuar rezolutën për gjenocidin krimet serbe në Kosovë.

Me këtë rast, është kërkuar edhe krijimi i një Tribunali Special për krimet e serbëve gjatë luftës në Kosovë.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka deklaruar ideja e rezolutës është që të vazhdohet me hapa të tjerë, pasi duhet të krijohet një Tribunal Ndërkombëtar për krimet serbe.

Veseli këto komente i bëri pas propozimit të shefit të Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi për krijimin e një komision lidhur me sanksionet e krimeve dhe gjenocidit serb në Kosovës.

Por, a duhej pritur plot 20 vite për miratimin e një rezolute të tillë?

Image
Haki Abazi

Lidhur me këtë, analisti politik Haki Abazi, ka thënë për “Bota sot” se diskutimi për krijimin e Tribunalit ndërkombëtar për krimet serbe në Kosovë është qesharak.

Sipas tij, 20 vite pas luftës pasi është kaluar ligji për amnisti dhe serbeve i është krijuar Lista srpska.

Po ashtu ai ka rikujtuar se janë, akomoduar serbet të cilët kanë luftuar në forcat policore e paramilitare në sektorin e sigurisë.

“Tani Veseli po e bën patriotin e madh duke manipuluar kështu me ndjenjat e qytetarëve. Kosova nuk ka asnjë peshë dhe ndikim në krijimin e mekanizmave ndërkombëtare dhe kjo as që është përmendur ndonjëherë si temë e dialogut. Për të mbuluar dështimet dhe punësimet familjare dhe largimin e qytetarëve nga vendi si rezultat i keqqeverisjes dhe tani janë kthyer në temat patriotike, e kjo në fushatë elektorale dhe asgjë tjetër”, ka thënë analisti politik Haki Abazi.

Gashi: Është tepër naive të pritet që një gjykatë ndërkombëtare do të formohet tani për një etni tjetër

Image
Tomë Gashi

Kurse, avokati Tomë Gashi, ka thënë se pas 20 vjetëve bëhet një shfaqje teatrale ku kërkohet formimi i një grupi parlamentar që do të formuloj një rezolutë për të dënuar krimet e luftës dhe në kuadër të krimeve të luftës dhe gjenocidin serb ndaj popullatës civile shqiptare.

Ai ka shtuar se kjo është një iniciativë që të shfajësohen deputet e Kuvendit të Kosovës të cilët në vitin 2015 formuan Gjykatë Speciale kundër vetvetes, një gjykatë etnike dhe vetëm kundër shqiptareve në një shtet multi-etnik dhe ku lufta në Kosovë nuk ishte luftë qytetare, por luftë mbrojtëse nga okupimi klasik serb.

“ Në vend që të kërkohet akuzimi i të gjitha krimeve të luftës pa i ndarë në etni ata formuan një monstrum kundër vet UÇK-së, edhe pse sikur edhe sot sikur që 20 vite pushtetin e mbanin ish komandantët e UÇK-së. Dhe pas 20 viteve për të zbutur mllefin e popullatës shqiptare për shkak të Gjykatës Speciale e cila do ti gjykojë vetëm shqiptaret, tani kërkohet fillimi i nismës e kinse formimit të një gjykate dhe atë ndërkombëtare vetëm për serbet, për ata serb që kanë kryer krime të luftës ndaj popullatës shqiptarë në atë masë saqë krimet e tyre të luftës në disa raste janë gjenocid i pastër kundër shqiptareve”, ka thënë avokati Gashi.

Sipas tij, është tepër vonë dhe është tepër naive të pritet që një gjykatë ndërkombëtare do të formohet tani për një etni tjetër kombëtare, pra vetëm për serbet.

 “Sikur të mund të kthehej koha, saktë viti 2015 ndoshta do të mund të votohej për një Gjykatë ndërkombëtare pa i nda ata që kanë kryer krime të luftës në etni kombëtare. Shfajësimi i politikanëve tanë pas 20 viteve dhe pas fillimit të punës së Gjykatës Speciale është një fakt që tregon sa serioz janë politikanet në Kosovë dhe se gjithmonë të vonuar. Dhe për të gjitha mendoj se ne i kemi fajet që votojmë këtë lloj të politikanëve të cilët me këso rezolutash dëshirojnë të qesin hi në sy popullit që të mbeten edhe nja 20 vjet në pushtet,”, ka thënë avokati Tomë Gashi.

Kelmendi: Kosova duhet të hap vet procedurat penale kundër kriminelëve

Image
Muhamet Kelmendi

Ndërsa, njohësi i çështjeve juridike profesor Muhamet Kelmendi, ka thënë se Kosova ka mundësi të kërkojë dhe në këtë anë është vonuar shumë.

“Thuhet se Tribunali krijohet nga shtetet anëtare të OKB-së dhe kjo është e vërtetë. Mirëpo, kjo nuk ka penguar në kryerjen e dy detyrave kryesore në zhvillimet procedurale dhe nxjerrje të vendimeve gjyqësore për krime ndaj njerëzimit e për gjenocid sikundër edhe për dëme materiale dhe morale në vend, nga gjykatat e Kosovës dhe në paraqitjen e kërkesës legjitime vet apo nëpërmjet ndonjë shteti për krijimin e një Tribunali Ndërkombëtar për krime dhe dëme. Këto janë anashkaluar pa të drejtë, dhe tash po shihet se si po veprohet me kriminelët dhe shtetin kriminal serb. Madje edhe po injorohen krimet dhe terrori”, ka thënë profesor Kelmendi.

Sipas tij, këtu është edhe shkaku që Kosova duhet të hap vet procedurat penale kundër kriminelëve serb dhe mos të diskutojë fare me Serbinë pa e marrë shteti serb përgjegjësinë penale dhe pa bërë kompensimin e dëmit të shkaktuar.

“Baza juridike ekziston dhe të gjithë e dimë se Beogradi po e mohon dhunën dhe territorin, gjenocidin ndaj kjo përgjegjësi e shtetit serb duhet të paraqitet si kusht për bisedime. UE dhe SHBA duhet të jenë të qarta për këtë përgjegjësi të Serbisë ku i takon Kosovës të vendos këtë rregull”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike profesor Muhamet Kelmendi.

Burjani: Nuk do të ketë Gjykatë tjetër, derisa Serbia ka themeluar Gjykatën e saj kundër krimeve të luftës

Image
Blerim Burjani

Kurse, njohësi i çeshiteve juridike e politike Blerim Burjani, ka thënë se kërkesa e kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli është plotësuar pasi Tribunali i Hagës për ish Jugosllavi e ka pasur këtë mandat, dhe ky mandat është përfunduar.

Sipas tij, nuk do të ketë më Gjykatë tjetër, përderisa Serbia ka edhe Gjykatën e saj, kundër krimeve të luftës të cilën e ka themeluar, përderisa Kosovës ia kanë themeluar një Gjykatë Speciale.

“Kjo ishte e tëra pasi kërkesa për një Gjykatë më të mirë do të ishte që Kuvendi i Kosovës të themelon edhe një Gjykatë për Krime luftë në Kosovë, dhe kjo do të ishte e vetmja rrugë edhe pse tash kjo është tejkaluar. Kosova ka një gjykatë për krime lufte e trafikim me organe në Hagë. Kadri Veseli  dhe tjerët si PAN më mirë le të merren me krimet ekonomike ndaljen e korrupsionit të pandalshëm, nepotizmit dhe punësimit partiak e familjar dhe kontrollit të aseteve publike”, ka thënë Burjani.

Sipas tij, PAN si e tillë më mirë është të shuhet për një kohë deri në reformimit të këtyre subjekteve të përfituesve të paligjshëm.

“Normal një reformë e madhe duhet të ndodhë në PAN Sepse PAN më mirë është të shkrihen në një subjekt të vetëm politik dhe të reformoj strukturat e tyre dhe rrjetet e dëmshme për shtetin pastaj sërish të kyçen në politik ashtu si ka vepruar HDZ në Kroaci. Pra ka nevojë për një reformë të plot të PAN-it si subjekte, andaj le të mendojnë seriozisht këtë teme se është e domosdoshme kështu si janë bërë pengesë e zhvillimit të shtetit dhe të dëmshëm”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike e politike Blerim Burjani.

Krasniqi: Kërkesa për tribunal demagogji

Image
Faik Krasniqi

Kurse, politologu Faik Krasniqi, ka thënë se Kadri Veseli, është babai i demagogjisë.

“Lufta ka mbaruar që dy dekada, dhe këta sot flasin për krijimin e një Tribunali Ndërkombëtar për krimet serbe. Është e turpshme prej pushtetarëve tanë kur Serbia edhe pse agresore arriti që për shqiptaret të krijojë Gjykatë Speciale. Këto janë vetëm fjalë nga këta demagogë se po të ishin të sinqertë për Serbinë deri më tash do ishin krijuar me dhjetëra Tribunale për krimet serbe, këtyre nuk ju besohet për asgjë”, ka thënë politologu Faik Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat