Dështimi i shtetit brenda një dite: Eksperti i sigurisë paralajmëron se bilanci tragjik do të jetë edhe më i hidhur

Politika

Dështimi i shtetit brenda një dite: Eksperti i sigurisë paralajmëron se bilanci tragjik do të jetë edhe më i hidhur

Nga: N.H Më: 24 prill 2019 Në ora: 08:45
Pamje nga vendi i ngjarjes - Mitrovicë

Në Prishtinë, ka ndodhur një vrasje e trefishtë ku një person 61 vjeçar, ka vrarë gruan e tij, gruan e djalin dhe në fund vetën.

Një 27-vjeçar ka mbetur i ngujuar për më shumë se gjashtë orë, pas shembjes së ish-hotelit “Adreatiu” në Mitrovicë, ndërsa më pas është gjetur pa shenja jete.

Ndërsa, rasti tjetër është ku një pjesë e një objektit që ishte duke u ndërtuar në Fushë Kosovë kishte rënë në tokë, fatmirësisht nuk kishte pasur të lënduar.

Këto tri ngjarje të rënda që tronditën Kosovën ndodhën brenda pak orëve, ndërsa këto po konsiderohen se janë dëshmi e një sistemi të dobët në vend.

Njohësi i fushës së sigurisë, Hajrullah Tërnava, ka komentuar për gazetën “Bota sot”, ngjarjet e fundit të cilat ndodhën në Kosovë. Ai pohon se kriza në të cilën jemi duke kaluar si shoqëri përkon me faktin se ekzekutivi aktual as që merret me analiza të krimit, ndërsa, sipas tij, këta të fundit po e vazhdojnë mandatin e tyre duke e zhvatur këtë shoqëri të mjerë.

Ai mes tjerash thekson se shoqëria në vend është duke kaluar në një krizë të thellë, shkruan “Bota sot”.

“Kohën në të cilën po e jetojmë tani në Kosovë, më së miri e dëshmojnë këto ndodhitë e fundit, e që dyshimet ekzistojnë se ditë e për ditë të këqijat po marrin hovin e vet në përmasa më të mëdha. Tani pas më shumë se 20 viteve të çlirimit, kur këtë shtet e udhëheqin njerëz të paditur-kapadai, dhe i bëjnë ligjet si donë vet, nuk është çudi pse na ndodhin këso të këqija”.

Image
Hajrullah Tërnava

“Kriza e cila e ka kapluar shoqërinë, shihet qartas se ditë për ditë, se sa vepra të vetëvrasjeve po ndodhin apo edhe vrasje familjare që më parë nuk ka pasur këso raste, kriza është e madhe që po e përjeton ky popull. Qeveritarët as që merren me analiza të krimit, por e vazhdojnë mandatin e tyre duke e zhvatur ketë shoqëri të mjerë. Edhe që e kemi ketë gjendje të tillë, prapë vazhdohet më të njëjtat kuadro udhëheqëse në institucione, e në shumë raste edhe ato kuadro me plotë gabime, gradohen në poste më të larta se po shihet qartë se sistemi është i tillë i ndërtuar, që ata t’iu shërbejnë për qëllime të qarta shefave të mëdhenj të shtetit, edhe që ishte dashur për ato vepra të jepen përgjegjësi para institucioneve të shtetit”, ka deklaruar ai.

Tërnava nënvizon se humbja e shpresës për të jetuar në këtë shtete është e dhimbshme, prandaj, ai konsideron se nuk është i habitshme edhe ky migrim.

“Kur kryeministri lavdërohet se burrat duhet më mbajt armën pa leje dhe me e përdorë sipas dëshirës së tij nëpër ahengje apo tubime tani më kjo nuk donë koment. Punësimet e familjarëve të pushtetarëve vetëm në ketë qeverisje i tejkalojnë të gjitha të këqijat që po na ndodhin në Kosovë. Humbja e shpresës së jetuari në këtë shtete është e dhimbshme, prandaj nuk është i habitshme ky migrim, dhe tash ky infektim po hyn edhe të të punësuarit si mjek, inxhinier e të tjerë, sepse kur shpresa vdes të njerëzit ikin të gjithë nga ky vend”, shprehet ai.

Mes tjerash ai përmend disa nga rastet kur sistemi i shtetit dështon t’i mbajë në kontroll.

“Si të komentohen rastet që ndodhin në Policinë e Kosovës, kur ata duhet më e jetësuar kushtetutën e këtij vendi, kurse në praktikë kemi raste që polici e vret punëtorin me ia plaçkit 1800 euro, dhe po ai polic del nesër me e kryer detyrën e policit. Athua bëhet pyetja se a e ka kryer vetëm atë vrasje kriminale ai, apo edhe në tjera vrasje për përfitime sikur në këtë rast, apo rasti tjetër kur e dhunua e paraqet rastin në polici në Drenas, polici kujdestar tani e kushtëzon dhe e shfrytëzon seksualisht me vite të dëmtuarën, rasti i rënd i depërtimit të 6 qytetarëve të Turqisë jashtë kritereve ligjore në kundërshtim me ligjet dhe kushtetutën tonë nga më të mëdhenjtë e këtij vendi, dhe askush nuk jep përgjegjësi përkundrazi edhe avancohen si të dëgjueshëm”, ka thënë ai.

Krejt në fund, Tërnava pohon se kështu më nuk shkohet, dhe se vendi ka nevojë për një ndryshim të madh në skenën politike.

“Në bazë të kësaj që e thash dhe shumë tjerave që nuk ka nevojë për t’i përmendur, del konstatimi se kështu më nuk duhet të vazhdohet. Duhet gjithsesi për të mirën e popullit të Kosovës, të krijohet një Qeveri Teknike apolitike, dhe të përzgjidhen njerëzit e shkolluar me themel, dhe të pastër në të kaluarat e tyre, që të qeverisin një kohë të konsiderueshme këtë vend, dhe ta luftojnë krimin e organizuar që tani ka lëshuar rrënjë në institucionet e Kosovës, dhe të gjithë të tillëve, t’iu konfiskohet pasuria e përfituar, dhe ndaj tyre të ndërmerren masat ligjore të parapara sipas ligjit”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat