Hetimi i SHIK-ut trembë një pjesë të politikës

Politika

Hetimi i SHIK-ut trembë një pjesë të politikës

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 19 prill 2019 Në ora: 11:13
Ilustrim

Debati  dhe akuzat e fundit të deputetit të Partisë Social Demokrate, Dardan Molliqaj, ndaj atij të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufta, se ky i fundit ka qenë anëtar i ish SHIK-ut, kanë rikthyer në skenë cështjen e kësaj organizate, të konsideruar si të dyshimtë dhe si kriminale.

Ka disa vite që Lëvizja Vetëvendosje, kërkon krijimin e një komisioni parlamentar për hetimin e veprimtarisë së SHIK-ut.

Mirëpo, në mungesë votash, kjo parti nuk ka arritur që ta realizojë planin e saj.

Duke folur për akuzat e Molliqajt ndaj Konjufcës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka thënë për “Bota sot”, se ato që ka thënë Molloqaj janë marrëzira dhe se nuk merren me to.

Kurteshi: Shumica e partive politike nuk guxojnë ta hetojnë SHIK-un

Sipas tij, puna e SHIK-ut është dashur të sqarohet me një hetim prokurorial-gjyqësor që moti, paralelisht me një hetim politiko-ligjor parlamentar.

Image
Sami Kurteshi

“Për mua personalisht, kjo është një çështje false e aktualizuar vazhdimisht nga PSD-ja kryesisht përmes Molliqajt dhe një përpjekje apo shpifje e neveritshme me qëllim të tërheqjes së vëmendjes të publikut, së pari nga tradhtia klasike e atyre që kanë ikur nga LVV, e së dyti dhe rrjedhimisht nga problemet aktuale ekonomike, shoqërore, politike, nga korrupsioni dhe krimi i organizuar institucional, nga mjerimi që po nxit ikjen nga Kosova dhe probleme të tjera të shumta. Puna e SHIK-ut është dashur të sqarohet me një hetim prokurorial-gjyqësor që moti, paralelisht me një hetim politiko-ligjor parlamentar. Kjo nuk ka ngjarë, sepse shumica e partive politike, përjashta LVV, nuk guxojnë ta bëjnë këtë. Prandaj tema mbetet ”aktuale“ edhe për një kohë, por jo shumë të gjatë”, ka thënë deputeti Sami Kurteshi.

Kurse, Avni Zogiani publicist dhe anëtar i Vetëvendosjes, ka thënë se asnjë parti pothuajse nuk e ka përkrahur iniciativën e kësaj partie për hetim në rastin e SHIK.

Sipas tij, kjo iniciativë është shtyrë fort nga Lëvizja me qëllim që të vendos dritë në një organizatë, rreth të cilës lidhen akuza të të gjitha llojeve.

Image
Avni Zogiani

“Ka raportime për krime të rënda krime ekonomike, e konspiracion por kjo siç duket nuk i ka lënë përshtypje askujt në politikën e Kosovës jashtë LVV. Kjo për mua do të thotë se një pjesë e politikës ka qenë në marrëdhënie me këtë organizatë dhe prandaj nuk lejohet hetimi”, ka thënë Zogiani.

Duhanaj: Nuk ka mundësi reale për një hetim objektiv të kësaj organizate

Kurse, analisti politik Leon Duhanaj, ka thënë se çështja e hetimit të aktiviteteve të SHIK-ut, është debatuar me qindra herë dhe asnjëherë nuk ka dalë ndonjë rezultat nga këto debate.

“E them këtë për shkak se që të dy janë të inkriminuar dhe e akuzojnë njëra-tjetrën pa u koncentruar në faktimin e akuzave. Natyrisht që duhet hetuar çdo aktivitet dhe i kujtdo qoftë, që ka luajtur rol në të kaluarën dhe të tashmen. Duhet të hetohet çdo punë e mirë por edhe e ligë dhe secili të mbajë qoftë meritat, qoftë përgjegjësitë mbi supet e veta. Megjithatë, mendoj që për të ndodhur një hetim i tillë i mirëfilltë, kërkohet kohë. Kërkohet kohë dhe kërkohet së pari ndryshim i gjeneratës se politikanëve, në vend. Nuk ka asnjë mundësi reale për një hetim objektiv të kësaj organizate, nëse strukturat politike e partiake, janë të stërmbushura me agjent apo ish agjent të saj. Për mendimin tim, në ketë aspekt asnjë parti nuk ka imunitet moral ta bëj ketë”, ka thënë Duhanaj.

Image
Leon Duhanaj

Sipas tij, segmente të tyre, ose janë të infiltruar në të ose janë të shantazhuara nga e kaluara e tyre dhe nuk guxojnë të çojnë pluhur.

“Është iluzore të pritet drejtësi nga vetë të akuzuarit, këndej edhe nuk shoh ndonjë shpresë që shpejt do mund të ndodhin hetime të çfarëdolloj aktiviteti të mundshëm. Këtij vendi i është vrarë shpresa dhe kjo po dëshmohet edhe me lëshimin e vendit nga qytetarët. Nuk ka me shpresë që një ditë mund të bëhen punë të mira, përderisa një kastë kusarësh mbajnë peng këtë vend dhe rekrutojnë gjeneratën e dytë për ta vazhduar këtë krim ndaj vendit shih familjarët e tyre. Secili i përgatit fëmijët dhe të afërmit e vetë me diploma para dhe poste, në mënyrë që një ditë ta vazhdojnë zhvatjen e këtij populli, njëkohësisht edhe për ta garantuar pajtueshmëri e tyre”, ka thënë Duhanaj.

Haziri: Komisione parlamentare, për të hetuar SHIK-un, janë shoë të dobëta politike pa asnjë përmbajtje dhe si të tillë edhe janë të dështuara

Opinionisti Nexhat Haziri, ka thënë se me organizatën kriminale SHIK që ka shërbyer si “nëntoka e krimit të organizuar e PDK-së”, nuk duhet të merret Kuvendi i Kosovës, pasi një gjë e tillë i jep legjitimitet kësaj organizate.

Image
Nexhat Haziri

Sipas tij, kjo organizatë përpos që është marrë më krim të organizuar, manipulim të proceseve zgjedhore në favor të PDK-së, po ashtu dyshohet edhe si ekzekutore vrasjeve politike të pas luftës të shumë personaliteteve të njohur të jetës shoqërore dhe politike në Kosovë.

“Edhe këtë komisione të ashtuquajtura parlamentare, janë mekanizma koti pasi nuk kanë fuqi as ekzekutive e as juridike për të hetuar një organizatë kriminale. Nuk ndodhë askund në botë që organizatat kriminale të hetohen nga komisione parlamentare, apo nga Kuvendi si institucion ligjvënës. Me të tilla organizata si SHIK-u, duhet të merret organet kompetente të prokurorisë së shtetit që do ta hetonin veprimtarinë kriminale të saj. Andaj këto komisione parlamentare, gjoja për të hetuar SHIK-un, janë show të dobëta politike pa asnjë përmbajtje dhe si të tillë edhe janë të dështuara”, ka thënë opinionisti Haziri.

Kurse, politologu Faik Krasniqi, ka thënë se për vite të tëra është përfolur krijimi i një komisioni parlamentar për hetimin e SHIK-ut, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë.

Image
Faik Krasniqi

Sipas tij, kjo ka ndodhur për faj të LDK-së, e cila nuk e përkrahi kurrë krijimin e një komisioni të tillë.

“Ka edhe arsyen e saj, sepse nëse zbulohen krimet e pretenduara nga SHIK-u dhe shërbimet tjera që kanë vepruar në Kosovë, atëherë nuk do të mund të fitonin me poena politike. LDK është ajo që më së shumti drejton shigjeta drejt SHIK-ut për vrasjen e anëtareve të saj, kurse në anën tjetër kur vije puna që të hetohet ky shërbim informativ tërhiqet. Ajo kurrë nuk ka qenë e interesuar që t'i zbardhë vrasjen e anëtarëve të saj, edhe pse ka qenë gjithmonë në pushtet. Sidoqoftë i ka dalë ngjyra më kësaj pune dhe nuk do të mund të fitojnë më vota në emër të të vrarëve”, ka thënë politologu Faik Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat