Profesori i shkencave të politikës zbulon se çfarë pritet të ndodhë në samitin e Berlinit

Politika

Profesori i shkencave të politikës zbulon se çfarë pritet të ndodhë në samitin e Berlinit

Nga: N.H Më: 22 prill 2019 Në ora: 22:23
Hashim Thaçi dhe Aleksander Vuçiq

Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, do të takohen më 29 prill në Berlin, me ftesë të Gjermanisë dhe Francës.

Dialogu mes krerëve të dy vendeve, presidentëve Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrave Ramush Haradinaj e Ana Bërnabiq, pritet të zhvillohet më 29 prill në Berlin, me ndërmjetësim të kancelares gjermane Merkel dhe presidentit francez Macron, në margjinat e takimit të liderëve të Ballkanit.

Për ta komentuar këtë takim, gazeta “Bota sot”, ka kontaktuar profesorin e shkencave të politikës.

Analisti politik, Jeton Kelmendi, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se nga takimi i Berlinit që do të mbahet më 29 prill të këtij muaji, pret që të del diçka konkrete.

Mirëpo ai shton se nuk pret ndonjë gjë të madhe për shtetin e Kosovës, për shkak se sipas tij, gjithçka deri më tani ka shkuar në favor të Serbisë.

Image
Jeton Kelmendi

“Mendoj se takimi i Berlinit është jashtëzakonisht i një rëndësie të madhe për Kosovën, sepse ndonëse ka një kohë të gjatë që është ndalur vazhdimi i negociatave mes Serbisë dhe Hashim Thaçit, pra mendoj se do të del diçka konkrete, sigurisht se unë nuk pres ndonjë gjë të madhe për shkak se gjithçka deri më tani ka shkuar në favor të Serbisë, gjithçka është orientuar në drejtim të këtij shteti”, ka thënë Kelmendi, për gazetën “Bota sot”.

Analisti politik tutje ka thënë është fatkeqësi kur në krye të shtetit të Kosovës ndodhen njerëz të cilët nuk kanë vizione për shqiptarët.

“Është fatkeqësi kur në krye të shtetit të Kosovës ndodhen njerëz të cilët nuk kanë vizione ose të them më qartë vizione për shqiptarët, sepse ata mund të kenë vizonin e tyre të caktuar, por jo për t’iu shërbyer shqiptarëve, për ta futur në disfavor në disa aspekte”, ka thënë ai.

Në fund, ai thekson se nga ky takim, mund të ketë edhe ide për t’iu dhënë më shumë serbëve në Veri të Kosovës.

“Aty pres ndonjë propozim konkret që siç spekulohet që mund të ketë edhe gjëra të vërteta edhe nga mediet ndërkombëtare e vendore, mund të ketë edhe ide për t’iu dhënë më shumë serbëve në veri, që njihet si Ahtisaari plus, që në fakt deri më tani kemi parë këtë, por që ndoshta do të jetë Ahtisaari plus, plus”, ka përfunduar njohësi i zhvillimeve politike në vend, Jeton Kelmendi për gazetën “Bota sot”.

Ndryshe, kujtojmë se ky do të jetë takimi i parë i nivelit të lartë që pas pezullimit të bisedimeve në vjeshtën e vitit të kaluar kur qeveria e Kosovës vendosi tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj siç është thënë, fushatës agresive të Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat