Goditja përfundimtare për Thaçin, Ramën dhe Vuçiqin do të jetë Samiti i Berlinit!

Politika

Goditja përfundimtare për Thaçin, Ramën dhe Vuçiqin do të jetë Samiti i Berlinit!

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 24 prill 2019 Në ora: 19:26
Hashim Thaçi, Edi Rama dhe Aleksander Vuçiq

Liderët e Ballkanit Perëndimor do të takohen në Samitin e Berlinit me 29 prill.

Nikoqir të këtij Samiti do të jenë Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti i Francës, Emanuel Macron.

Ky Samit do të jetë shumë i rëndësishëm për Kosovës, ku do të diskutohen shumë çështje, e ndoshta mund të jetë edhe epilogu përfundimtar i marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksandër Vuçiq do t’i shtrëngojnë duart edhe një herë në Berlin, shtrëngim ky, që mund të jetë goditje përfundimtare për idetë e tyre të rrezikshme për ndryshim të kufijve.

Berlini rezistoi ndaj katrahurës Thaçi-Vuçiq

Image
Avni Zogiani

Avni Zogiani nga Lëvizja Vetëvendosje, potencon që, Berlini deri tash qenë rezistuesi kryesor i katrahurës e cila po përgatitet nga presidentin i Kosovës dhe ai serb.

“Berlini zyrtar deri tashti ka qenë rezistuesi kryesor i katrahurës që po përgatitet nga qifti Vuçiq-Thaçi, por nëse Kosova si shtet dhe si shoqëri nuk e thotë qartë qëndrimin se ky plan e rrezikon qenien e Kosovës si shtet, ka mundësi që edhe kjo rezistencë të bjeri. Fatkeqësisht shumica e subjekteve politike me dykuptimësinë e tyre në lidhje me Thaçin ka krijuar hapësirë që edhe përkrahësit e shtetit të Kosovës të kenë dilema. Ata e thonë haptazi, nëse Kosova pajtohet të japë territor, kush jemi ne që ta ndalojmë këtë?”, thotë Avni Zogiani për gazetën “Bota sot”.

“Strukturat politike në Serbi dhe Kosovë janë të lidhura me nëntokën e kriminalizuar”

Image
Haki Abazi

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike në Kosovë, Haki Abazi potencon që Samiti i Berlinit do të parandaloj planin e një klase të korruptuar politike në Ballkan.

Sipas tij, Merkel e Makron e kanë të qartë se strukturat politike në Kosovë e Serbi janë të lidhuar me nëntokën.

“Samiti në Berlin i udhëhequr nga Kancelarja Merkel dhe Kryeministri Makron është ndërmarrja me rëndësishme evropiane për të parandaluar planin e një klase të korruptuar e kriminale politike që është prezentë në Ballkan. Dy liderët Evropian e kanë të qartë që strukturat politike në Serbi dhe Kosovë janë të lidhura me nëntokën e kriminalizuar, kanë ngulfatur zhvillimin dhe që të dyja vendet janë duke prodhuar refugjatë në mënyrë të qetë por sikur të destabilizohej rajoni sigurisht që vala e refugjatëve do të ishte edhe më e madhe”, thotë Abazi për gazetën “Bota sot”.

Ai shton se, në këtë Samit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ai serb, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministri shqiptar, Edi Rama do të marrin përgjigjen se në Ballkan kufijtë nuk mund të jenë rezultat i gjenocidit.

“Besoj që gjithashtu Gjermania dhe Franca dhe dy liderët që besojnë fuqishëm në vlerat demokratike njerëzore nuk duan që në histori të hyjnë si liderët që kanë lejuar shpërbërjen e Bosnje Hercegovinës nëpërmjet Republika Srpska që është krijuar me gjenocid dhe ndarjen e Kosovës që ka qenë qëllimi i Millosheviçit. Nëse do të lejonin një skenarë të tille atëherë i gjithë angazhimi i bashkësisë ndërkombëtare në Bosnjë dhe Kosovë dhe ndalimi i Millosheviçit do të ishte shkuar huq. Vuçiqi dhe Thaçi por edhe Rama besoj do të marrin përgjigjen se në Ballkan kufijtë nuk mund të jenë rezultat i gjenocidit dhe krimit e korrupsionit”, potencon njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Haki Abazi.

“Gjermania është superfuqi botërore, fjala e saj është vendimtare”

Image
Faik Krasniqi

E kundër idesë për ndarjen e Kosovës ka qenë prej fillimit Kancelarja Angela Merkel, thotë politologu Faik Krasniqi.

Sipas tij, Gjermania është superfuqi botërore andaj fjala e saj do të jetë vendimtare.

Krasniqi thekson se, idetë e Thaçit dhe Vuçiqit janë populiste, ide këto që nuk pinë ujë tek shtetet me traditë me shekujt të shtetit.

“Kancelarja Angela Merkel prej fillimit ka qenë kundër idesë së ndarjes së Kosovës. E vendosur është edhe sot për një ide të tillë. Gjermania është superfuqi botërore, dhe fjala e saj është vendimtare. Prandaj në këtë takim nuk pritet që nga kjo temë të ketë diçka. Ose do të varroset fare kjo ide, ose nuk do të përmendet fare. Idetë e Hashim Thaçit dhe Aleksander Vuçiqit janë ide populiste ballkanase, dhe nuk pinë ujë tek shtetet që kanë traditë me shekuj të shtetit. Nga ky takim zgjidhje përfundimtare nuk do të ketë, por një lëvizje dhe një plan drejt vazhdimit të dialogut. Por edhe rreth liberalizimit të vizave, sepse nuk mund të vazhdohet izolimi i mëtutjeshëm i qytetarëve të Kosovës!”, thotë Faik Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat