Kosova e tronditur nga vrasjet, vjedhjet e plaçkitjet, shkaktari kriza e depresioni

Politika

Kosova e tronditur nga vrasjet, vjedhjet e plaçkitjet, shkaktari kriza e depresioni

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 24 prill 2019 Në ora: 10:26
Foto ilustrim

Tri skandale e fundit që kanë ndodhur në Kosovë, dëshmojnë për problemet me të cilat është duke u ballafaquar shteti i Kosovës. Një person që kishte pasur probleme psikike ka vrarë bashkëshorten dhe renë, e më pas i ka dhënë fund edhe jetës së tij në Prishtinë.

Një 20-vjeçar ka mbetur i ngujuar për më shumë se gjashtë orë, pas shembjes së ish-hotelit “Adriatiku” në Mitrovicë, ndërsa më pas është gjetur pa shenja jete.

Ndërkohë për gjendjen e brishtë në sektorin e ndërtimtarisë e dëshmon rasti ku një pjesë e një objektit që ishte duke u ndërtuar në Fushë Kosovë kishte rënë në tokë, e që fatmirësisht nuk kishte pasur të lënduar, ndërsa nuk dihet ende arsyeja.

Njohës të fushës së sigurisë për gazetën “Bota sot”, kanë thënë se ngjarjet e fundit në vend janë dëshmia se shoqëria e Kosovës ka hyrë në një krizë të thellë depresioni, e cila manifestohet në format më të ndryshme, ku përfshihen edhe veprimet ekstreme të dhunës fizike e mosdurimit.

Sipas tyre, krijimi i shtresës super të pasur mbi bazë të pozitave në shtet, ose nga përfitimet e pushtetit, është një fenomen i cili shoqërinë e ka destabilizuar rrjedhat e zhvillimit normal.

Ekspertët e sigurisë janë të mendimit se zgjidhje e vetme për të dalë nga kjo situatë, është shkuarja në zgjedhje të përgjithshme.

Kajtazi: Ngjarjet e fundit janë dëshmi e keqqeverisjes

Image
Fadil Kajtazi

Eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se ky mozaik i ngjarjeve kriminale, po plotëson dita ditës tablonë e cila po shpërfaqë zymtësinë e përditshmërisë në Kosovë.

“Vrasje, shembje dhe rrënime”, unë do t’i shtoja edhe grabitje me armë të bankave dhe bizneseve private, fatalitete të shumta në komunikacion, ikjen e të rinjve nga vendi janë përditshmëria e jona, janë dukuri të cilat po e kaplojnë shoqërinë tonë. Ky mozaik i ngjarjeve kriminale, po plotëson dita-ditës tablonë e cila po shpërfaqë zymtësinë e përditshmërisë kosovare, po shpërfaqë krizën e thellë shoqërore, po shpërfaqë dhe po vë në pah qëllimet e këqija ndaj vendit dhe paaftësinë e kësaj klasë politike për ta administruar shtetin e ri të Kosovës”, ka thënë Kajtazi.

Kajtazi deklaron se ngjarjet që e karakterizuan vendin janë dëshmia si rezultat i keqqeverisjes dhe se shoqëria ka hyrë në një krizë të thellë depresioni e cila manifestohet në format më të ndryshme.

“Ngjarjet brenda 24 orëve të fundit janë dëshmia si rezultat i keqqeverisjes shoqëria e Kosovës ka hyrë në një krizë të thellë depresioni e cila manifestohet në format më të ndryshme, ku përfshihen edhe veprimet ekstreme të dhunës fizike, mosdurimit, prirjen e arritjes së qëllimeve duke shkelur ligjin etj. Krijimi i shtresës super të pasur mbi bazë të pozitave në shtet, ose nga përfitimet e pushtetit, është një fenomen i cili shoqërinë e ka destabilizuar rrjedhat e zhvillimit normal. Si kundërmasë e kësaj, shtresat e mesme dhe të varfërua me të madhe janë lëshuar në aventurën e arritjeve të qëllimit pa zgjedhur mjete, ku përfshirja në krim të organizuar është evidente, si dhe një pjesë e madhe e këtyre shtresave ketë po e manifestojnë me largimin nga vendi”, ka deklaruar ai.

Ai potencon se dalja nga këto probleme është komplekse, kërkon përkushtim dhe dije, gjë e cila i mungon kësaj klase politike.

“Gjithashtu mosfunksionimi i Sistemit të Drejtësisë, këtyre aktiviteteve kriminale ju ka shtuar edhe më shumë intensitetin. Nëse mesatarja e zgjidhjes së një lënde nga drejtësia kosovare është 8 vite, kjo kohëzgjatje vetvetiu krijon predispozita që të ketë ndikim nga të fortit në epilogun gjyqësor, gjë që shkakton dëshpërim dhe depresion te palët dhe, së dyti, shton prirjen te qytetarët që të marrin në dorë gjykimin vet. Dalja nga këto probleme është komplekse, kërkon përkushtim dhe dije, gjë e cila i mungon kësaj klase politike që është duke qeverisur me vendin”, ka potencuar ai.

Skandalet e institucioneve

Eksperti i sigurisë ka përmendur edhe disa nga ngjarjet që e përcollën qeverinë aktuale, për të cilat ka thënë se e bëjnë edhe më të zymtë jetën në Kosovë.

“Skandali i kryeministrit me rritjen e rrogës për vete, skandalet në punësimet e të afërmeve dhe militantëve partiak nga zyrtarët qeveritar, skandalet në polici e gjykata, e bëjnë edhe më të zymtë jetën, e dekurajojnë qytetarin për të jetuar në kuadër të rregullave dhe ligjeve, çdo ditë i shtojnë atij prirjen për ta shkelur ligjin kur t’i epet mundësia, i dekurajojnë qytetarët e ndershëm për ta denoncuar krimin dhe korrupsionin dhe ky është shtrati i përshtatshëm ku lulëzon krimi”, shprehet eksperti i sigurisë.

Në fund, ai është i mendimit se për të dalur nga kjo situatë zgjidhja është shkuarja në zgjedhje të përgjithshme.

“Zgjidhje e vetme për të dalur nga kjo situatë është shkuarja në zgjedhje të përgjithshme. Nëse pak kjo klasë politike e do këtë vend, një orë e më parë i hapë rrugën dhe mundësinë qytetarëve që të bëjnë zgjidhjen përmes zgjedhjeve. Tani më është e qartë se kjo klasë është primitive, nuk e do vendin, i ka venit atij ardhmërinë, dhe nuk mendoj se ka kapacitete për te vepruar në të mirë të vendit. Druaj nga zemërimi i popullit”, ka përfunduar, Fadil Kajtazi, për gazetën “Bota sot”.

Islami: Organet përgjegjëse janë duke dështuar

Image
Avni Islami

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, ka komentuar rastin e djeshëm në Mitrovicë, me që rast ka thënë se organet përgjegjëse janë duke dështuar në parandalimin e vrasjeve në vend.

“Rasti i vrasjes së trefishtë, dorasi i cili kishte kryer dy vrasje e pastaj vetën, tregon se organet përgjegjëse dhe Policia e Kosovës janë duke dështuar në parandalimin e vrasjeve, të cilat madje janë për motive tejet të ulëta. Rastet e tilla, sikurse rasti në Gjakovë, kur një person kishte vrarë gruan dhe pastaj vajzën, si edhe rastet e tjera, tregojnë se rastet të cilat paraqiten në organet e përgjegjëse po neglizhohen, qoftë për arsye patriarkale, që njihen mes vete, qoftë edhe për arsye të ndryshme të cilat po neglizhohen dhe kësisoj po vije deri të vrasja”, është shprehur Islami.

Kërkohet hartimi i një plani menaxhues

Sipas Islamit, urgjentisht të hartohet një plan menaxhues dhe kësisoj rastet të cilat paraqiten në Policinë e Kosovës të mos neglizhohen dhe të mbesin në sirtarë.

“Duhet urgjentisht të hartohet një plan menaxhues, dhe kësisoj rastet të cilat paraqiten në Policinë e Kosovës të mos neglizhohen dhe të mbesin në sirtarë, por me një përgjegjësi të madhe dhe kësisoj të bëhet parandalimi, qoftë i rrahjeve, qoftë edhe i vrasjeve, siç ndodhi rasti i djeshëm. Madje, sipas medieve, i njëjti kishte pasur armë pa leje, dhe kësisoj edhe mund të jenë spekulime, mirëpo i dyshuari është dashur të trajtohet nga organet përgjegjëse. Shteti dhe ne kemi dështuar ta parandalojmë këtë krim”, ka përfunduar Islami.

Tërnava: Qeveritarët as që merren me analiza të krimit

Image
Hajrullah Tërnava

Edhe, njohësi tjetër i fushës së sigurisë, Hajrullah Tërnava, ka folur për gazetën “Bota sot”, rreth ngjarjeve të fundit që ndodhën në vend. Ai pohon se kriza në të cilën jemi duke kaluar si shoqëri përkon me faktin se ekzekutivi aktual as që merret me analiza të krimit, ndërsa, sipas tij, këta të fundit po e vazhdojnë mandatin e tyre duke e zhvatur këtë shoqëri të mjerë.

Ai thekson se shoqëria në vend është duke kaluar në një krizë të thellë.

“Kriza e cila e ka kaplua shoqërinë, shihet qartas se ditë për ditë, se sa vepra të vetëvrasjeve po ndodhin apo edhe vrasje familjare që më parë nuk ka pasur këso raste, kriza është e madhe që po e përjeton ky popull. Qeveritarët as që merren me analiza të krimit, por e vazhdojnë mandatin e tyre duke e zhvatur ketë shoqëri të mjerë. Edhe që e kemi ketë gjendje të tille, prapë vazhdohet më të njëjtat kuadro udhëheqëse në institucione, e në shumë raste edhe ato kuadro me plotë gabime, gradohen në poste më të larta se po shihet qartë se sistemi është i tille i ndërtuar, që ata t’iu shërbejnë për qëllime të qarta shefave të mëdhenj të shtetit, edhe që ishte dashur për ato vepra tw jepen përgjegjësi para institucioneve të shtetit”, ka deklaruar Tërnava.

Mes tjerash, Tërnava pohon se kështu më nuk shkohet, dhe se vendi ka nevojë për një ndryshim të madh në skenën politike.

“Në bazë të kësaj që e thash dhe shumë tjerave që nuk ka nevojë për t’i përmendur, del konstatimi se kështu ma nuk duhet të vazhdohet. Duhet gjithsesi për të mirën e popullit të Kosovës, të krijohet një Qeveri Teknike apolitike, dhe të përzgjidhen njerëzit e shkolluar me themel, dhe të pastër në të kaluarat e tyre, që të qeverisin një kohë të konsiderueshme këtë vend, dhe ta luftojnë krimin e organizuar që tani ka lëshuar rrënjë në institucionet e Kosovës, dhe të gjithë të tillëve, t’iu konfiskohet pasuria e përfituar, dhe ndaj tyre të ndërmerren masat ligjore të parapara sipas ligjit”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat