Diplomati shqiptar befasohet me Kosovën: Pse nuk e ndërpreu dialogun kur Serbia bllokoi hyrjen në UNESCO dhe...

Politika

Diplomati shqiptar befasohet me Kosovën: Pse nuk e ndërpreu dialogun kur Serbia bllokoi hyrjen në UNESCO dhe...

Nga: D. B. Më: 24 prill 2019 Në ora: 18:25
Shaban Murati

Dialogu Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e BE në bazë të rezolutës së OKB të vitit 2010 ka qenë një hap i nevojshëm për të realizuar normalizimin e vërtetë të marrëdhënieve midis dy shteteve, që do të thotë se do të duhej të ishte finalizuar me njohjen midis tyre. Por nëse nuk është arritur në atë objektiv, atëherë duhet pranuar se është një dështim i BE.

Kështu ka vlerësuar diplomati Shaban Murati i cili në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se Kosova i ka dhënë një ndihmë të madhe Serbisë me nisjen e dialogut në Bruksel, sepse i krijoi Serbisë alibinë për të fituar statusin e shtetit kandidat të BE dhe për të nisur bisedimet e pranimit me BE.

Sipas tij, në shkëmbim Kosova nuk mori asgjë, pra asnjë lëshim politik.

“Marrëveshja shumë e reklamuar 19 prillit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë u shkel në mënyrë flagrante nga Beogradi, madje Brukseli e lejoi këtë situatë absurde të shkeljes së garancive të BE për këtë marrëveshje. Dinamika e dialogut dhe metodika diplomatike e ndërmjetësimit nga BE lënë shumë për të dëshiruar, sepse Brukseli lejoi një asimetri bisedimesh, çështjesh dhe rezultatesh, që formësoj favorizimin e lexueshëm të Serbisë. BE-ja harroi se Serbia është shteti që kishte bërë agresionin dhe spastrimin etnik ndaj Kosovës, harroi se Serbia para së gjithash duhet të kërkonte të falur për krimet dhe masakrat në Kosovë, të paguante reparacionet për viktimat dhe shkatërrimet e luftës dhe të detyrohej të njihte Kosovën. Dhe unë jam i sigurt se Serbia do ta kishte njohur Kosovën, nëse BE do ta kishte trajtuar atë gjatë bisedimeve në Bruksel me statusin e shtetit agresor.”, ka thënë Murati.

Ai konsideron se gjatë procesit të dialogut të stërzgjatur me Serbinë është shfaqur një dobësi e pajustifikuar nga ana e Prishtinës.

“Prishtina nuk duhej të ishte pajtuar shtatë vjet me radhë me linjën e të ashtuquajturit dialog teknik, por duhet të ishte pasur objektivin e qartë të intonimit politik të bisedimeve dhe të kërkesave. Pse nuk protestoi dhe nuk bllokoi një herë dialogun për shkeljet flagrante që Serbia i bëri marrëveshjes së 19 prillit 2013 të normalizimit të marrëdhënieve, ku Beogradi kishte nënshkruar detyrimin të mos pengonte Kosovën të hynte në BE. Pse nuk ndërpreu Prishtina bisedimet, kur Serbia bllokoi hyrjen e Kosovës në UNESCO? Qysh ahere unë kam shkruar se u arrit pika e ngopjes e diplomacisë së Kosovës me Serbinë. Pse nuk ndërpreu Kosova bisedimet, kur Serbia publikisht subvencionoi fushatën ndërkombëtare të çnjohjeje të Kosovës? Pse nuk ndërpreu Kosova bisedimet me Serbinë, kur Serbia dy herë me radhë bllokoi anëtarësimin e Kosovës në Interpol? Është një kronikë dobësie, e cila reflekton një strategji të paqartë dhe mungesë kohezioni politik, diplomatik e kombëtar”, është shprehur Diplomati Shaban Murati.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat