Personifikuesi i klanit Pronto kërkon aktakuza për politikanët e profilit të lartë

Politika

Personifikuesi i klanit Pronto kërkon aktakuza për politikanët e profilit të lartë

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 21 prill 2019 Në ora: 08:46
Kadri Veseli

Kryeparlamentari Kadri Veseli, ka kërkuar nga prokurorët që sa më parë të ngrisin aktakuza për politikanë e profilit të lartë.

Veseli në konferencën për drejtësinë komerciale, në kuadër të procesit të Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit, ka thënë se njerëzit e gjyqësorit kanë kapacitet dhe guximin të bëhen heronj të vendit duke mos kursyer askënd pa marrë parasysh pozitën e tij.

Megjithatë, për njohësit e çështjeve politike, kjo deklaratë e Veselit është sa e çuditshme aq edhe qesharake.

Sipas tyre, kjo deklaratë është një gjendje tragjiko-komike.

Mehmeti: Kadriu po tallet me qytetarët

Image
Faton Mehmeti

Analisti Faton Mehmeti, ka thënë se ka qeshur nga zori kur ka dëgjuar deklaratat e Kadri Veselit , duke ju bërë thirrje prokurorëve që të ngrinin aktakuza kundër zyrtarëve të lartë.

“ Kjo është një gjendje tragjiko-komike, pasi njeriu që dyshohet se  i ka “duart me gjak” thërret për drejtësi. Është mëse komike pasi ky njeri duhet të ishte sot prapa grilave. Kosova ka prodhuar këso politikanë, që fatkeqësisht dyshohen për krime dhe hajni. Kadriu po tallet me qytetarët, pasi është pikërisht ai që emëron gjyqtarët me telefon, që fillimisht këta prokuror duhet të ishin në burg”, ka thënë analisti politik Faton Mehmeti.

Sipas tij, militantët e PDK-së janë prokurorë që Hashimi me Kadriun i “rrahin shuplaka” sa herë të duhen.

“Pa dyshim mund të them se këta nuk janë prokuror por servilë. Madje, këtu ka marr fund çdo gjë, e fatkeqësish PDK-ja e fundosi këtë vend. PDK-ja është bërë e keqja më e madhe e vendit”, është shprehur analisti politik Faton Mehmeti.

Shahu: kjo thirrje e Veselit është edhe kujtesë nga ai që propozon e ndikon në emërtesa për prokurorë e gjykatë

Image
Rexhep Shahu

Analisti politik Rexhep Shahu, ka thënë për “ Bota sot” se kjo thirrje e Veselit është edhe kujtesë nga ai që propozon e ndikon në emërtesa për prokurorë e gjykatës.

“Nëse hiqen prangat e politikës që emëron e shkarkon prokurorët dhe nëse hiqen edhe zinxhirët që vendos mafia e krimi, atëherë themi lirisht se mund të zgjatet dora e drejtësisë në nivelet e larta siç gjore Veseli”, ka thënë analisti Rexhep Shahu.

Haziri: Politikanët si Veseli janë ata që e kanë kalbëzuar sistemin e drejtësisë

Image
Nexhat Haziri

Kurse opinionisti Nexhat Haziri ka thënë se kërkesat apo deklaratat si kjo e kryetarit të Kuvendit, njëherit edhe kryetar aktual i PDK-së, Kadri Veseli, sikur edhe deklaratat nga kryeministri Haradinaj, gjoja për mafien në KEK-, janë deklarata hipokrizie që janë në shërbim të mashtrimit të opinionit në Kosovë.

“Unëi shoh edhe në vazhdën e paralajmërimit për zgjedhjet e parakohshme të cilat do të ndodhin në vjeshtën e hershme të këtij viti. Politikanët si soji i Veselit dhe të tjerët nga tarafi i qeverisjes aktuale të vendit, e din se prokuroria është e kapur dhe janë pikërisht këta që e kanë kalbëzuar sistemin e drejtësisë, dhe duke pasur nën kontroll këtë sistem e kanë të lehtë të bëjnë deklarata të tilla”, ka thënë Haziri.

Sipas tij, po të kishim një sistem të drejtësisë funksional, Veseli nuk do të vazhdonte të ishte në krye të organit më të lartë ligjvënës të vendit.

“Nëse do të kishim një sistem të drejtësisë funksionale Veseli do të ishte në krye të ligjvënësit të vendit me shumë nga shokët e tij, duke filluar edhe nga presidenti i vendit Thaçi, me të cilën bash kryesojnë PDK-në, pasi dihet mirë se kokat e krimit të organizuar, korrupsionit dhe të gjitha fenomeneve negative të cilat e kanë goditur vendin dhe po e mbajnë peng të ardhmen e tij, janë pirkëshit këta që sot me deklarata anti-korrupsion, po na shesin “dushk për gogla”. Nuk ka dhe nuk do të ketë luftë kundër korrupsionit me këtë klasë qeverisëse ne vend dhe me një prokurori të kapur dhe të shantazhuar nga nëntoka e partive politike të cilat aktualisht qeverisin me vendin. Unë besoj se edhe qytetarët e vendit nuk do të bien pre e këtyre mashtrimeve, “deklaratave të ëmbla” të Veselit dhe të tjerëve si ai, kur dihet fare mirë veprimet e tyre inkriminuese” ka thënë opinionsti Haziri.

Burjani: Kjo nuk është çështje e politikës por e drejtësisë

Image
Blerim Burjani

Kurse, njohësi i çështjeve politike dhe juridike Blerim Bujani, ka thënë se kjo nuk është çështje e politikës, por e drejtësisë. Sipas tij, politika nuk mund të rishikoj këtë sistem sepse është në kundërshtim me kushtetutën, e shteti gjykata, dhe prokuroria është e pavarur nga legjislativit dhe qeveria.

“Kjo është çështje sa për të thënë diçka, kjo nuk është e kompetencë e Ministrisë së Drejtësisë dhe as që duhet të merret ajo me këtë është në kundërshtim me kompetencat e saj. Kjo është çështje e KPK dhe KGJK ato duhet të merren me këtë temë ato janë të kapur nga politika si institucione kompetente”, ka thënë njohësi i çështjeve Burjani.

Gashi: Pushtetet janë të ndara

Image
Tomë Gashi

Kurse, avokati Tomë Gashi ka thënë se kryeparlamentari Kadri Veseli nëse e ka thënë këtë ka harruar se pushtet janë të ndara dhe pushteti ligjvënës e që është Kuvendi i Kosovës dhe as Qeveria e Kosovë, nuk kanë të drejtë që të ndërhyjnë në punët e prokurorisë dhe as të gjykatave.

“Pushtetet janë të ndara në pushtet legjislativ e që është Kuvendi i Kosovës, në pushtet ekzekutiv e që është qeveria e Kosovës dhe në pushtet gjyqësore e që bënë pjesë prokuroria dhe gjykata. Dhe asnjë pushtet nuk bënë dhe nuk do të duhej të ja përkujtonte tjetrit pushtet detyrat e veta. Inkurajimi për të kryer punët e veta prokuroria është paksa i tepërt sepse nuk i duhet kurrfarë leje prokuroreve për ta kryer punën e vet. Nëse mendojnë pushtetet ndryshe atëherë mund të keni raste të tjera të ikjes së prokurorëve nga Kosova për shkaqe të kryerjes së punës së tyre siç ishte rasti i prokurorit Elez Blakaj”, ka thënë avokati Tomë Gashi.

Mehazi:Propozimi vjen nga grupi famëkeq i “Prontos”

Image
Sulejman Mehazi

Kurse, njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi, ka thënë se sikur këtë deklaratë për gjyqësorin ta kishte dhënë Albin Kurti do kishte zënë besë, por pasi e thotë Kadri Veseli, atëherë më shumë janë gënjeshtra politike sesa të sinqerta.

“Si propozime politike janë të arsyeshme e të mira, ama fatkeqësisht, propozimi vjen nga grupi famëkeq i “Prontos” e na detyron të dyshojmë. Në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni nuk funksionojnë sektorët sunduese të ligjit, por funksionojnë sektorët korruptive e shkatërruese të Ligjeve, e njëri prej këtyre është vet Krye parlamentari Veseli. Deklarata e Veselit për Sundimin e ligjit më shumë vlen për popullin e Kosovës sesa për vet Veselin. Po të bëjmë një pyetje se pse aq lehtësisht e pa pikë djerse u pasuruan elita politike e Kosovës, ku është faji? Është e lehtë për tu kuptuar pasi dihet se gjyqet e korruptuar krijojnë qeveri të korruptuar. Pra kanceret e të gjithave të këqijave janë gjyqet e Kosovës, duke filluar që nga instancat më të ulëta deri në ato më të lartat shtetërore”, ka thënë profesor Mehazi.

Sipas tij, kur funksionarët e lartë shtetëror sundojnë gjyqet atëherë zhvillohen metastazat skandaloze e korruptive në të gjitha sektorët shtetërore.

“E keqja e të gjitha të këqijave është gjyqësia, damarët kryesore të shtetësisë stabile e të begatshme janë gjyqet. Sundimi i ligjeve dhe gjyqeve shtetësisë së Kosovës i japin forcë evropiane, drejtësi e ushqime ekonomike, sociale, shpirtërore e morale. Ne kritikojmë të gjithë: Kryetar, Kryeministër, deputetë, mjekë, profesorë, mësues, priftërinj, hoxhallarë, drejtorë të sektoreve të ndryshme, ama thuajse aspak nuk kritikojmë kanceret vdekjeprurëse shtetërore sikurse që janë gjyqësorët”, ka thënë njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi.

Krasniqi: Nuk ka drejtësi të pavarur

Image
Faik Krasniqi

Ndërsa, politologu Faik Krasniqi, ka thënë Kadri Veseli, është një ndër politikanët më demagog që ka Kosova.

 “Thua që drejtësia në Kosovë vepron në mënyrë të pavarur dhe guxon të ndërmarrin një hape të tillë. Po të kishim drejtësi të pavarur në vend, Kadri Veseli dhe shumica e pushtetarëve dhe ish pushtetarëve tashmë do të ishin në burg”, ka thënë politologu Faik Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat