Kosova e varfër, në duar të komandantëve milionerë dhe haraçistëve

Politika

Kosova e varfër, në duar të komandantëve milionerë dhe haraçistëve

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 23 prill 2019 Në ora: 17:39
Foto ilustrim

“Aksidenti i rëndë politik që Kosovën e qeverisin dhe drejtojnë një grusht komandantesh, që u bënë pasanik nga biznesi i luftës e pasluftës pasi uzurpuan pasuritë publike dhe krijuan pushtet fisi. Haraçistat nuk do të krijonin pikturë tjetër sociale në Kosovë me mbi 100 mijë njerëz ose mbi 25 mijë familje që mbijetojnë në kushte mizerje, me mëshirën e qeverise me dorën shtrirë për lëmoshë qeveritare”, ka thënë Rexhep Shahu publicist.

Përderisa milionerët në politikë nuk e çajnë kokën për qytetarët, por për pagat dhe mëditjet e tyre, të rinjtë nga ana tjetër vazhdojnë të largohen nga Kosova pikërisht për shkak të papunësisë.

Mbi 25 mijë familje në Kosovë vazhdojnë të mbesin gjallë vetëm nga ndihma sociale që marrin nga shteti, thuhet në shifrat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK). Numri më i madh i tyre është në Mitrovicë, përkatësisht mbi 2 mijë familje, pas asaj vjen Prishtina, Vushtrria e Lipjani. Numri i familjeve që jetojnë me social në këto komuna shkon në mbi 6 mijë. Ndërkohë, gjithë këto familje i kushtojnë buxhetit të shtetit më të varfër në rajon mbi 33 milionë euro në vit. Llogaritet se social marrin mbi 103 mijë e 409 qytetarë në Kosovë dhe vazhdojnë të mbajnë shpresat tek sociali, ky lloj ‘pensioni’ po mbanë shpresat që të mbesin gjallë vetëm me paratë që marrin.

“Bazuar në gjendjen e muajit dhjetor 2018, numri i familjeve që kanë përfituar nga skema e ndihmës sociale ishte 25,345 familje. Numri më i madh i familjeve ishte në komunën e Mitrovicës me gjithsej 2,275 familje”, thuhet në raportin e ASK-së.

Në shtetin e politikanëve milionerë jetojnë mbi 25 mijë familje nga ndihmat sociale. Me këto statistika po vërtetohet arsyeja pse shumica e të rinjve po largohen nga Kosova është pikërisht papunësia.

Në anën tjetër, milionerët në politikë nuk e çajnë kokën për qytetarët, por për pagat dhe mëditjet e tyre.

Makolli: Diskrepancë e madhe në mes të klasës së pasur dhe të varfër

Sekretari i Përgjithshëm në AKR, Vesel Makolli, ka thënë për “ Bota sot” se kjo rrjedhë nga situata e vështirë ekonomike jo vetëm në vendin tonë, por edhe në vendet tjera, që nuk kanë zhvillim të duhur ekonomik, duke bërë kështu që shumë të rinj ta braktisin vendin e tyre, dhe të kërkojnë vende pune apo mirëqenie në vende të zhvilluara gjegjësisht në vendet perëndimore.

Image
Vesel Makolli

“Është e dhimbshme kjo lëvizje e rinisë tonë, por në anën tjetër është e drejtë demokratike që çdo njeri të kërkojë vendin e duhur për një mirëqenie më të mirë. Shkaku kryesor i largimit i të rinjve tonë në vende perëndimore është papunësia e madhe që mbretëron në Kosovë. Madje ka edhe mjaft prej tyre që kanë vende pune, por nuk janë të kënaqur me standardin e jetesës dhe kërkojnë një mirëqenie më të mirë. Për këtë kohë që jetojmë këto migrime mund të quhen edhe normale pasi që shtetet e Evropës perëndimore gjegjësisht Bashkimi Evropian funksionon si një tërësi ku kufijtë janë vetëm shënime administrative. Ne jo vetëm që jemi fqinj të BE-së, por synojmë që të jemi edhe pjesë përbërëse e Bashkimit Evropian dhe është e vërtetë që në shoqërinë e Kosovës ka një diskrepancë të madhe në mes të klasës së pasur dhe të varfër”, ka thënë Makolli.

Makolli ka thënë se shteti i Kosovës, duhet urgjentisht të ndërmerr masa paraprake në krijimin e kushteve për thithjen e investimeve të huaja për një zhvillim ekonomik e njëherit për krijimin e vendeve të reja pune.

“Në këtë kontekst duhet edhe të luftohen dukuritë negative të shoqërisë tonë sidomos korrupsioni dhe nepotizmi. Klasa e të pasurve gjegjësisht e milionerëve nga Kosova duhet ta kenë obligim dhe detyrë njerëzore, humane dhe patriotike që kapitalin e tyre ta investojnë në vendin e tyre për të hapur vende të reja pune duke ndikuar kështu drejtë për drejtë në zvogëlimin e migrimit të të rinjve tonë. Nëse para 20 viteve ka qenë patriotike të luftosh me armë në dorë kundër pushtuesit për fitimin e lirisë, tani është edhe me patriotike nëse mundëson krijimin e vendeve të punës dhe ndikon ne realizimin e ëndrrave të rinisë tonë për një jetë prosperuese në vendlindjen e tyre”, ka thënë Vesel Makolli.

