Voca tregon arsyet pse po largohen shqiptarët nga Kosova - Bota Sot
Voca tregon arsyet pse po largohen shqiptarët nga Kosova

Politika

Voca tregon arsyet pse po largohen shqiptarët nga Kosova

Nga: D. B Më: 23 prill 2019 Në ora: 13:44
Mirsad Voca

Të rinjtë po e lëshojnë Kosovën më së shumti për shkak të papunësisë por edhe për arsye jetësore siç është shëndetësia, siguria, arsimi, cilësia e jetës në përgjithësi.

Kështu ka vlerësuar njohësi i Integrimeve Evropiane Mirsad Voca, i cili në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se kjo po ndodh pikërisht për shkak të dështimit që nga shpallja e pavarësisë e të gjitha qeverive për të ndryshuar gjendjen ekonomike, arsimore, shëndetësore dhe për të ngritur një drejtësi universale e jo selektive.

Sipas tij, ligji për konfiskim të pasurisë nuk po bëhet ekzekutues, dhe për këtë fajtor është shteti i kapur.

“Sikur gjyqësori, edhe kryeprokurori i Shtetit, duke shërbyer shoqërinë me një drejtësi selektive, natyrisht të ndikuar nga politika, nuk bëjnë punën e duhur. Përball kësaj kemi pasurimin e zyrtarëve të lartë dhe politikanëve të shumtë që është me përmasa enorme krahas të ardhurave të tyre mujore, dhe nuk ka asnjë llogaridhënie për këtë fenomen jashtëzakonisht të rrezikshëm për Shoqërinë. Drejtësia selektive ndërlidhet edhe me taksat, p.sh një këngëtar për një dasmë fiton 5000 euro ndërsa i deklaron 500 euro dhe qeverisë nuk i bëhet vonë me këtë. Megjithatë takson të varfëritë që mezi sigurojnë ushqimin. Nuk ka mekanizma efikas për taksa pagim të drejtë dhe kjo injorohet apo bëhet me qëllim nga ana e pushtetit të kapur”, ka thënë Voca.

Sipas tij, një zyrtar shteti, qoftë deputet, ministër, gjykatës apo prokuror ka deri në tetë paga në muaj dhe pothuaj të gjitha burojnë nga sektori publik.

“Kjo e dekurajon tërë shoqërinë pa dallim partie, moshe, etnie dhe për këtë fenomen në vende pak më të zhvilluara shoqëria e tyre del manifeston mbi frymën demokratike deri në ndryshim të rrethanave. Si është e mundur që një zyrtar/funksionar shteti të jap kontributin e duhur dhe të tregoj performancë kur njëkohësisht punon edhe në 3 universitete.

Kryeministri thotë se do ta lëshonte pozitën nëse dikush ka ide se si mund ta ndal zbrazjen e Kosovës. Po, patjetër do ta udhëheqtë Qeverinë dikush tjetër me ide të qarta se si të ndalet kjo zbrazje me përmasa të frikshme, me kusht që jo vetëm Kryeministri por i tërë ekipi qeverisës bashkë me klanet tjera do të lironin pozitat”, ka thënë Voca.

Ai ka thënë se problemet e Kosovës nuk kanë të bëjnë vetëm me një individ por siç e kam theksuar disa herë me grupe apo klane politiko-mafioze dhe me intereset e tyre të ndërthurura.

“Këto klane nuk mund të funksionojnë pa njëra tjetrën ani pse shihen në opinion si kundërshtare në politike bërjen e tyre. Këtyre klaneve mafioze iu konvenon një zbrazje edhe ajo sa më e thellë e vendit sepse do kenë edhe më shumë hapësirë për të vazhduar me pushtetin duke i kapur institucionet e vendit edhe më fort. Pastaj ka nga përkrahës të tyre që i quajnë po këta që e braktisin vendin e të cilët bëhen pjesë e diasporës si njerëz primitiv siç ishte rasti i disa pseudo gazetarëve prej të cilëve paska edhe shef redaktorë të gazetave apo portaleve e të cilët nuk dinë të thurin vet ndoshta asnjë fjali. Këto figura mediokre e gojëkeqe nuk duhet të kenë hapësirë në opinion publik, e lëre më të merren me redaktim të gazetave, mirëpo aty ku nuk ka etikë njerëzore, një deontologji profesionale, nuk ka as skrupuj dhe për këtë u është krijuar hapësirë të pa skrupujve”, ka thënë Voca.

Sipas tij, Kosova me këta njerëz në pushtet nuk ka ardhmëri prosperuese për shoqërinë e saj, dhe këtë duhet ta ri përsërisim çdo ditë në mënyrë që Shoqërisë ti krijohet hapësirë për të vepruar e jo ta nxisim atë për ta braktisur vendin.

“Natyrisht që vendi duhet udhëhiqet nga rinia e saj sepse sot jemi në shekullin 21 dhe me figura të shekullit të kaluar e me klane mafioze do të ketë vetëm regres. Aktualisht, bota po ec me hapa edhe më të shpejtë falë përshpejtimit të zhvillimit teknologjik. Në Kosovë ende merremi me mentalitet politik bajraktarllaku, ndërsa vendi urgjentisht ka nevojë për një demokraci më participative. Këto klane nuk dinë dhe nuk dojnë të kuptojnë se ç ‘është Nocioni i popullit, i kombit, dhe çfarë është koncepti i një shoqërie të lirë dhe demokratike. Ndoshta edhe mendojnë se Shteti do të funksionojë edhe pa shoqëri gjë që asnjë teori politike nuk mund ta shpjegoj se si do të dukej një pushtet mafioz me një grup njerëzish servilë ndaj pushtetit të kapur dhe pa shoqëri qytetare apolitike”, ka thënë njohësi i Integrimeve Evropiane, Mirsad Voca.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...