Shahu: Pasanikë nga biznesi i luftës e pasluftës

Kurse, analisti politik Rexhep Shahu, ka thënë se aksidenti i rëndë politik që Kosovën e qeverisin dhe drejtojnë një grusht komandantesh, që u bënë pasanik nga biznesi i luftës e pasluftës pasi uzurpuan pasuritë publike dhe krijuan pushtet fisi.

Sipas tij, haraçistat nuk do të krijonin pikturë tjetër sociale në Kosovë me mbi 100 mijë njerëz ose mbi 25 mijë familje që mbijetojnë në kushte mizerje, me mëshirën e qeverise me dorën shtrirë për lëmoshë qeveritare.

Image
Rexhep Shahu

“Është edhe më tragjike se kësaj kategorie ua kushtëzojnë ndihmën sociale me votën që duhet ti japin ndonjë të forti a komandanti a fisit të tij. Shqiptarët fatkeqësisht në Shqipëri e Kosovë e mbyllin muajin dhe blejnë bukën falë remitancave të bijve emigrante falë mëshirës e kujdesit të bijve emigrantë për prindërit e familjet e tyre në Kosovë e Shqipëri. Sa të jetë kjo lidhje e dashuri e bijve emigrante për prindërit, vëllezërit e motrat do të jetojnë shqiptarët në hapësirat e tyre edhe pse shtetet shqiptare nuk kujdesen për qytetarët por për shtetarët e komanduarit”, ka thënë analisti politik Rexhep Shahu.

Burjani: PAN është bërë për të bërë para dhe privilegje të paligjshme

Kurse, njohësi çështjeve juridike e politike Blerim Burjani, ka thënë se rreth 27 mijë familje në Kosovë, vazhdojnë të jetojnë në varfëri ekstreme ose 12% të qytetarëve të Kosovës kanë probleme ekzistenciale.

Sipas tij, deri më tash me ndihma simbolike të shtetit apo me asistencë të dobët sociale nuk arrijnë as të paguajnë barnat elementare.

Image
Blerim Burjani

“Kjo kategori vazhdon tejet e margjinalizuar nga pjesa dërmuese e qytetarëve, pasi në Kosovë klasa politike së bashku me klasën e lartë të biznesit vazhdojnë të jetojnë në luks, përderisa Qeveria e shtetit ka 21 ministra, 80 zëvendës ministra dhe 100 këshilltar politik. Dhe pikërisht këto padrejtësi e kanë rënduar edhe më shumë jetën sociale, të kësaj kategorie si dhe bordet e shumta, me deputet të cilët paguhen rreth 1.400 euro në muaj, bordet dhe komisionet e pavarura 1000 euro etj të cilët e kanë vështirësuar skajshëm këtë kategori sociale”, ka thënë Burjani.

Ai ka thënë, se pas rritjes së pagesës në sektorin shtetëror të administratës çmimet po shtrenjtohen skajshëm.

“Shporta ditore po bëhet gjithmonë e pandashme fare për shumicën e qytetarëve e veçmas për 12 % që jetojnë skajshëm, përderisa rreth 300 mijë punëtor jetojnë me 170 deri 280 euro në muaj. Prandaj, kjo kategori po ikë nga Kosova pikërisht në mungesë dhe në frikë se nuk ka perspektivë apo nuk ka progres në zhvillim ekonomik dhe papunësi të madhe. Ikja është vështirë pro dhe nuk ka tjetër për momentin pa ndryshim të kësaj klasë politike dhe pa vetëdijesim të qytetarëve nuk ka gjë, sepse qytetarët do të duhet të vetëdijesohen. Kjo qeveri duhet të jep dorëheqje sa më parë por PDK-ja vazhdon ta mbajë për interesa të veta korruptive. PAN është qeverisja më e dobët dhe më e mbrapshtë e shtetit deri më tash. Madje, të gjithë e dinë që ky PAN është bërë për të bërë para dhe privilegje të paligjshme, apo pasurim pa bazë”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike e politike Blerim Burjani.

Krasniqi: Të rinjtë janë treguar më të mençur

Ndërsa, politologu Faik Krasniqi, ka pohua se numri i madh i familjeve që marrin ndihma sociale, është si pasojë e papunësisë së madhe dhe shkatërrimit të ekonomisë nga oligarkët e politikës dhe para politikes.

Ai ka thënë se në çdo vend të botës rinia është lokomotiva e një shteti dhe katalizatori i zhvillimit ekonomik, kurse në Kosovë rinia shfrytëzohet vetëm për fushata të partive politike.

Image
Faik Krasniqi

“Të rinjtë janë treguar më të mençur, duke u larguar drejt perëndimit për shkak të papunësisë, korrupsionit dhe nepotizmit. Për një jetë më të mirë në perëndim, ku kanë një të ardhme të sigurtë. Kur shumica do largohen, çfarë do të bëjnë politikanët milionere që nuk po e çajnë kokën që dy dekada, ata që pasurinë e krijuan me paratë e tyre”, ka thënë politologu Faik Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat